Sunday, September 8, 2024

(Intervista) Alban Xhaferi ndërron status, intervista e parë si president i ligjshëm i Vllaznisë. Premton një menaxhim edhe më të mirë për ta ngritur klubin kuqeblu në nivelet më të larta

Lexo

E hëna e 30 gushtit 2021 është një ditë historike për KF Vllaznia. Bashkia Shkodër ka deklaruar zyrtarisht vendimin e Ankandit duke shpallur fitues për blerjen 100 përqind të klubit nga kompanitë e përfaqësuara nga biznesmeni Alban Xhaferi, i cili deri më tash ishte në pozicionin e sponsorit.

Urime, zoti Xhaferi, padyshim një lajm i gëzuar për ju personalisht dhe stafin tuaj!

Me thënë të drejtën është edhe një lajm historik edhe për qytetin e Shkodrës, pasi bëhet fjalë për një aset shumë të rëndësishëm, i cili ka një vlerë të jashtëzakonshme në jetën sportive të qytetit dhe përtej. Dhe, është një ditë e bukur, një ditë që Shkodrës i kthehet një aset i rëndësishëm. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën në mënyrë që KF Vllaznia të jetë në nivelet më të larta të mundshme dhe të arrijmë së bashku rezultate fantastike për ta rritur sa më lart emrin e këtij klubi të madh.

Një përvojë jo pak pozitive gjatë periudhës që mbajtët postin e sponsorit të Vllaznisë. Tashmë, me ndërrimin e statusit duke qënë president i ligjshëm i KF Vllaznia, çfarë ndryshon tek Xhaferi?

Ky projekt faktikisht ka filluar që sezonin e kaluar me anë të një marrëveshje që bëmë me kryetaren e Bashkisë, Voltana Adedmi, dhe mendoj se ky ishte edhe fillimi i këtij projekti, i cili vitin e kaluar u finalizua me sukses. Ne arritëm disa rezultate të mira mendoj, dhe Vllaznia u kthye tek ato vlerat e saj, rezultatet pozitive. Dhe tashmë në një dimencion të ri, KF Vllaznia do të ketë një menaxhim shumë më dinamik, që do të anashkalojë ato procedurat burokratike të Bashkisë, ngaqë ndoshta edhe vendimi kryesor për shitjen e këtij aseti ishte i tillë. Besoj se do të ketë një fleksibilitet të jashtëzakonshëm, si nga ana e menaxhimit, por edhe nga ana e perspektivës, që ka të bëjë me rezultatet, menaxhimin e Akademisë, infrastrukturës, po ashtu edhe në pjesën e markentingut, e cila do të zhvillohet në një dimension të ri. Më e rëndësishme në të gjithë këtë kontekst, është rikthimi i Vllaznisë në rezultatet e larta, përfshirja e Akademisë, të rinjëve tu krijohet mundësia që të merren me sport sa më tepër, dhe qyteti të shijojë atë Vllazninë e madhe, e cila mendoj se do të jetë përtej Shkodrës, një simbol përfaqësimi për të gjithë ne shkodranët.

Padyshim që vendimi i sotëm për finalizimin e procesit të privatizimit dhe shpallja fitues i Ankandit për sponsorin aktual Alban Xhaferi, është edhe një lajm i mirë për skuadrën kuqeblu, e cila pritet të ketë një përformancë edhe më të mirë në fushën e lojës.

Sigurisht që lojtarët duhet të jenë më të qetë. Unë mendoj që ne nuk i kemi lënë asgjë mangut edhe në kuadrin e marrëveshjes së sponsorizimit. Jemi munduar t’ia plotësojmë të gjithë kushtet, dhe ekipi, për mendimin tim ka ecur në të gjitha parametrat e duhur. Por sigurisht që ndryshimi i menaxhimit ndoshta në një dimension të ri do të jetë një mbështetje edhe më e fortë për to. Dhe, sigurisht, ajo që është më e rëndësishme, ato duhet të përformojnë në mënyrën më të mirë të mundshme që të justifikojnë fanelën e Vllaznisë, të justifikojnë ato kontrata që kemi bërë me to, dhe sigurisht që të arrijmë ato suksese që të gjithë bashkë i duam.

Ky vendim i sotëm për blerjen 100 përqind të Vllaznisë nga kompanitë që ju përfaqësoni koinçidon me humbjen e Superkupës përballë Teutës së Durrësit. Një trofe që Shkodra e priste, Vllaznia e priste dhe vetë Xhaferi e donte një trofe të tillë të Superkupës.

Unë, me thënë të drejtën do ta kisha dëshiruar shumë fitoren e Superkupës, sepse edhe ndryshimi i statusit do të ishte mirë që ta fillonim me një trofe. Por, mendoj se të gjithë kemi gabime, sigurisht gabimet më të mëdha i ka stafi teknik dhe pjesa e lojtarëve. Mendoj se ne duhet të mësojmë prej këtyre gabimeve që u bënë. Nuk duhet të fluturojmë, nuk duhet të japin ngandonjëherë mesazhe entuziaste, të cilat nuk arrijmë t’i realizojmë në premtimet e marra. Mendoj, se me të vertetë duhet të jemi me këmbë në tokë dhe duhet të bëjmë lëvizjet e duhura duke marrë në shqyrtim çdo gabim për ta riparuar. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse Vllaznia tashmë ka një ekip shumë solid, stafit teknik nuk i mungon asgjë nga ana e lojtarëve, jemi munduar që t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre. Kemi përforcuar çdo repart, jo vetem me një, por me dy dhe tre lojtarë, dhe tashmë ne duam që të kemi rezultate sa më të mira dhe duhet të jemi me këmbë në tokë, në mënyrë që të mos kemi aspak eufori, por përkundrazi me qetësinë që na karakterizon që sezonin e kaluar, duhet të marrim rezultatet një e nga një dhe arijmë objektivat e duhura.

Vllaznia në fakt ka qënë e spikatur në merkaton e këtij pragsezoni, por flitet se Xhaferi e ka edhe një surprizë të fundit përpara mbylljes së afatit, kryesisht për repartin e sulmit.

Bëhet fjalë për një pozicion që siç e quajnë këto të stafit, për një numër 10-të, ku presim sot të finalizohet, të nënshkruhet kontrata, dhe shumë shpejt do të japim edhe emrin pasi të firmoset në kontratë.

Me gjithë këto lëvizje, Vllaznia e sezonit të ri futbollistik do të jetë sërishmi në rolet kryesore të pretendentëve për trofe?

Sigurisht që objektivi kryesor i Vllaznisë është fitimi i titullit kampion dhe pjesëmarrja në Europë. Ekipi është formatuar për këtë qëllim dhe sigurisht Kupat e Europës dhe fitimi i titullit do të jenë objektivat tonë madhor për t’i realizuar këtë sezon. Shpresojmë të ecim në këtë rrugë, dhe gjithmonë, siç thashë edhe më lart, të mos kalojmë në efurori, por t’i marrim ndeshje për ndeshje, me qetësinë që na karakterizon, të justifikojmë fanelën, investimi që është bërë dhe në fund qyteti të marrë sodisfaksionin që duhet të marrë nga ekipi i Vllaznisë.

Në mbyllje, nëse keni ndonjë mesazh në këtë ditë me të vertetë historike për ju, stafin tuaj, dhe futbollin kuqeblu në tërësi.

Unë ju falenderoj shumë për urimin. Me të vertetë, mbyllja e procesit të Ankandit është një mbyllje e një finalizimi të gjatë të këtij proçesi, i cili kaloi disa hallka, dhe ne arritëm për ta fituar këtë ankand dhe për të marrë menaxhimin e Vllaznisë. Unë do të kisha falenderu të gjithë ato që më kanë mbështetur deri më tani në këtë rrugëtim. Falenderimi shkon shumë i gjatë me thënë të drejtën, duke filluar nga familja e ime, duke vijuar tek tifozët, miqtë e mi, partenerët e mi, tek ju gazetarët absolutisht, tek të gjithë tifozëria e zjarrtë shkodrane. Dhe, unë do t’i garantoj ato që do të mundohemi të bëjmë më të mirën që Vllazninë ta kthejmë aty ku e meriton, në nivelet më të larta, do të mundohemi me gjithë përpjekje dhe me gjithë shpirt që të arrijmë aty ku duhet të jetë Vllaznia. Faleminderit të gjithëve!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img