Në ndeshjen e kaluar ndaj durrsakëve luajtur në “Loro Boriçi”, kuksiani i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi shënoi një supergol. Ishte pikërisht goli i katërt, i cili erdhi në një moment kur rezultati ishte 3-2 për Vllazninë dhe që miqtë po kërkonin të barazonin, dhe realisht i dha qetësinë skuadrës kuqeblu. Për emocionet e këtij goli, por edhe për pragndeshjen, Partizani-Vllaznia, sfidë që luhet të shtunën në “Air Albania” për Javën e 21-të të Superiores, bën fjalë edhe intervista që Fjoart Jonuzi dha për Veriu Sport.
Fjor, ta fillojmë nga ndeshja e kaluar, me atë supergol që i shënuat Teutës në “Loro Boriçi”
Normalisht që jam shumë i kënaqur, sepse ishte edhe një gol i bukur, pak a shumë fotokopjo si ai kundër Dinamos, por realisht pak më i vështirë sepse, fillimisht u përplas në tokë dhe unë e kapa dyshe duke e dërguar në rrjetë. Jam i lumtur, sepse ishim edhe në një ngërç, nga 3-0 për ne Teuta e ngushtoi në 3-2, duke e ndërlikuar pak lojën dhe me atë gol them se u qetësuam, si dhe mendoj se ishte një tre pikësh shumë me vlerë për ne.
Pa u larguar nga goli që i shënuat durrsakëve që për nga mënyra e realizmit ishte identik si ai ndaj Dinamos po në “Loro Boriçi”. Në opinionin sportiv po flitet, që Jonuzi ia ka marë dorën këtyre goditjeve “avolio” duke qënë nuhatës në kapjen e topave të dytë që kthehen nga porta kundërshtare.
Në fakt, në të gjitha goditjet e këndit, apo edhe të dënimit që vijnë me krosime në zonë, unë gjithmonë rri në atë pozicionin për topat e kthyer. Kështu, që edhe në stervitje e kemi bërë këtë pjesë teknike dhe taktike, dhe mund të them që jam shumë i lumtur për këto dy gola, jo vetëm se ishin perfekt për nga ana e realizimit, por edhe gola me vlerë për ekipin që shpresojmë të kemi edhe të tjerë në vazhdimësi.
Të kalojmë tek pragndeshja e fundjavës me Partizanin. Padyshim që fitorja ndaj kampionëve të Teutës ka ndikuar në atmosferen e skuadrës.
Po, normalisht, sepse Teuta e kam thënë edhe përpara ndeshjes, që edhe pse është në një pikë sezoni jo shumë të mirë, është një ekip cinik që mund të shënojë ashtu siç edhe na shënoi dy gola. Kështu që ishin tre pikë shumë të vlefshme duke rikthyer edhe atmosferen e mirë në ekip dhe në prag të ndeshjes me Partizanin jemi optimist që do të marrim maksimumin në këtë ndeshje.
Në fakt, sot, e mërkurë, ka qënë dita e parë stervitore anti-Partizan, pas një seance shkrythyse të së hënës dhe një dite pushim siç ishte ajo e së martës.
Po, mbas ndeshjes është ajo pjesa e rikuperimit, dhe një ditë pushim duhet që të rikuperojmë forcat për ndeshjen e radhës. Kështu që sot ishte seanca e parë, një seancë pozitive edhe pse me reshje shiu. Me këtë ritëm do të vazhdojmë edhe në ditët e tjera që kemi në dispozicion për të punuar dhe bërë gati për Partizanin.
Si është gjendja e skuadrës në këtë pragndeshje, ka mungesa titullarësh, sikur flitet për dy të tillë?
Jo, janë që të gjithë gati. Thjesht, kanë pasë probleme të vogla që mund të rregullohen, kështu që ekipi është i plotë, dhe shumë optimist për të marrë rezultat pozitiv në sfidën me Partizanin.
Vetë ju, përpara realizimit të intervistës më thatë do të shkonit menjëherë tek fizioterapisti Ilirjan Haxhaja që është duke ju pritur në klinikë. Shqetësim, apo thjeshtë përkujdesje në aspektin fizik?
Jo, është thjeshtë një gjë e vogël tek kyçi i këmbës. Është një problem i vogël që duhet të bëj terapi. Kështu që jam OK, 100 përqind gati për të dhënë maksimumin për ndeshjen e radhës me Partizanin.
Në lidhje me kundërshtarin, ardhja e trajnerit të ri Dritan Mehmeti duhet se i ka një dhënë një pamje tjetër Partizanit. Fitorja e fundit në transfertën korçare duket se e ka rritur moralin në radhët e të kuqve.
Me thënë të drejtën, Partizani, që me ardhjen e trajnerit të ri, po shoh se ka ndryshime për mirë. Luajnë futboll, kanë një grup lojtarësh shumë të mirë, çuna të rinjë, të talentuar. E pashë ndeshjen me Skënderbeun, ku edhe pse ishin në disavantazh e dominuan ndeshjen, kështu që duhet të kemi kujdes. Mendoj se është edhe një plus sepse ndeshja luhet në “Air Albania”, aty mund të luajnë futboll të dy ekipet. Nga ana e jonë, Vllaznia është një ekip që luan futboll, prandaj shkojmë pa frikë, të japim maksimumin, sepse edhe kualitetet i kemi dhe shpresjmë të marrim tre pikët në këtë ndeshje.
Dhe, së fundmi Jonuzi, Vllaznia lufton në dy fronte. Në Kupë, jeni në gjysëmfinale, ndërkohë për Kampionat, edhe pse distanca është e madhe me 13 pikë diferencë ndaj Tiranës kryesuese, objektivi titull është akoma prezent në radhët e skuadrës.
Me thënë të drejtën, janë shumë pikë. 13 pikë përpara Tirana nuk janë pak, por duke pa që kemi dy ndeshje direkte me Tiranën, edhe vetë Tirana ka ndeshje të forta, si derbin, etj, mundësittë janë. Që do të thotë se kampionati është i hapur, ka akoma shumë ndeshje në lojë, dhe nuk i dihet, edhe mund ta kthejmë në favorin tonë. Gjithmonë duhet të mbajmë shpresë, edhe pse kemi gabuar shumë duke lënë shumë pikë që nuk duhej t’i linim. Por, nga ana tjetër është edhe Kupa, sepse edhe ajo është trofe, është kënaqësi, por edhe Europë automatikisht. Kështu që duhet t’i vlerësojmë të dy frontet, sepse realisht kontigjentin e futbollistëve e kemi, gjë që na jep mundësi për të luftuar në të dy frontet në maksimum.