(Intervista) Flet Kevin Dodaj, talenti që po rritet tek Vllaznia, zbulimi, jo vetem i kuqebluve por i gjithë kampionatit Abissnet Superiore

Kevin Dodaj është një nga zbulimet jo vetëm të Vllaznisë këtë sezon, por për gjithë kampionatin. Sulmuesi 19- vjeçar ka ditur të jetë protagonist dhe madje të tërheqë edhe vëmendjen e klubeve dhe ligave të njohura europiane. Në një intervistë për “Panorama Sport”, autori i 5 golave deri më tani ka folur për suksesin e fundit ndaj Bylisit në shifrat 3-0.

Dodaj, një fitore e merituar përballë Bylisit, apo jo?

Jemi të gëzuar për këtë sukses të fundit, pasi tregon që ekipi po ecën në një ritëm shumë të mirë. Kemi 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit në kampionat e po ashtu duke llogaritur edhe ndeshjet e Kupës, tregon për formën pozitive që po kalojmë. Uroj dhe besoj se do të ecim në këtë ritëm edhe në javët dhe ndeshjet e ardhshme.

Duket se skuadra po përgjigjet në 100% tashmë. Ka ndryshuar diçka?

Nuk besoj se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Grupi besoj se është plotësuar nga rikthimet e të dëmtuarve dhe kjo patjetër ndihmon ekipin. Të gjithë janë të motivuar për të dhënë maksimumin. Prandaj edhe ritmi ndoshta është më i lartë, pavarësisht se ndeshjet sa vijnë dhe vështirësohen për ne.

Sa të forta janë këto përballje ndaj ekipeve të mbijetesës?

Çdo skuadër ka kualitetin e vet dhe ne e kishim vlerësuar në maksimum takimin. Pavarësisht se Bylisi luan për mbijetesë, është një skuadër që të krijon probleme. Por ne u imponuam që në fillim dhe kjo ishte e rëndësishme për të arritur suksesin që e merituam deri në fund.

Nuk shënuat, po sërish ishit një ndër më të spikaturit në fushë. Jo vetëm goli vlen, apo jo?

E rëndësishme është fitorja dhe më pas goli personal për çdo futbollist. Sulmuesit i kanë të rëndësishëm golat dhe “jetojnë” për ta. Por edhe kur luan mirë dhe jep kontributin për skuadrën, është diçka pozitive, sepse golat do të vijnë në javët e ardhshme. E për këtë jam i sigurt dhe ndihem pozitiv.

Keni ndonjë kuotë golash që si objektiv për këtë sezon?

Nuk kam ndonjë objektiv sesa dua të shënoj. Unë dua të jap kontributin tim dhe do të mundohem që të shënoj sa më shumë dhe të ndihmoj skuadrën.

Duket një Dodaj akoma më i motivuar pas qëndrimit në skuadër gjatë kësaj merkatoje. Është kështu?

Unë ndihem shumë mirë te Vllaznia, këtu është shtëpia ime dhe ekipi im i zemrës. Merkatoja nuk më shpërqendron aspak dhe nuk e kam mendjen se ku mund të lëviz apo jo, pavarësisht se ndihesh i motivuar dhe i lumtur kur shikon se ka interes ndaj teje. Megjithatë, unë jam totalisht i fokusuar te Vllaznia dhe arritja e objektivave me skuadrën.

Mundet skuadra të shkojë deri në fund të dy kompeticioneve?

Ne kemi një grup shumë cilësor dhe kemi mundësinë për gjëra të mëdha. Duhet të vazhdojmë me kokën ulur, duke u përmirësuar në çdo takim dhe duel. Duke vlerësuar çdo kundërshtar dhe ndeshje besoj se i kemi mundësitë për të shkuar deri në fund të kompeticioneve.

Në fundjavë kundër Dinamos, ku me ta e keni hapur llogarinë e golave në Superiore. Shënon sërish Dodaj?

Është një ndeshje ku kemi një motivim maksimal, sepse na kanë mposhtur dy herë këtë sezon. Ekipi patjetër futet në fushë për të arritur fitoren dhe vijojmë me formën pozitive. E po ashtu edhe unë dëshiroj të shënoj dhe të ndihmoj skuadrën. Shpresoj që t’i arrijmë të dyja kundër Dinamos.

Endri ÇINARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu