Ish futbollisti kampion me kuqeblutë, Edmond Doçi analizon situatën te Vllaznia. Duke folur për Panorama Sport, ai është i mendimit se në kampin shkodran kanë gabuar në merkato, ndërsa në qendër të mbrojtjes skuadra po shfaq shumë probleme, aq sa nuk arrin të mbyllë ndeshjet pa pësuar gol, teksa e shikon shumë të vakët të ardhmen e skuadrës në këtë sezon.
Si e keni parë Vllazninë e këtyre javëve?
Vllaznia bëri një nisje të mirë të kampionatit, por tani u bënë disa ndeshje që nuk po merr pikë ato që edhe vlejnë më shumë për një ekip. Skuadra duhet të jetë më e përqendruar sepse ndeshja është 90 plus minutat shtesë e duhet të jetë e kujdesshme në çdo moment të lojës. Kjo i ka munguar kësaj skuadre.
Humbja me Tiranën e rëndon situatën?
Humbja e Tiranës nuk është se duhet marrë me negativitet se ndeshja ishte e barabartë për të dyja ekipet, sepse të dyja skuadrat patën rastet e tyre për ta fituar ndeshjen. Unë e shpreha edhe më sipër, që ekipi duhet të jetë deri në fund të lojës i përqendruar për marrjen e rezultatit.
Çfarë nuk po shkon?
Unë mendoj që mbrojtja e Vllaznisë, sidomos qendra e mbrojtjes nuk ka sigurinë e duhur si në nisjen e aksioneve po ashtu edhe në mbylljen e rrezikut nga kundërshtari. Po shohim, që këtë vit Vllaznia e ka të vështirë ta mbyllë ndeshjen pa pësuar gol.
Po ndikojnë dëmtimet te këto paraqitje?
Dëmtimet gjithmonë ndikojnë, por një skuadër gjithmonë ndërtohet për t’u paraprirë situatave të tilla. Nuk duhet marrë si alibi.
Mendoni se është gabuar në merkato, ku disa të ardhur janë jashtë planeve, apo të dëmtuar?
Mendoj që lojtarët e afruar këtë verë nuk e justifikojnë veshjen e fanellës së Vllaznisë. Përveç Krymit dhe Grudës, të tjerët po shikojmë që nuk aktivizohen dhe nuk janë ato që prisnin të gjithë.
Si e shikoni të ardhmen dhe ku duhet ndryshuar?
Të ardhmen nuk e shoh krejt të vakët, sepse ekipi ka grintë, por e kam shprehur edhe më përpara që duhet përqendrohet dhe të kalojë edhe në cilësi, ashtu si i takon Vllaznisë. Sa për ndryshim i bëj thirrje presidentit që të shohë dy-tre lojtarë tek akademia dhe t’i mbështesin me forcë dhe t’i japin hapësira sepse do të jetë në të mirën e klubit. Dhe tifozët do të kënaqen më shumë kur shohin, duke aktivizuar djem të rinj shkodranë që dinë të luajnë futboll dhe japin çdo gjë për këtë fanellë.
Admir URUÇI