Thursday, November 21, 2024

(Intervista) Jazxhi: “Teuta shkon në Shkodër për tre pikë”. Mbrojtësi i durrsakëve flet edhe për përvojën në grupin e kombëtares kuqezi

Lexo

Artan Jazxhi është një nga liderët në radhët e Teutës, duke u rreshtuar në qendër të mbrojtjes dhe duke u bërë i pakalueshëm për kundërshtarët.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi foli për Teutën, por edhe për pjesëmarrjen në stërvitjet e kombëtares gjatë grumbullimit të fundit. Ai i uron suksese kuqezinjve në këto dy ndeshje, teksa shton se në Shkodër skuadra blu do të luajë vetëm për tri pikët.

Artan, si ishin ato 48 orë si pjesë e kombëtares? 

Realisht, kisha emocione dhe ishte një ndjesi shumë e mirë. Unë u stërvitja dy ditë, pasi kishte mungesa në grupin e lojtarëve. Shpresoj që në të ardhmen të arrij të jem pjesë dhe në ndeshje zyrtare. I uroj fitore në këto dy ndeshjeve ekipit kombëtar!

Sa po i shërbejnë Teutës këto 10 ditë për të përgatitur ndeshjen ndaj Vllaznisë? 

Na kanë shërbyer shumë për sa i përket anës fizike. Patëm dy ndeshje shumë të vështira në pak ditë. Na duheshin këto ditë për t’u përgatitur mirë nga ana taktike. Jemi përgatitur mirë. Duhet që të bëjmë maksimumin.

Te shtunën vlejnë vetëm tri pikët, apo dhe një barazim s’është keq? 

Për sa i përket Vllaznisë, mendoj se është skuadra që meriton shumë komplimente, jo vetëm se është lart në renditje, por edhe për atë çka jep në fushë. Sa i përket pjesës tonë, do të luajmë për të marrë tri pikët. Ne kemi më shumë nevojë se Vllaznia për të marrë tri pikët. Pastaj analizën si kemi luajtur dhe për atë çka meritojmë, bëhen pas ndeshjes.

Si e shihini vazhdimësinë e ekipit? 

Rëndësi ka që kemi bërë mirë dhe pavarësisht se kemi dy javë pa fitore, ekipi ka entuziazëm për ndeshjet në vazhdim. Mirëpo tani nuk ka kohë të mendojmë për ato që kanë kaluar. Duhet të shohim përpara, kemi shume punë për të bërë. Por patjetër duhet të shohim nga ndeshja në ndeshje. Tashmë të shtunën na pret ndeshje e vështirë me Vllazninë, ku patjetër do të kërkojmë të marrim më të mirën.

Mendoni se Teuta e ka forcën për të shkuar në “Final 4”? 

Unë besoj fuqishëm së pari te bashkëlojtarët e mi, në gjithë ekipin. Besoj se mund t’ia dalim dhe se gjithçka varet nga ne. Normal që ka ende shumë garë, mirëpo me punë do të mundohemi ta arrijmë. Nëse do të jemi maksimalisht të angazhuar dhe nëse punojmë me veten më shumë, mendoj se kemi shanse të mira. Por akoma është herët të flitet për “Final 4”, pasi mendoj se më e mençur është të shkojmë nga ndeshja në ndeshje.

Zamir QYPI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img