Pasditen e së shtunës së 2 tetorit 2021 ka pasur festë në Koplik, pasi Veleçiku vendas që përfaqëson Malësinë e Madhe ka mundur KF Murlani me rezultatin 2 me 1. Duke qënë një përballje e derbit shkodran, sfida në fjalë është ndjekur me interes nga një numër i madh tifozësh të të dyja skuadrave kundërshtare. Dibra në të 15-tën minutë dhe Banushaj në të 21-tën janë autorët e golave të Veleçikut, ndërkohë që për Murlanin, golin e vetëm e shënon Çokaj në të 58-tën minutë.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri i Veleçikut, edhe pse e fitoi takimin, Haris Lika, shfaqet pjesërisht i kënaqur me atë çfar dha skuadra e tij në fushën e lojës. Por, sidoqoftë, Lika e shikon Veleçikun skuadrën pretendente për kualifikimin në kategorinë e parë të futbollit shqiptar.
Profesor Lika, tre javë kampionat, dy fitore, i kënaqur me këtë start kampionati?
Jo plotësisht i kënaqur, pasi një ekip pretendent duhet të jetë me pikë të plota. Sidoqoftë, është vetem fillimi i një rrugëtimi të gjatë.
Padyshim, që ballafaqimi i sotëm ishte emocionues, pasi kishim të bënim me një derbin shkodran duke pasur përballë KF Murlani, që realisht meriton respekt për punën perfekte me vetëm një vitë formim.
Sigurisht që meriton respect, dhe ne ashtu bëmë, e respektuam duke e marrë shumë seriozisht këtë derbi duke ditë që Murlani ka lojtar të mirë në organiken e saj pamvarsisht viteve si ekip ekzistues.
Ku ishin pikat më të forta të skuadrës tuaj në këtë ndeshje?
Pika më e fortë që do jetë gjithmonë, grupi dhe mentaliteti fitues që kam injektuar në to. Sado që kemi djem me eksperience të madhe, po nuk ishim të bashkuar e të bindur për të arritur objektivat e klubit, vetem asnjëri nuk arrin asgjë.
Ka filluar skuadra të marrë fizionominë e asaj që ju kërkoni si trajner?
Jemi në proçes e sipër. Normalisht, deri më tani jam i kënaqur që grupi më përgjigjet në direksionet e mija, por është fillimi dhe kemi punë të madhe përpara për të bërë.
Ky është sezoni i parë që drejtoni një skuadër të parë, pasi më herët keni drejtuar ekipe moshash deri tek kategoria U-19, ka diferencë në vështirësi në punën tuaj?
Po realisht, ka shumë difenca ndërmjet grupmoshave dhe ekipit të parë. Ajo që përngjason deri diku janë vetem ngarkesat fizike në seancat stervitore, por menaxhimi i faktorit të jashtëm, përgjegjësia para një qyteti sportdashës, administrimi dhe komunikimi me lojtarët me “peshe” janë totalisht ndryshe.
Duket se këtë sezon, meqë edhe ndeshjet po i zhvilloni në fushën tuaj të Koplikut, tifozëria do të jetë një aleat i fortë në mbështetjen e skuadrës.
Qyteti i Koplikut, në mungesë të kinemave dhe teatrove, futbollin ka. E dojnë dhe e ndjekinn shumë. Më bëhet qejfi që kemi rikthy tifozërinë në stadium mbas një viti të vështirë që kaluam dhe besoj e shpresoj që nuk do i zhgënjejmë.
Me aq sa keni parë në këto tre javë kampionat, e shikoni mundësinë e Veleçikut për t’u ngjitur në kategorinë e parë, dhe cilen prej skuadrave shikoni si rival më të fortë?
Pa diskumin që objektivat i kemi të qarta, ngritje në kategorinë e parë. Kampionati ka rivalitet, por ne jemi gati të përballemi me këdo. Meqë tashti nuk kishim shumë kohë, por besoj në janar do hymë përsëri në merkato me lojtarë cilësorë. Rival deri më tani shoh Elbasanin dhe Gramshin.
Ndeshjet e kombëtares kuqezi, shoqërohen me ndërprerjen e kampionatit, një mundësi kjo më tepër për ta shfrytëzuar pasi realisht e keni filluar punën me shumë vonesë në krye të skuadrës koplikase?
Kam hartuar një mini fazë përgatitore për ta shfrytëzuar këtë mundësi në mënyrë që të rrisim gjendjen fizike dhe të përmirësojme anën taktike.