Mungesa e dëshirës për fitore, humbja e dyluftimeve dhe paqartësia në ndërtimin e aksioneve, bënë që Vllaznia të pajtohet me humbjen në start. Ish-kapiteni pohon se Vllaznia i ka shanset dhe mundësitë për të reaguar direkt, që në ndeshjen e radhës me verilindorët. Sa i përket merkatos së mbetur, Lika mendon se shkodranëve u duhet edhe një përforcim në repartin sulmues.
Si ish-kapiten, a ju zhgënjeu Vllaznia në startin e kampionatit?
I zhgënjyer është pak fjalë e rëndë, por sigurisht që prita një ndeshje më të mirë dhe normalisht një tjetër rezultat.
Çfarë nuk shkoi, sipas jush, në atë takim me Erzenin?
Mendoj se në start Vllaznisë i mungoi dëshira për fitore. Lojtarët humbën shumë dyluftime dhe ishim të paqartë në ndërtimin e aksioneve. Mendoj se këto ishin komponentët që ndikuan te humbja 1-0.
Ku duhet të rikuperojë Vllaznia për takimin e ardhshëm?
Duhet të rikuperojë këto tri probleme që i thashë më lart. Ekipi duhet të rrisë dëshirën për fitore, të luftojë më shumë dhe të ndërtojnë siç duhet aksionet. Pra, duhet të rregullojmë këta gjëra, nëse duam të arrijmë dhe të marrim rezultatet që duam.
Si e shikoni sfidën e së dielës me Kukësin?
Shumë të rëndësishme për të bërë atë që presim të gjithë, një autokritikë për atë humbje ndaj Erzenit. E shikoj një sfidë të vështirë, pasi i tillë është edhe kundërshtari.
Sa shans ka Vllaznia për të fituar ndaj verilindorëve në shtëpi?
Mendoj se Vllaznia ka më shumë shanse, pasi e shikoj si ekip më të mirë sesa Kukësi dhe për më tepër luajmë në fushën tonë.
A ka nevojë skuadra për përforcime të tjera në ditët e fundit të merkatos apo ky grup i ka cilësitë për të realizuar objektivat?
Për mendimin tim, grupi aktual ka cilësi. Por, të jem i sinqertë do të kisha preferuar që në skuadër të kishim edhe ndonjë lojtarë cilësor në repartin e sulmit.
Pavarësisht se nisja nuk ishte ajo që pritej, a e shikoni sërish Vllazninë në listën e pretendentëve për titull?
Prandaj e thashë që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për t’u kthyer në rrugën e duhur dhe për t’u treguar të gjithëve që përballja me Erzenin ishte thjesht një ditë e keqe.
Admir Uruçi