Ndonëse janë në dy pozicione të ndryshme, Vllaznia në Superiore dhe në kulmin e përgatitjeve dhe Tërbuni i kategorisë së parë sapo e ka filluar fazën përgatitore, pukjanët janë prezantuar dinjitoz në miqësoren e sotme në “Loro Boriçi”, sidomos me pjesën e parë duke luajtur si të barabartë me kuqeblutë. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri shkodran i pukjanëve, Elvin Beqiri shprehet i kënaqur me skuadrën e tij, ndërkohë që premton një fazë të dytë po aq cilësore ashtu si ajo e pjesës së parë të kampionatit.
Profesor Beqiri, një miqësore në Shkodër me Vllazninë padyshim një përballje luksi për ju.
“Sigurisht, të luash në Shkodër gjithmonë është kënaqësi dhe ne e kishim këtë privilegj si ekip i kategorisë së parë. Në fakt, na erdhi disi e papritur kjo miqësore, duke pasë parasysh që Vllaznia e anuloi miqësoren që kishte planifikuar me Prishtinen. Është gjithmonë kënaqësi dhe luks të luash një ndeshje të tillë dhe neve na vlejti shumë kjo ndeshje.
Një pjesë e parë shumë e mirë për Tërbunin, duhet ta pranojmë një gjë të tillë.
Sigurisht, kjo vjen edhe nga një pjesë e mirë e fazës së parë që kemi pasur duke u pozicionuar në një vend komod mes më të mirëve të kampionatit. Dhe, si rrjedhoj edhe pjesa e parë e miqësores me Vllazninë ishte mjaft e mirë për ne. Por, gjithësesi duhet të kemi parasysh se ekipi ndodhet në një moment që sapo ka nisur fazën përgatitore ku edhe ngarkesat fizike për shumë futbollistëve kanë qënë të pranishme. Kuptohet na duhet të përmirësojmë shumë në skuadër dhe për këtë shpresojmë se deri me datë 22 janar që kemi ndeshjen e parë ekipi të jetë në 100 përqindëshin e formës së duhur sportive.
Objektivat e Tëbunit për pjesën e dytë të sezonit?
Objektivat tona nuk ndryshojnë, ashtu siç e kemi thënë edhe në fillim. Jemi në një pozicion të mirë në tabelën e klasifikimit, nuk kemi pretendime për të dalë në Superligë. Duke pasë parasysh se kemi bërë një fazë të mirë të kampionatit, shpresojmë të bëjmë mirë edhe në fazën e dytë, dhe në vijim nëse ecim në këtë rrugë të mbarë, pse të mos pretendojmë.
Ka pasur komente të shumta në lidhje me huazimet të futbollistëve të rinj shkodranë tek Tërbuni në merkaton e janarit. Fjala është konkretisht për Uheid Hoxhën dhe Erando Deden?
Kemi bërë edhe në vere një fazë seleksionimi me lojtarë nga Shkodra, disa kemi përzgjedhë, ato që janë përshtat më shumë. Kënaqësia është e madhe që të kemi sa më shumë lojtarë cilësorë, sidomos edhe nga Shkodra, pasi këtu lojtarët cilësorë janë me shumicë. Gjithësesi, kjo mbetet për tu parë, merkato mbetet e hapur deri me datë 31 janar, kështu që gjithçka është e mundur.