Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, maqedonasi, që më parë ka luajtur katër vite te bardheblutë, analizoi sezonin e skuadrës së Shkëmbit. Në fund ai paralajmëroi se rënia është tragjedi për Tiranën, por ka frikë, se situata është e ngjashme si me Dinamon e disa viteve më parë.
Filip, si jeni? Kemi marrë vesh që jeni operuar dhe tani po riaftësoheni. Si është gjendja juaj në këtë moment që flasim?
Është e vërtetë që jam dëmtuar rëndë. Për një kohë të gjatë “luftova” me dëmtimin. Në fund nuk pata shpëtim. Më duhej të operohesha. Arrita të kaloja këtë fazë dhe tani jam më mirë. Gjithçka ka kaluar. Po stërvitem me ekipin dhe do të rikthehem në fushë shumë shpejt.
Filip, a e keni ndjekur kampionatin shqiptar dhe çfarë mendimi keni për të?
E ndjek rregullisht, sidomos Tiranën. Për kampionatin shqiptar do të them që është i ndarë në 2 pjesë, pjesa e parë është me 4-5 skuadra më cilësore dhe pjesa e dytë janë skuadrat, që për mua si peshë qëndrojnë të barabarta dhe që do të luftojnë për mbijetesë dhe “play out” deri në javën e fundit. Po kjo tashmë dihet…
Tirana, skuadra me të cilën keni luajtur në Shqipëri, është e fundit në renditje dhe rrezikon të bjerë në Kategorinë e Parë…
Një periudhë shumë e dhimbshme për të gjithë tifozët e Tiranës. Klubi më i madh në Shqipëri është në vendin e fundit. Për mua klubi i Tiranës është sinonim i suksesit i trofeve. Thjesht, për mua si lojtar dhe ish-kapiten është shumë e dhimbshme kjo që po ndodh. Më “vret sytë”!
Si ish-kapiten që keni luajtur katër sezone te Tirana, sipas jush, çfarë nuk shkon me bardheblutë?
Është shumë e vështirë të thuash arsyen. Cilësia është e pranishme në skuadër. Kanë lojtarë të shkëlqyer, shumica janë të huaj, dhe lojtarët shqiptarë janë me përvojë dhe i kanë dëshmuar cilësitë e tyre. Për mua kjo është e papritur dhe jam befasuar nga gjithçka që po ndodh.
Të hënën luhet derbi me Partizanin, një ndeshje që ndihet shumë te bardheblutë. Si e parashikoni?
Si tifoz i Tiranës, uroj dhe besoj fitoren dhe përfundimin e serisë negative në ndeshjet derbi. Dhe sigurisht një dalje nga vendi që e zbret në Kategorinë e Parë.
Edhe ju keni qenë në fushë, por Tirana nuk e ka fituar këtë ndeshje derbi që nga tetori 2022?
Unë do të thosha se edhe Tirana është e pafat në këto ndeshje. Nuk e di sa gola ka pësuar pas minutës së 90- të. Por, siç thashë më lart, duhet të fitojnë të hënën dhe besoj se do të ndodhë.
Janë edhe katër takime për t’u luajtur, por a do të shpëtojë Tirana nga rënia prej Kategorisë?
Uroj shumë, por kam edhe frikë se do të ketë të njëjtin fat si Dinamo para disa vitesh. Kjo gjendje më duket shumë e ngjashme.
Olsi AVDIAJ