(Intervista) Gilman Lika: Vllaznia të ruaj bazën e skuadrës dhe të përforcohet me 3-4 blerje cilësore

Nga Emiratet e Bashkuara Arabe ku jeton dhe punon si trajner futbolli prej disa kohësh, për “Panorama Sport” ka folur në mënyrë ekskluzive Gilman Lika. Ishmesfushori i Vllaznisë ka analizuar sezonin e Superiores e po ashtu shkodranët në veçanti.

Sipas ish-kapitenit kuqeblu, mund të bëhej diçka më tepër në finalen e kampionatit, teksa ishte zhgënjyes rezultati i saj. Ndër të tjera, ai komenton se skuadra ka nevojë për përforcime e teksa beson se ekipi mund të kthehet ku duhet me dyshen Martini-Sinani.

Nga larg, si e keni parë kampionatin e Superiores këtë edicion? 

Jam munduar t’i ndjek zhvillimet dhe ndeshjet në kampionatin shqiptar, pavarësisht se jam larg. Të jem i sinqertë, nuk është se jam kënaqur apo zbavitur duke parë ndeshjet e Superiores. Them se kampionati ka pësuar një rënie me përjashtim të 2-3 ekipeve që janë munduar të dhurojnë diçka. Ndërsa pjesa tjetër ka lënë për të dëshiruar.

Ndonjë zhgënjim te Vllaznia kishte për ju personalisht? 

Nëse mund ta analizoj në total sezonin e rregullt, skuadra kreu detyrën. U rendit në dyshen e parë dhe ishte ndër ekipet kryesore nga fillimi në fund. Zhgënjimi më i madh ishte finalja kundër Egnatias, pasi realisht nuk prisja aq shumë diferenca në fushën e lojës. Ai takim mund të them që më la një shije të hidhur personalisht.

Çfarë mund ose duhet të ndryshojë skuadra në sezonin e ri? 

Them se drejtuesit duhet të ruajnë bazën e skuadrës, atë bërthamë dhe “shtyllë kurrizore” të ekipit, pasi nuk do të ishte efikase të bëheshin ndryshime pa kriter, sepse në këtë mënyrë gjithçka do të fillonte sërish nga zero. Por, po ashtu, ekipi duhet përforcuar dhe unë mendoj se nevojiten 3-4 futbollistë cilësorë në secilin repart për të ndërtuar një Vllazni solide dhe të denjë për vendet e para.

Endri ÇINARI

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu