Alsid Tafili, ish-futbollisti i Vllaznisë ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport.” Ish-mesfushori kuqeblu është ndalur tek ecuria e shkodranëve në Kupë dhe kampionat. Sipas shkodranit ecuria e skuadrës ka qenë e duhura për sa i përket rezultateve, por patjetër që kërkon përmirësim të lojës. Në fjalët e tij ai ndalet edhe tek afrimet e merkatos.
Fitore e Vllaznisë në Kupë kundër Besës. Pse vuajti skuadra?
Normalisht trajneri duke menduar se në fundjavë do të ketë një ndeshje të fortë në kampionat, bëri pak rrotacion. Ndoshta nuk e kishin llogaritur siç duhet forcën e Besës, që është një ekip serioz dhe pretendent për tu ngjitur në Superiore.
Trajneri Brdariç pas ndeshjes ishte i vetëdijshëm për lojën e ekipit, por theksoi se rëndësi ka kualifikimi. Jeni dakord apo jo?
Rëndësi ka kualifikimi, sepse trajneri mendon se kur është rezultati, edhe gabimet mund të korrigjohen. Por në momentin që fati do ta braktisë ekipin, nuk e di çfarë motivi mund të japë trajneri pastaj. Disa lojtarë nuk po japin atë çfarë pritet dhe strategjinë e trajnerit nuk po e shohim të zbatohet në fushë. Agresiviteti dhe pasioni i futbollistëve ka bërë që Vllaznia të marrë maksimumin.
Çfarë nuk po shkon që ekipi nuk po shprehet siç duhet?
Për këto rezultate pozitive po shikoj shumë veta që duan të marrin atribute. Meritën kryesore sipas meje e ka grupi dhe harmonia që ekziston tek Vllaznia. Aty ka disa futbollistë që kanë mentalitet fitues dhe pasion, e po ashtu futbollistë që akoma nuk e kanë gjetur veten. E këto gjëra anashkalohen kur vjen rezultati pozitiv. Ndërtimi i skuadrës që në verë nuk ka qenë i duhuri, prandaj edhe ekipi nuk po arrin ende të shprehet siç duhet.
Sa mund ta ndihmojnë skuadrën prurjet e reja Mensah dhe Repaj?
Repaj mendoj se me dëshirën e madhe që ka për të kontribuar tek Vllaznia, do të jetë një armë plus për skuadrën. Ndërsa për Mensah jam disi skeptik. Mund të afrohej dikush që bënte diferencën.
Po diskutohet për shitjen e Dodajt. Është koha e duhur?
Patjetër, mendoj se duhet shfrytëzuar momenti, do të ishte koha e duhur për shitjen e Dodajt. Lojtari ka avantazh, sepse do të rritet duke luajtur në një kampionat që ka më kualitet.
Ndeshja e radhës do të jetë kundër Skënderbeut. E vështirë apo jo?
Dueli me Skënderbeun është delikat, sepse ata duan me patjetër fitoren. Por Vllaznia ka “luksin” e momentit duke qenë komod me pikët dhe mund të shprehen mirë në lojë. Skënderbeu nuk është ai i sezonit të kaluar. Besoj se Vllaznia e kalon me sukses.
Endri ÇINARI