Thursday, February 12, 2026

(Intervista) Ferid Borshi pret një dopietë nga Vllaznia, ashtu si në 72-shin kur fitonte Kupë dhe Kampionat. Ish futbollisti dhe trajneri kuqeblu: Edi Martini ka skuadrën më cilësore në kampionat!

Lexo

- Reklamë -spot_img

Ferid Borshi, një nga emrat e njohur të Vllaznisë ndër vite së fundmi ka folur në mënyrë ekskluzive për “Panorama Sport”. Shkodrani është ndalur tek fitorja e fundit e kuqebluve në kupë kundër Bylisit, duke e cilësuar si bindëse. Për faktin se skuadra nuk kishte në përbërje pjesën më të madhe të titullarëve të saj. Ndër të tjera 69-vjeçari ndalet edhe te ecuria që kanë pasur 9 herë kampionët e vendit deri më tani në kampionat, duke theksuar se sipas tij ata janë skuadra më cilësore në kampionat.

Ndërsa shpreson që ky të jetë sezoni i duhur që Vllaznia pse jo të realizojë edhe një dopietë trofesh. Teksa ka një thirrje edhe për tifozerinë në prag të ndeshjes me Elbasanin që përkon edhe me 107 vjetorin e klubit, për ta shndërruar në një festë ditën e dielë në “Loro Boriçi”.

Profesor, një Vllazni sërish fituese me Bylisin në kupë, bindin totalisht tashmë kuqeblutë apo jo?

Absolutisht që po, pasi ekipi po konfirmohet nga java në javë dhe nga kundërshtari në kundërshtar. Duke mos njohur fushë ku luan apo edhe kompeticion, ku po ashtu po vlerëson çdo situatë. Dhe besoj se kjo është edhe arsyeja kryesore që ekipi po ecën kaq pozitivisht dhe po bind tashmë. Mendoj se Vllaznia tashmë duhet të dijë të mbajë këtë ritëm, të ruajë forcat dhe menaxhojë situatat me qetësi. Po ashtu them se kjo fitore e fundit në kupë ndaj Bylisit ka vlera akoma edhe më të mëdha seç duket në pamje të parë.

Çfarë ia shton vlerën më tepër kësaj fitoreje?

Them se ia shton fakti se Vllaznia ndoshta luajti me ato që zakonisht quhen linjat e dyta. Në një fushë të vështirë si ajo e Ballshit, me një ekip që luan futboll të mirë për mendimin tim si Bylis, shkodranët ia dolën pa shumicën e titullarëve të zakonshëm. Kjo tregon se ekipi ka shumë opsione, për trajnerin ka mundësi zgjedhjeje dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është se nuk ndryshon as stili i lojës dhe as cilësia nuk bie. Prandaj është një ekip me potencë dhe po ashtu i mbuluar dhe dubluar në çdo pozicion. Kjo është një meritë që shkon për stafin drejtues e po ashtu teknik që kanë ndërtuar një ekip për të përballuar sezonin e gjatë.

Si ka ndryshuar dhe përmirësuar ekipi në këto javë?

E thashë që ekipi ka pasur cilësi që në startin e kampionatit dhe futbollistët janë ndër më të spikaturit në kampionat. Por, ajo që më mbush me optimizëm është fakti që në skuadër është ngulitur ai mentaliteti shkodran. I sjellë nga një dyshe Martini-Sinani që dinë çfarë është Vllaznia dhe historia e tyre me kuqeblutë e tregon qartazi këtë. Prandaj e them se vetëm me shkodranë, Vllaznia shkon drejt fitoreve dhe sukseseve të mëdha. Një qasje që s’duhet të ndryshojë për asnjë arsye deri në vërshëllimën e fundit të kampionatit pasi ata që kanë mbajtur veshur atë fanellë e dinë që Vllaznia në çdo ndeshje hy në fushë për fitore.

Kë do cilësoje si rivalët më të fortë të shkodranëve?

Katërshja e parë do rivalizojë deri në fund për fitimin e kampionatit. Ndoshta tashmë edhe Partizani mund të futet në garë për katërshen, megjithëse i shoh disi më pas. Në opinionin tim dhe nga ndeshje që kam parë Elbasani dhe Egnatia janë rivalët më të fortë të Vllaznisë. Edhe Dinamo ka një ekip simpatik e trajner ekspert, por ata duket sikur kanë dalë pak nga “rruga” për titullin kampion. Por, deri në fund ende ka javë dhe mund të ketë edhe ndonjë lëvizje në tabelën klasifikimit.

Është mbrojtja tani pika më e fortë e skuadrës?

Mbrojtja fiton titujt është një shprehje e famshme, prandaj është një pikë që duhet pasur kujdes gjithmonë. Vllaznia ndoshta kishte probleme në pjesën e parë të sezonit në prapavijë, por nga janari duket se gjithçka ka ndryshuar. Skuadra i ka analizuar gabimet dhe ajo që është më e rëndësishmja është se i ka përmirësuar dhe thuajse eliminuar ato. E tregojnë edhe statistikat ku ekipi nuk ka pësuar gol prej 7 ndeshjesh radhazi në vitin 2026. Kjo shkon si meritë e veçantë e portierit Pohls dhe po ashtu repartit të mbrojtjes në veçanti. Por, edhe e gjithë skuadrës në përgjithësi, pasi skuadra mbron dhe sulmon e gjitha bashkë. Kështu po funksionon edhe Vllaznia, si një “trup” i vetëm, që është e bashkuar në çdo situatë.

Kush janë sipas teje futbollistët më të spikatur?

Shiko, çdo ekip i madh ka individë që bëjnë diferencën. Ndoshta nuk do doja të përmendja emra të përveçëm pasi për mua të gjithë kanë dhënë maksimumin. Për mua futbollistët e Vllaznisë kanë ardhur të gjithë në një rritje forme dhe në fushë s’ka mangësi kur dikush mungon si shkak dëmtimesh apo pezullimesh. Prandaj është ekipi ai që po shkëlqen i gjithi dhe të veçantët duhet të vlerësohen vetëm në fundin e edicionit. Nëse e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet apo jo.

Sa beson se ky do jetë sezoni që titulli të rikthehet në Shkodër?

E besoj shumë diçka të tillë, po e thonë shumë vetë që ka ardhur momenti dhe viti i duhur. Nuk bëj përjashtim as unë nga ky refren sepse me të vërtetë më duket se janë pjekur kushtet që ekipi të rikthejë titullin kampion. Pse jo të realizojë edhe një dopietë trofesh si në vitin 1972, ku ekipi fitoi kampionatin e kupën. Skuadra është në garë në të dy kompeticionet, në formë e ka cilësi. Kjo garanton për ecuri pozitive deri në fund dhe unë e shpresoj e dua Vllazninë kampione. Kanë kaluar shumë vite e kjo skuadër e ky qytet nuk është mësuar të presë kaq gjatë, është momenti e viti i duhur.

Fundjava i gjen kuqeblutë përballë një rivali direkt si Elbasani, si e analizon një duel të tillë?

Këtu do kisha një thirrje për tifozët, të mbushin shkallët e “Loro Boriçit”. Sepse do ketë edhe një organizim që përkon me 107 vjetorin e klubit, prandaj ajo ndeshje të kthehet fillimisht në një festë. Ngaqë do jetë përvjetori i skuadrës më të vjetër në vendin tonë dhe asaj që ka sjellë futbollin në Shqipëri. Për ndeshjen do thoja që është shumë e fortë ndaj një rivali të mirë përgatitur. Por, besoj se Vllaznia ia del me sukses dhe nuk ndalet në rrugën e fitoreve, sidomos me duelin që zhvillohet në Shkodër e me mbështetësit e “zjarrtë” në krahun e skuadrës kuqeblu.

Endri ÇINARI 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img