Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Ish kapiteni kuqeblu, Vioresin Sinani, komenton pragsfidën e javës së 25-të të Superiores, Vllaznia-Tirana

Lexo

Ish kapiteni i kuqebluve, futbollisti që ka luajtur me të dyja skuadrat, po e pret me shumë emocion sfidën Vllaznia-Tirana.  Në prononcimin e dhënë për gazetarin shkodran të “Panorama Sport”, Admir Uruçi, Sinani mendon se Vllaznia fiton në përballjen ndaj bardhebluve, ndërkohë që analizon në përgjithësi edhe ecurinë e Vllaznisë së këtij sezoni futbollistik.

Si e shikoni Vllazninë e këtij sezoni?
Përgjithësisht sezoni mund të quhet i mirë. Ndoshta është pritur më tepër. Por në këto momente Kupa dhe Europa nga kampionati janë edhe në lojë dhe janë objektiv minimal mendoj se janë të arritshme plotësisht. Prandaj nuk duhet që të thuhet se nuk është një sezon i mirë.

Çfarë nuk po shkon te kjo skuadër?
Të vjen keq që nuk ka më shumë pikë. Vllaznia i ka dominuar kundërshtarët përgjithësisht, por ndoshta duhet të kishte shënuar më shumë, që barazimet të ishin fitore. Duhet thënë se edhe fati disa ndeshje s’ka qenë me ta.

Ku qëndron, sipas jush, ngërçi te Vllaznia?
Për mendimin tim, nuk ka ngërç fushe, pasi ekipi zhvillon lojë të mirë, por ekipi duhet të kalojë ngërçin psikologjik në qoftë se do ta quajmë të tillë, pasi shumë barazime krijojnë vetvetiu ngërç psikologjik.

Çfarë mund t’u sugjeronit që mund ta bëjnë më mirë në pjesën e mbetur të sezonit?
Sugjerimi im do të ishte luftë deri në fund me 100 për qind të dhënë nga secili për këtë fanellë të mrekullueshme.

Ju sjell nostalgji kur bëhet fjalë për përballje të tilla si Vllaznia-Tirana?
Shumë, pasi ka emocione shumë brenda kësaj sfide. Janë dy skuadra që rivalizojnë që kur janë themeluar njëra-tjetrën. Për ne, por edhe për sportdashësit është një kënaqësi ndjekja e një përballjeje të tillë. Këto dy skuadra janë elita e futbollit shqiptar.

Të shtunën janë përballë njëra-tjetrës, si e shikoni këtë takim?
Gjithmonë ka rivalitet mes këtyre dy skuadrave. Pres lojë të bukur, pasi në përbërje të dyja këto skuadra kanë emra të mëdhenj të futbollit tonë. Ndeshja më e bukur e kampionatit si gjithmonë. Një takim që mezi pritet të shijohet.

Pas një humbjeje e një barazimi, ka ardhur koha që Vllaznia ta fitojë këtë takim?
Patjetër. Vllaznia e ka dominuar Tiranën edhe brenda në Tiranë. Kemi shikuar një ekip që nuk pushon për asnjë moment. Unë jam i bindur që fiton Vllaznia të shtunën.

Një fitore e Vllaznisë e fut sërish këtë skuadër në valle për titull apo duhet të kënaqet këtë sezon me Kupat e Europës?
Tirana është e shkëputur dhe do të jetë e vështirë. Në futboll mund të ndodhë çdo gjë, por jam pak skeptik në këtë drejtim. Megjithatë, objektivin minimal, Kupat e Europës, nuk duhet ta diskutojë.

Admir Uruçi

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img