(Intervista) Auron Miloti, beson se Vllaznia është shumë pranë titullit të 10-të kampion. Ish futbollisti kuqeblu, mesazh skuadrës: Djemtë dhe klubi duhet të jene larg presionit dhe të përqendruar në fushën e lojës!

Lexo

- Reklamë -spot_img

Auron Miloti, drejtues i zyrës së sporteve në Bashkinë Shkodër si edhe ish-futbollist dhe ish-pjesë e stafit teknik të Vllaznisë në të shkuarën ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Në fjalët e tij ish-sulmuesi 3 herë kampion i vendit me Tiranën ka analizur ekipin kuqeblu. Duke cilësuar se i sheh në rrugën e duhur pavarësisht ndoshta momentit jo më të mirë që po kalon ekipi i Martinit. Shkodrani thotë se ka besim totalisht tek skuadra, stafi teknik e po ashtu futbollistët, por nuk do të nxitohet për të thënë se ky është viti i titullit kampion. Teksa në fund ndan edhe një mendim për ndeshjen e radhës në kampionat të kuqebluve kundër Partizanit.

Miloti, si e keni shikuar ekipin e Vllaznisë në periudhën e fundit?

Them se janë aty ku duhet dhe brenda çdo lloj objektivi, në krye të tabelës dhe në gjysmëfinalet e kupës. Pra, “kokë e këmbë” duke luajtur për gjithçka këtë edicion. I shoh totalisht në rrugën e duhur dhe uroj të vijojnë kështu deri në minutën e fundit të kampionatit. Tashmë gara do “nxehet” shumë, s’do ketë asnjë ndeshje të lehtë dhe gjithçka do jetë një luftë, ndaj ekipi duhet të jetë i përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht për më tepër.

Është dukur skuadra në një formë jo edhe aq brilante?

Shiko, nuk mund të pretendosh që një ekip të jetë super në 36 javë kampionat, po ashtu duke llogaritur edhe “final 4”. Është e kuptueshme që disi ekipi mund të ketë luhatje, por nuk shoh aspak ndonjë lloj emergjence tek Vllaznia. Skuadra po i përballon situatat e po ashtu pavarësisht disa ndalesave, sërish qëndron në krye. Në ndeshjet me rivalët direktë kanë dominuar e kanë lënë pikë me ekipet e poshtme të tabelës. I tillë është futbolli, i paparashikueshëm prandaj duhet të jesh i përqendruar në çdo ndeshje dhe ndaj çdo kundërshtari.

Çfarë duhet të bëjnë të rikthehen tek ritmi i zakonshëm?

Asgjë më tepër nga çfarë kanë bërë deri më tani. Thjesht të marrin ndeshjet me qetësi, pa presion dhe loja do jetë e rrjedhshme si më përpara. Tashmë edhe ekipet e tjera luajnë më mbyllur ndaj Vllaznisë dhe është më e vështirë të arrish tek fitoret dhe dominimi i lojës. Të rëndësishme tashmë janë pikët, ato duhet t’i marrë Vllaznia. E kam besimin se do ia dalin me sukses në ndeshjet e radhës.

Cili është faktori ndoshta që bën diferencën tek kuqeblutë në krahasim me ekipet e tjera?

Në opionion tim, Vllaznia ka ekipin me futbollistët më të mirë në kampionat. Që nga vera është ndërtuar një skuadër me shumë cilësi dhe eksperiencë. Ndaj them se mund të bëjnë diferencën nga momenti në moment me kundërshtarët. Po ashtu aty janë edhe Edi Martini e Vioresin Sinani, dy ish-kampionë të Vllaznisë dhe Shkodrës që absolutisht janë një dozë më e madhe motivimi edhe për futbollistët aty. Pasi nga dy figura të tilla ke çfarë të mësosh e po ashtu të përmirësosh.

Sa besim keni tek titulli kampion personalisht?

Nuk dua të flas para kohe (qesh). Unë dua titullin kampion në Shkodër dhe kjo është e padiskutueshme, por nuk dua të shprehem që jam i sigurt që vjen. Djemtë dhe klubi duhet të jene larg presionit dhe të përqendruar në fushën e lojës. Edhe vitin e shkuar e “frymë” shumë situatën e në fund Vllaznia u mposht në finale nga Egnatia. Ndaj nuk do doja që një situatë e tillë të përsëritej sërish. Për atë them të merren ndeshje me radhë dhe ekipi duket në rrugën e duhur drejt suksesit.

Si e mendon duelin e radhës në kampionat, ku Vllazninë e pret transferta me Partizanin?

Ndeshje shumë e fortë, Partizani tashmë duket se ka gjetur vetveten dhe është një kundërshtar shumë i rrezikshëm. Po ashtu dueli luhet në transfertë që e bën edhe pak më të vështirë për Vllazninë. Por, tradita e sezoneve të fundit flet në favor të kuqebluve dhe them se edhe kësaj radhe nuk do e prishin “trendin”. Besoj se Vllaznia ia del me një rezultat pozitiv kundër Partizanit në këtë fundjavë.

Endri ÇINARI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img