(Intervista-Video) Emocionet e Çesk Ndojës në 76 vjetorin e lindjes. Ish futbollisti kampion me Vllazninë, kujton momentet më të bukura të karrieres sportive me skuadrën kuqeblu

14 shkurti është një festë popullore tradicionale për të dashuruarit. Por, për Çesk Ndojën, ish futbollistin kampion me Vllazninë e viteve 70-të, kjo datë është e shënuar, sepse është dita e lindjes së tij.

Simpatiku i Vllaznisë, siç e kanë quajtur vazhdimisht, në Shkodër dhe më gjërë, ka mbi 30-të vite që jeton jashtë vendit me familjen e tij duke preferuar Gjermaninë, edhe si tifoz i kombëtares së futbollit të këtij vendi.

Por, për të festuar ditëlindjen e 76-të të tij, Çesku ka zgjedhur Shkodrën, ndaj 14 shkurtin e përvjetorit të rëndësishëm të lindjes së tij, ai e kaloi mes miqve të tij të sportit dhe më gjërë, pjesë e të cilëve ishte edhe nipi i tij Salvator Kurti, ish basketbollisti i njohur dhe sot pedagogu i Universitetit të Sporteve në Tiranë.

Një përvjetor që kaloi në mënyrën më të mirë, për të dhe shoqërinë e tij, ku kryefjala e tavolinës së drekës festive ishin padyshim kujtime rreth karrieres sportive të Çesk Ndojës. Një pjesë e të cilave, vetë Çesku i ndau edhe në prononcimin e dhënë për  Veriu Sport.

Dhe, pikë së pari, e nisi me kujtimet e Spartakiadës së Pionierëve që aso kohe zhvilloheshin në Durrës, aty ku ai ishte së bashku me Sabah Bizin, me të cilin do të kishte fatin të bashkohej tek Vllaznia e madhe pas të studimeve të kryera në Tiranë.

Madje, duke shprehur keqardhjen e madhe të ndarjes nga jeta të ish kolegut të fushës dhe mikut të familjes së tij, Çesku sjell në vemendje edhe një fakt tjetër, që në një farë mënyrë, nuk është shumë në dijeni për opinionin sportiv. “Kur përfundova studimet në Tiranë, Ministria më emëroi në Pukë, por me ndërhyrjen personale të Sabah Bizit pranë strukturave të qeverisjes vendore, më mbajtën në Shkodër duke u bashkuar me Vllazninë e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Xhevdet Shaqiri”,-kujton  Çesku.

Më tej, duke vijuar të rrëfejë një pjesë të kujtimeve rreth karrieres së tij sportive, Çesku nuk harron të përmendë edhe një fakt tjetër, atë të përkujdesjes ndaj tij kur kryente studimet në Tiranë të një emri tjetër të madh, si Fatmir Frashëri, ndaj të cilit ruan respekt të madh.

Sa i takon Vllaznisë, natyrshëm që kulmi i suksesit të tij është vitit 1972, kur Çesk Ndoja është titullar i formacionit kuqeblu në fitimin e dy trofeve të sezonit, Kupa dhe kampionat, si dhe të sukseseve të tjera të kësaj periudhe.

Pjesë e kujtimeve të tij, është edhe famijla, ku krahas Çeskut, njëra prej motrave të mia, Rexhina, është marrë me atletikë nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur, Feti Dizdari, dhe ka dalë dy herë Kampione e Shqipnisë në garën 400 metra dhe në hedhjen e Diskut. Ndërkohë, gjatë periudhës që jetojnë në Gjermani, djali i tij, Zhani, është aktizuar me futbollin duke pasur disa suksese me ekipe të ndryshme, pa lënë në harresë edhe mbesen e tij, vajzën e vajzës së tij, Kjara, e cila është pjesë e sportit të tenisit, një kampione 15 vjeçare, e cila konsiderohet si një talente e padiskutueshme e këtij sporti.

(Video) Intervisten e plotë me ish futbollistin kampion të Vllaznisë, Çesk Ndoja, në ditën e festimit të 76 vjetorit të lindjes së tij, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Intervistoi: Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu