Geralb Smajli është një nga lojtarët më të mirë të Vllaznisë. Në sfidën me Tiranën luajti në sulm. Në fund të ndeshjes për “Panorama Sport” ai analizoi takimin me bardheblutë.
Një barazim me Tiranën. Është i kënaqur Smajli me këtë rezultat që morët?
Të them të vërtetën ne u futëm për të fituar ndeshjen e sotme(dje). Ndeshja nuk ishte e mirë për ne, por tani mund të themi se duhet të kënaqemi me një pikë.
Ama skuadra humbi vendin e dytë…
Siç e thashë ne kërkonim tre pikët, por në fund morëm vetëm një pikë. Ky ishte fati ynë. Nuk kishim çfarë të bënim. Provuam gjithçka.
Edhe pse nuk është në dorën tuaj vendi i dytë, cili është qëllimi i Vllaznisë në sfidën me Skënderbeun?
Ndaj Skënderbeut do të futemi në fushën e lojës për të marrë fitoren. Luajmë në shtëpi dhe do të japim maksimumin për të marrë pikët.
Patët një takim me presidentin Xhaferri në dhomat e zhveshjeve. Çfarë ju tha ai?
Presidenti tha që të qetësohemi dhe të vazhdojmë të shohim përpara dhe të jemi të fokusuar te “Final 4”.
Ju jeni në “Final 4” dhe paçka vendit, kjo skuadër mund të fitojë titullin kampion?
Normalisht, përderisa jemi në “Final 4” do të tentojmë që të marrim titullin kampion.
A ka presion skuadra për këtë titull të munguar?
Skuadra nuk ka presion. Jemi larg presionit dhe nuk ndikon. Duke parë gjithashtu se kishim pesë mungesa është normale që në lojën tonë ato ndikuan.