Sakrifikoi deri në momentin e fundit për fanellën e skuadrës së zemrës, duke qëndruar në fushë i dëmtuar kundër Dinamos. Fjala është për Erdenis Gurishtën, i cili, pavarësisht një dëmtimi muskulor në sfidën ndaj bluve, nuk e la Vllazninë me 10 futbollistë, në një moment ku kuqeblutë i kishin mbyllur zëvendësimet. Për “Panorama Sport”, ai ka folur ekskluzivisht për ndeshjen ndaj kryeqytetasve, dëmtimin e tij dhe kalimin në finale. Mbrojtësi thekson se te kuqeblutë nuk ka eufori, por skuadra është e gatshme për triumfin dhe rikthimin e titullit në Shkodër pas 24 vitesh mungesë.
Gurishta, fitore e merituar dhe emocione kjo kundër Dinamos apo jo?
Pa diskutim që ishte një fitore e merituar në fund nga ana e Vllaznisë. Luftuam dhe sakrifikuam për çdo top, nga minuta e parë deri në të fundit. Në fund u shpërblyem dhe jam shumë i lumtur që jemi në finale. Të gjitha duelet ndaj Dinamos këtë sezon kanë qenë shumë të bukura dhe emocionuese dhe duhen vlerësuar edhe ata për cilësitë e tyre.
Do të jetë Gurishta në fushë të hënën?
Unë do të bëj gjithçka që të jem në fushën e lojës, patjetër edhe me ndihmën e mjekëve të skuadrës. Do e shikojmë gjendjen time këto ditë së bashku me ta. Sepse ndeshje të tilla, duhet të luash edhe “me një këmbë”, pasi nuk luhet vetëm me këmbë në këto sfida, por shumë shpirt dhe zemër.
Një premtim apo thirrje për tifozët tuaj?
I vetmi premtim është që në datën 12 maj do të japim shpirtin në fushë. Nuk do të jenë vetëm zemrat e 11 futbollistëve që do të zbresin në fushë, por të të gjithë qytetit të Shkodrës. Prandaj, i ftoj të jenë sa më të shumtë në Tiranë të hënën dhe të na mbështesin ashtu siç vetëm ata dinë. Me tifozët në krah, edhe ne jemi më të fortë në fushë.
Endri ÇINARI