(Intervista) Borshi: Vllaznia, pa diskutim ka potencialin për të fituar të dy trofetë. Ish futbollisti dhe ish zv.trajneri, këshilla futbollistëve mos ndalojnë së besuari në potencialin e tyre

Ferid Borshi, një nga emrat e njohur të Vllaznisë së viteve 80-të, së fundmi ka folur në një intervistë për “Panorama Sport”. Në fjalët e tij, ish-kampioni i vendit me kuqeblutë ka komentuar fitoren e fundit ndaj Dinamos.

Në analizën e tij, ai ndalet edhe tek ajo se çfarë duhet të tregojë skuadra në ndeshjet e radhës e po ashtu shpresat e mëdha që ka për fitimin e titullit kampion.

Profesor Borshi, një fitore me Dinamon që lë një shije të mirë më në fund apo jo?

Po, patjetër që lë një shije të mirë sepse vjen pas një periudhe jo të lehtë për ekipin. Ishte një ndeshje ku Vllaznia tregoi dëshirë, grintë dhe karakter. Kjo fitore ndaj Dinamos nuk janë vetëm 3 pikët, por edhe një sinjal pozitiv që skuadra mund të rikthehet aty ku i takon: në majat e futbollit shqiptar dhe të pretendojë deri në fund.

U duk një tjetër lojë e ekipit në këtë duel të fundit…

E vërtetë, sepse lojtarët ishin më të vendosur, më agresivë në presion dhe me një qarkullim topi më të mirë. Vllaznia tregoi karakter dhe dëshirë, ku besoj se kjo u duk qartazi në fushën e lojës. Ajo që vlen të theksohet se ndaj skuadrave të forta, të “Final 4”, ekipi ka shfaqur gjithmonë nivel, duke paraqitur lojëra dominuese dhe bindur. Kjo tregon se skuadra ka potencial, por duhet të gjejë vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë në lojë.

Pra, të kenë një ekuilibër. Pra, ekipi ka aftësi për të sulmuar dhe dominuar lojën edhe ndaj kundërshtarëve të fortë?

Padyshim që po. Kemi parë lojëra të mira nga ekipi disa herë këtë sezon dhe e theksoj sidomos ndaj kundërshtarëve direkt. Me një qasje të duhur, skuadra ka mundësi të rivalizojë me çdo kundërshtar. Pavarësisht forcës së tyre, sepse Vllaznia i ka kualitetet dhe këtë duhet ta dëshmojë çdo herë.

Sa pozitive është që mbrojtja nuk pësoi dhe sulmuesit u zhbllokuan?

Shumë pozitive, pasi mbrojtja që nuk pëson tregon se ekipi është i mirë organizuar dhe ka kontroll mbi kundër sulmet. Zhbllokimi i sulmueseve është gjithashtu i rëndësishëm, sepse tregon që skuadra ka gjetur mënyra për të krijuar mundësi për të shënuar. Megjithatë, nuk duhet harruar fakti se Vllaznia ka sulmin më të mirë në kampionat. Ky balancim mes mbrojtjes dhe sulmit është thelbësor për të ruajtur rezultatet pozitive, por edhe për të pasur suksese në vazhdimësi.

A është e aftë kjo Vllazni për fitimin e dy trofeve?

Pa diskutim që ky ekip ka potencialin për të fituar të dy trofetë. Duke parë rezultatet e deritanishme pavarësisht uljeve dhe ngritjeve që janë të zakonshme për çdo ekip, skuadra ka treguar personalitet. Me një formë të qëndrueshme dhe me shumë përqendrim, ka mundësi të konkurrojë për tituj. Por duhet vazhdimësi e këtyre performancave për të ruajtur shanset për të dy trofetë.

Cilin trofe do preferoje mes kupës dhe kampionatit, nëse duhet të zgjedhësh?

Nëse duhet të zgjedh, do të ishte kampionati, duke pasur parasysh që titulli i fundit është në vitin 2001. Fitimi i kampionatit do të ishte një rikthim i merituar në majat e futbollit shqiptar. Natyrisht edhe kupa mbetet e rëndësishme, por kampionati mbetet më i vlefshëm si një tregues i qëndrueshmërisë dhe dominimit gjatë sezonit. Në qoftë se fitohen të dy trofetë do ishte një sukses edhe më i madh.

Një parashikim apo mendim për ndeshjen e radhës me Elbasanin?

Mendoj se një sukses i mundshëm ndaj Elbasanit do të ishte thelbësor, pasi Vllaznia mund t’i afrohet vendit të parë e po ashtu të sigurojë vendin e dytë. Me performancën e treguar ndaj Dinamos, skuadra të jep besim se mund t’ia dalë sërish edhe në ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit.

Si ish-kampion, si ish-futbollist dhe trajner, një këshillë për futbollistët në këto momente ku ndodhen?

Këshilla ime për futbollistët është të mos ndalojnë së besuari në potencialin e tyre. Edhe në momentet më të vështira të jenë të bashkuar, duke ruajtur harmoninë. Ky është një sezon i rëndësishëm dhe çdo hap i vogël përpara llogaritet. Ata duhet të përqendrohen tek ekipi dhe të punojnë fort për të arritur objektivat, sepse titujt nuk fitohen vetëm me talent, por me shumë përkushtim. Të ruajnë mentalitetin e fituesit dhe të mos harrojnë se çdo ndeshje është mundësia për të treguar veten.

Endri ÇINARI

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu