Nga Italia, ku jeton dhe punon prej vitesh, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ka folur ish-drejtori i Vllaznisë, Eugent Zeka. Shkodrani ka analizuar ecurinë e kuqebluve në periudhën e fundit. Duke theksuar se fitorja e fundit kundër Dinamos, e “shkundi” dhe riktheu ekipin aty ku duhej. Sipas ish-drejtuesit kuqeblu, tashmë skuadra ka qetësinë e duhur për të pretenduar edhe fitimin e trofeve. Ku titulli kampion mbetet dëshira e çdo shkodrani kudo ndodhet.
Më në fund një fitore bindëse e Vllaznisë apo jo?
Kur një fitore mungon prej shumë javësh dhe më në fund arrihet me një rezultat të tillë dhe kundër një kundërshtari pretendent për titull si Dinamo, më shumë se bindëse unë e shoh si frymëmarrje. Për të cilën Vllaznia kishte nevojë jo vetëm për të arritur matematikisht “Final 4”, por edhe për të rikthyer optimizmin në të gjithë ambientin kuq e blu.
Do të preferoje kupën apo kampionatin nëse do të kishte mundësi zgjedhjeje?
Nëse do të kisha mundësi zgjedhjeje me të vërtetë, do t’i preferoja të dyja dhe nuk do të ngopesha kurrë, duke parë Vllazninë të fitojë trofe. Padyshim titulli kampion që do të të sjellë edhe yllin e parë te fanella e Vllaznisë është shumë më i dëshiruar nga i gjithë ambienti kuq e blu. Kjo pa dashur të zbeh vlerën e Kupës së Shqipërisë.
Endri ÇINARI