Ish-sulmuesi kampion me Vllazninë, Altin Xhahysa, ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai ndalet te kampionati shqiptar dhe zhvillimet e javës së fundit. Duke veçuar Vllazninë, Xhahysa thekson se kuqeblutë po bëjnë një kampionat pozitiv dhe e cilëson të drejtë barazimin 1-1 kundër Egnatias. Po ashtu, shkodrani tregon edhe për një “defekt” që kanë shfaqur këtë edicion 9 herë kampionët e vendit.
Xhahysa, Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi në ndeshjen e fundit kundër Egnatias. Ishte rezultat i drejtë?
Po, them se ishte një rezultat i drejtë për atë çfarë ekipet dhanë në fushën e lojës. Ishin dy tablo të ndryshme në dy pjesët e lojës për të dyja ekipet. Besoj se gjithçka ishte e drejtë në fund mes dy prej skuadrave më cilësore të këtij edicioni, që nga java në javë po shfaq një garë më të ashpër sportive.
Ka pasur diçka që nuk ka shkuar te kjo Vllazni në këtë sezon?
E thashë edhe pak më sipër, por e kam vënë re disa herë edhe gjatë këtyre javëve. Vllaznia nuk është e njëjtë në të dyja pjesët e lojës. Herë zhvillon një pjesë të parë të shkëlqyer dhe bie ritmi në të dytën e gjithashtu e kundërta kur bën pjesë të parë nën ritëm e pjesë të dytë fantastike. Duhet të gjendet një ekuilibër, ku besoj se edhe Brdariç e ka të qartë se ku duhet të ndërhyhet dhe se çfarë duhet bërë.
Endri ÇINARI