Thursday, December 11, 2025

(Intervista) Ish futbollisti kuqeblu, Gilman Lika analizon sfidën Elbasani-Vllaznia: “Kartoni i kuq ndikoi, gjyqtari anonte pak nga Elbasani. Mëkat i madh nëse Vllaznia nuk del kampion këtë sezon”

Lexo

- Reklamë -spot_img

Nga Emiratet e Bashkuara Arabe ku jeton dhe punon si trajner prej disa vitesh, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”, Gilman Lika. Ish-mesfushori i Vllaznisë është ndalur pikërisht te një analizë e situatës së kuqebluve dhe në veçanti te dueli i fundit me Elbasanin. Sipas ish-kapitenit kuqeblu, skuadra po kalon një moment të vështirë, por u duk sikur reagoi disi në duelin e fundit duke krahasuar me ndeshjet paraardhëse. Sipas shkodranit ekipi duhet të gjejë defektet dhe korrigjojë ato, teksa thekson se do të ishte mëkat nëse Vllaznia nuk do të arrijë të fitojë titullin kampion në fund të edicionit. Po ashtu ish-futbollisti edhe i Tiranës thotë se skuadra duhet ta vlerësojë si një finale duelin e fundjavës kundër Bylisit.

Një humbje kundër Elbasanit në shifrat 1-0, mund të shkonte ndryshe kjo ndeshje?

Për mua nuk ishte aspak një ndeshje e lehtë e Vllaznisë kjo ndaj Elbasanit. Pasi unë personalisht e konsideroj Elbasanin një skuadër shumë të fortë dhe pretendente për titullin kampion e sidomos kur luante në shtëpinë e tij. Po ashtu duket ditur edhe gjendjen e Vllaznisë që nuk ka qenë më e mira e mundshme në javët e fundit, gjërat sikur u komplikuan pak. Por, mund të them se Vllaznia m’u duk sikur reagoi, duke krahasuar me takimet paraardhëse. Pavarësisht se ndoshta duhet të presim shumë më shumë nga kjo skuadër akoma.

Sa ndikoi kartoni i kuq i dhënë për Gjinin?

Padyshim që ndikoi shumë te balancat dhe besoj rezultati final i ndeshjes. Jo, vetëm edhe për rëndësinë e madhe që ka ai si lojtar për Vllazninë në prapavijë, por edhe minutat e shumta që skuadra duhej të bënte me një futbollist më pak. Dhe kjo nuk është aspak e lehtë ndaj një kundërshtari që është në të njëjtin nivel me ty dhe ka po ashtu të njëjtat ambicie për sezonin.

Ndonjë koment për arbitrimin në këtë duel?

Them se arbitrimi ishte disi në favorin e Elbasanit, duke ndikuar ndoshta edhe në fushën e lojës. Por, nuk dua të ndalem shumë te kjo pjesë sepse Vllaznia duhet të korrigjojë gabimet që ka shfaqur këtë kohë. Dhe ekipi po ashtu nuk është në gjendjen e fillim sezonit, prandaj duhet bërë një analizë e thellë për të dalë nga ky moment.

Çfarë nuk po ecën te Vllaznia në këtë periudhë?

Nuk e di çfarë po çalon sepse nuk jemi në brendësi të skuadrës dhe gjërat i shohim nga jashtë dhe nga TV. Por, mund të them se dallohet qartë se ekipi nuk ka ruajtur “fytyrën” e fillimit e kjo më bën përshtypje. Ndoshta edhe lëndimet e futbollistëve që kanë qenë të shumta kanë ndikuar edhe në këtë ecuri jo pozitive së fundmi.

Si mund të dilet nga kjo krizë?

Stafi dhe futbollistët që janë aty çdo ditë e dinë më mirë se kushdo se si dilet nga kjo situatë. Vetëm ata e kanë “kurën” për ta nxjerrë skuadrën nga momenti i vështirë dhe të rikthehen në nivelin e treguar më parë. Kam besimin se Vllaznia mund të shkojë sërish aty ku ishte.

Ngelet ende besimi i palëkundur si shkodran dhe ish-pjesë e Vllaznisë te ky ekip deri në fundin e sezonit?

E kam thënë edhe në një intervistë më parë për gazetën tuaj, Vllaznia ka grupin më të mirë të futbollistëve këtë sezon në Superiore. Dhe për mua është mëkat që skuadra të vuajë kështu. E po ashtu do të thosha se do të ishte mëkat akoma më i madh nëse këtë vit nuk fitohet titulli kampion, megjithëse besimi te unë mbetet i pandryshuar dhe Vllaznia do të rikthehet në krye sërish.

Është tashmë detyrim vetëm fitorja kundër Bylis në fundjavë?

Duhet të shikohet si një finale, si një ndeshje me një pretendent për titull dhe jo një skuadër që luan për mbijetesë. Kjo për të marrë fitoren dhe dhënë frymëmarrje skuadrës, që duhet të kalojë momentin e vështirë sa më shpejt të jetë e mundur.

Endri ÇINARI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img