Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Boksit është treguar me “dorë të hekurt” ndaj atyre që prishën kampionatin kombëtar të të rriturve, i cili nga 7-9 tetor u zhvillua në Vlorë. Në mbledhjen e kryesisë ishte i pranishëm dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, sepse çdo vit kampionati i “dorezave” për të rritur krijon problematika që nuk kanë lidhje me sportin. E për rrjedhojë edhe vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florent Kalivopulli, ka qenë i prerë në kërkesën për zgjidhjen e situatës.
“Kjo situatë sot e mbrapa është e patolerueshme. Dhuna dhe bojkoti në fushat e sportit dhe veçanërisht në ringun e boksit nuk duhet të ketë më”, ka thënë fillimisht Kalivopulli.
Madje i pari i boksit shqiptar vë dhe gishtin mbi fajtorët mbi të cilët u morën dhe masa të ashpra. Flamurtari për shkak të dhunës së shkaktuar ndaj gjyqtarit të ringut është pezulluar për 3 vit për të mos organizuar aktivitete kombëtare. Boksieri Klevis Çela dhe trajneri i tij Altin Koçi 2 vjet nga aktiviteti, kurse Gëzim Zeneli është paralajmëruar në rast përsëritje. Po kështu Tirana dhe Teuta kanë humbur për tre vjet të qenit anëtarë të Federatës Shqiptare të Boksit, kurse janë paralajmëruar trajnerët Sead Bushati, Renato Kurti dhe Enton Kikrri. E sportistët e tyre, që nuk ishin fajtorë për bojkotin, mund të marrin pjesë në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare me kërkesë të veçantë drejtuar Federatës Shqiptare të Boksit, apo dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
“Mungesën e mbarëvajtjes së aktivitetit ia vë fajin asaj dhune që u shfaq në Vlorë, teksa ishte ai shkaku kryesor i prishjes së kampionatit. Më pas faji është i bojkotuesve”, shpjegon i pari i boksit shqiptar.
Nisur nga ngjarjet e Vlorës, teksa një vit më pas gjithçka ka ndodhur dhe në Shkodër, a nuk ka ardhur koha për një zhvillim aktiviteti në fushë asnjanëse?
“Të gjitha ekipet – thotë Kalivopulli – unanimisht në këtë zyrë vendosën që kampionati të mbahej në Vlorë. Nuk vendosa as unë dhe as klubi i Flamurtari. Vlora kishte bërë një kërkesë dhe të gjithë vendosën unanimisht që kampionati të bëhej në Vlorë”, shfajësohet në një farë mënyre Kalivopulli.
Dhe për një situatë ndryshe tek boksi shqiptar ka qenë edhe zëvendësministri Endrit Hoxha, aq më tepër që sporti i dorezave në vend numëron një seri medaljesh ndërkombëtare.
“Të jetë hera e fundit që ndodhin të tilla situata mes trajnerëve, gjyqtarëve dhe tifozëve. Jemi për sportin e pastër dhe rezultativ”, thotë zëvendëministri Hoxha
“Për kampionatizëm të bojkotosh garën është gjynah, mbi të gjitha për ato sportistë që ishin përgatitur prej një viti”, shpjegon Kalivopulli.
Klubet e Studentit dhe të Kukësit si pjesëmarrës në bojkot e kanë humbur anëtarësinë e tyre për një vit, kurse boksi duket se ka vënë pikat mbi “I” për situatën që kalon.
“Bojkotin nuk e fal dhe është i patolerueshëm”, mbyll fjalën e tij Kalivopulli.