Erjon Hoti, ish-futbollist i Vllaznisë ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Në analizën e tij ai ndalet veçanërisht tek ndeshja e fundit e kuqebluve ndaj Egnatias, ku thotë se ndoshta ekipi duhej të kishte tentuar për diçka më tepër se barazimi. Megjithatë shkodrani e shikon në rrugën skuadrën e drejtuar nga Martini, ku beson se ky është viti i duhur për të kthyer titullin në Shkodër. Teksa ish-kampioni i vendit ndan edhe një mendim për ndeshjen e kësaj jave të shkodranëve përballë Dinamos.
Vllaznia vetëm një barazim së fundmi në kampionat, i kënaqur që vjen ndaj një rivali si Egnatia?
Po të më ishte bërë kjo pyetje para ndeshjes, do të isha i kënaqur me një barazim në fushën e Egnatias, duke qenë se është një kundërshtar i fortë. Por, duke parë si rrodhën ngjarjet gjatë lojës, mendoj se humbëm dy pikë të rëndësishme. Duhej të kishim guxuar më shumë në momente kyçe. Ekipi më është dukur disi i tërhequr dhe i pasigurt, sikur nuk besonte plotësisht se mund të fitonte në atë transfertë.
Mund të kishte bërë diçka ndryshe skuadra gjatë lojës?
Patjetër që po. Skuadra duhej të tentonte më shumë, sepse ishte një mundësi shumë e mirë për të marrë maksimumin. Përveç avantazhit numerik në fushë, duhej të shfrytëzonim edhe nervozizmin e kundërshtarit. Megjithatë, siç e përmenda edhe më sipër, mungoi besimi për të fituar dhe u duk sikur prioritet ishte të mos humbnim, më shumë sesa të kërkonim fitoren.
Çfarë mund të na dhurojë diçka ose duhet të japë Vllaznia më tepër tashmë?
E vetmja gjë që duhet të ndryshojë ekipi është të rrisë ritmin dhe intensitetin në lojë, pra të “fusë marshin e fundit”. Duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje, pasi gara po bëhet gjithnjë e më e fortë dhe më konkurruese. Në disa ndeshje më duket se skuadra është shumë e ftohtë në situata vendimtare. Shkojmë përpara portës sikur jemi në stërvitje dhe nuk reagojmë si duhet kur humbasim raste. Po ashtu, edhe në mbrojtje tregojmë neglizhencë në zonë dhe në markim. Besoj se ekipi e ka kuptuar tashmë që ka një trajner shumë të mirë në drejtim dhe përbëhet nga lojtarë me cilësi të larta, ndoshta ndër më të mirët në kampionat.
Do ndikojnë ndalesat e futbollistëve tek performanca e ekipit?
Dëmtimi i Kastratit është shqetësues në këtë moment, sidomos duke pasur parasysh formën shumë të mirë që ai po kalonte. Megjithatë, më jep optimizëm fakti që zëvendësuesi i tij nuk është një lojtar me më pak vlera, siç është Dodaj. Mendoj se ai duhet të angazhohet edhe më shumë në javët në vijim për të treguar potencialin dhe për të dhënë kontributin e tij maksimal për ekipin.
Janë “finale” të gjitha ndeshjet për kuqeblutë?
Normalisht, duke iu afruar fundit të sezonit, çdo ndeshje bëhet më e vështirë dhe më e rëndësishme. Megjithatë, ne ia kemi vështirësuar vetes situatën duke humbur gjashtë pikë ndaj Bylisit dhe Flamurtarit, që janë të pafalshme për objektivat që kemi. Shpresoj që këto gabime të mos na penalizojnë në fund, sepse në gara të tilla çdo pikë ka peshë të madhe.
Viti i duhur për të rikthyer titullin?
Patjetër që besoj më shumë se kurrë te titulli kampion këtë vit. Nuk është vetëm dëshirë personale si shkodran, por edhe bindje duke parë cilësinë e ekipit. Nuk shoh asnjë skuadër më të mirë se ne në këtë moment. E vetmja shqetësim mbetet luhatja që tregojmë ndaj ekipeve më të dobëta në letër. Megjithatë, jam i sigurt se këtë vit kemi një grup të uritur për sukses dhe të gjithë janë të motivuar për ta arritur këtë objektiv madhor.
Dinamo kësaj jave në Shkodër ndaj Vllaznisë, si e parashikon?
Dinamo po kalon një moment jo shumë të mirë, por nuk duhet harruar se është një ekip me cilësi dhe duhet vlerësuar maksimalisht. Megjithatë, për ne kjo është një ndeshje që duhet fituar patjetër. Duke parë formën dhe përbërjen e skuadrës sonë, jam i bindur se kemi më shumë potencial dhe besoj se do të arrijmë të marrim fitoren në këtë përballje të rëndësishme.
Endri ÇINARI


