Tuesday, January 7, 2025

(Intervista) Basania, krenari, model dhe histori për Bushatin dhe zonen ku ajo operon! Shimaj: Duhet të jesh si një prind i mirë për të menaxhuar të gjitha situatat që mund të të ndodhin në ekip

Lexo

Basania është ekipi nga Bushati i formuar vetëm katër vite më parë, që militon në Grupin A në Kategorinë e Dytë. Bushati është një qytezë midis Shkodrës dhe Lezhës dhe ka një histori mijëra vjeçare, emri Basania eshte toponimi i vjeter i një qyteti antik në kohën ilire, që në fakt ishte një qytet i rëndësishëm i zonës.

Basania i zhvillon ndeshjet në Bushat në një stadium të vogël, ndërsa financohet perzermesisht nga presidenti Ermir Shimaj. Por pak kush e mendoi që Basania do ishte mes emrave të skuadrave me traditë si: Besëlidhja, Iliria, Sopoti, Naftëtari, Tërbuni, Veleçiku etj, të cilët prej vitesh janë pjesë e kampionatit shqiptar.

Para katër vitesh presidenti Ermir Shimaj i jep jetë sportit në zonën e Bushatit duke mbledhur djem të cilët kishin luajtur dhe luanin futboll aktiv, ekipi e nisi nga Kategoria e Tretë dhe brenda pak vitesh ajo këtë sezon militon në Kategorinë e Dytë.

E pra duke hedhur vështrimin në ekipet e tjera të formuara para shumë e shumë vitesh ka diçka të veçantë në klubin e Basanias sepse korri suksesin brenda pak viteve. kjo edhe për meritë të presidentit Shimaj lojtarëve dhe stafit teknik që bëri të mundur që Basania sot të jetë këtu ku është sot.

Në intervistën e parë të këtij viti të ri, në rrëfimin ekskluziv për portalin Veriu Sport presidenti dhe arkitekti kryesor i Basanias Ermir Shimaj tregon pikërisht atë për çfar Basania u ndërtua, rrëfen udhëtimin në kampionat por pa harruar të ngrej në majat më të larta historikun e vet emrit Basania, lojtarët që përfliten në merkato edhe pse jo me emra konkret, por si gjithmonë nuk harron të falenderoj të gjitha mediat e në veçanti Veriu Sport për atë çfar përcjellë për ndjekësit e saj.

Basania mes disa ndryshimeve në staf dhe lojtarë që përfliten si prurje në merkato, si e gjen Basanian rifillimi i kampionatit?

Së pari,më lejoni që t’ju uroj gëzuar dhe vit të mbarë e të suksesshëm juve të Veriu Sport dhe përmes jush edhe lexuesve tuaj. Basania është shumë falenderuese për ju si media sportive dhe po ashtu edhe ndaj të gjitha mediave të Shkodrës sepse realisht na kanë mbështetur e motivuar, gjej rastin për t’ju falenderuar edhe për këtë mundësi për tu shprehur në këtë fillimviti.

Tani në lidhje me pyetjen e bërë, dihet që sporti është garë dhe gara matet me rezultate, kur rezultatet mungojnë në mënyrë të përsëritur atëherë sigurisht që duhet ndërhyrë për të riparuar çfar nuk funksionon, prandaj edhe janë bërë ndryshimet në staf drejtues dhe në skuadër. Ndryshime të cilat i kemi bërë publike, gjë e cila në fakt duhet theksuar, Basania është mjaft transparente dhe korrekte në komunikimet me publikun si në zhvillimet pozitive po ashtu edhe kur gjërat nuk funksionojnë siç mund të kemi dëshiruar, ne mendojmë se ndjekësit tanë duhet të informohen për zhvillimet tona dhe atë e bëjmë në çdo situatë, pavarësisht se na pëlqen apo jo një situatë e caktuar.

U përfol për një tërheqje nga gara të klubit tuaj Basania, por në fund ndryshuat mendim duke vazhduar garën, çfar ndodhi?

Basania është një zhvillim unik për zonën, e cila është krijuar nga zero, nga hiçi, pra e thënë troç Basania është jo vetëm krijesë pasioni por edhe pjesë e qënies sime që e konsideroj si atë fëmijen që përpiqesh të bësh maksimumin për ta rritur, edukuar dhe kalitur që në rrugëtimin e tij të jetë gjithmonë dinjitoz dhe i suksesshëm.

Normalisht të gjithë e dijmë që futbolli shqiptar ka edhe ato problemet e veta por kur sheh që në momente të caktuara i zoti e jep, e tellalli se jep dhe kur Bishti mendon se peshon më shumë se Sqepari, atëherë sigurisht që në situata të tilla pëson edhe zhgënjime momentale që të çojnë deri tek tradhëtimi i nervave. Ama, tërheqja realisht nuk mund të ndodhte, një prind i mirë nuk duhet e nuk mund ta braktisë fëmijën e tij edhe në momente gabimesh, por duhet ta mar për dore duke e mbështetur të kapërcejë situaten e vështirë dhe ta ndihmojë të futet në rrugen e duhur. Besoj se isha i qartë, kjo është marrëdhenia ime me Basanian dhe ky do të jetë raporti im me të për sa kohë të jem ky që jam.

Jeni parë shpesh duke kontestuar vendimet e arbitrave në ndeshjet e Basanias, sa mendoni se kanë ndikuar ato vendime sipas jush?

Dëshiroj t’ju korigjoj në rastin konkret, ka ndodhur të kontestojmë por jo shpesh. Rastet e kontestueshme kanë qënë jo pak gjatë fazes së parë të këtij edicioni por kishim vendosur që të mos merremi me arbitrat, ama kur këto zhvillime negative bëhen të përsëritura dhe përcaktuese në ecurinë tonë, atëherë normalisht që mbushet kupa dhe nuk mund të qëndrojmë gojëmbyllur. Dijmë të ndajmë gabimet njerëzore që janë të mirëkuptueshme në një ndeshje futbolli, nga gabimet me dashje, prandaj nuk mund të heshtim kur situata të tilla përsëriten e përsëriten. A kanë ndikuar? Po dhe po të madhe madje, kanë ndikuar.

Në fillim të sezonit u mendua që Basania do ishte e renditur në pjesën sipër të tabelës së klasifikimit, por sa reale mendoni se është renditja aktuale në bazë të performancës së Basanias ?

Në pamje të parë keni të drejtë. U bë një punë e madhe përgatitore gjatë gjithë verës dhe para fillimit të kampionatit, por fundi i fazes së parë na gjeti jo aty ku kishim planifikuar dhe kjo erdhi për shkak të mos funksionimit tonë si duhet por edhe për shkak të faktorëve nga jashtë skuadres të cilët i ceka në përgjigjen e mësipërme. Duke i peshuar ndodhitë dhe duke analizuar zhvillimet gjatë fazës së parë mendojmë se meritonim më shumë por asgjë s’ka mbaruar dhe do të përpiqemi të rikuperojmë gjatë pjesës së dytë të kampionatit.

A ka ndryshuar ndonjë gjë në lidhje me objektivin e klubit?

E thashë edhe më lart, mendoj se meritonim më shumë dhe do të përpiqemi të vendosim në vend gjënë e vjedhur. Ama të mos harrojmë, mund të na kenë vjedhur pikët por jo dinjitetin, Basania e ka në gen dinjitetin dhe kështu dinjitoze do të jetë gjithmonë dhe do të luftojë fort deri në fund kundër çdo kundërshtari.

Duke qenë në merkaton e janarit perflitet për afrimin e dy lojtarëve, por cili është fokusi juaj si për këtë merkato duke qenë se dhe lëvizjet janë me pikatore?

Nuk e di nga e keni marrë informacionin, por afrimet do të jenë mjaft më shumë se dy lojtarë.

Fusha e Basanias në gjendje jo fortë të mirë, sidomos në periudhën e dimrit por a ka ndikuar kjo gjendje dhe në lojën e skuadrës? A ka ndonjë plan të paktën për rikonstruksionin e tapetit të fushës?

Fusha sportive e Basanias në Bushat ku edhe operojmë, ka mjaft nevoja për tu përmirësuar, ju keni të drejtë që e ngreni si shqetësim sepse nuk e dini se si ka qënë para krijimit të Basanias, ama fakti që ajo fushë sportive tani është e licensuar për të zhvilluar ndeshje të kampionatit kombëtar të Kategorisë së Dytë dhe i plotëson të gjitha kushtet e kërkuara, kjo nuk është arritje e vogël në raport me çka qënë. Gjithçka aty, është bërë me fondet tona dhe të dashamirësve të Basanias pjesë e komunitetit të zonës së Bushatit dhe nga askush tjetër, e kjo nuk është pak. Terreni sportiv ku zhvillojmë ndeshjet mbetet ndër terrenet e mira sidomos në kohë dimri kur edhe luhen shumica e ndeshjeve të kampionatit sepse përballon mjaft mirë reshjet normale, sigurisht pastaj reshjet e dendura gjatë një ndeshjeje krijojnë probleme edhe në impiante më kualitative se sa fusha jonë, ndaj është e kuptueshme gjendja në situata të tilla. Por,sigurisht që së bashku me objektivat e skuadrës për tu ngjitur një kategori më lart, paralelisht do të bëjmë gjithçka që të duhet dhe të jetë e mundur që edhe Fusha Sportive e Bushatit të plotësojë kriteret dhe të mbetet shtëpia jonë e zhvillimit të ndeshjeve sepse për ne komuniteti i zonës dhe sportdashësit që na ndjekin janë të shenjtë, ndaj dua të jemi gjithmonë sa më afër tyre dhe ata/ato ta kenë Basanian gjithmonë pjesë të jetës dhe përditshmërisë së tyre duke e pasur sa më afër, sepse në të vërtetë Basania ka lindur për të qënë pasuri dhe pasqyrë dinjitoze e përfaqësimit dhe e promovimit të vlerave më të mira të Bushatit, ndaj e kemi jetike lidhjen me vendin dhe zonën.

Dhe e fundit në lidhje me lojtarët që priten, a mund të na zbulosh emrat e futbollistëve apo janë në tratativa dhe ende nuk është mbyllur asgjë?

Basania kurrë, asnjëherë se ka bërë dhe nuk do ta bëjë që të përmend emra pa qënë të mbyllura bisedimet dhe të konkretizohen me regjistrimet në sistem të lojtarëve, thënë këtë mos më kërkoni emra konkret por dua t’ju siguroj se po punohet shumë dhe do të kemi mjaft zhvillime pozitive për t’ju prezantuar në kohen e duhur edhe në këtë drejtim. Shpresoj të kem qënë i qartë dhe i hapur në përgjigjet e pyetjeve tuaja, dhe dëshiroj edhe njëherë t’ju falenderoj për interesimin rreth zhvillimeve të Basanias.

Intervistoi: Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img