Friday, September 20, 2024

(Intervista) Kapiteni Gurishta, flet për pragndeshjen e Kupës, Vllaznia-Flamurtari(Enjte, ora 13.45)

Lexo

Vllaznia ka lënë pas humbjen e së dieles së kaluar në Laç për javën e 19-të, dhe tashmë po përgatitet për Turin Çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Të enjten, ora 13.45 kuqeblutë presin në stadiumin “Loro Boriçi” Flamurtarin e Vlorës. Ndeshja e parë e luajtur dy javë më parë në Vlorë është mbyllur me fitoren e Vllaznisë 1-2. Një pozitiv ky për skuadrën kuqeblu, por që gjithësesi kualifikimi për në gjysëmfinale vendoset pas sfidës të së enjtes në “Loro Boriçi”. Për kapitenin e kuqebluve, Erdenis Gurishta, edhe pse kanë përballë një skuadër të Kategorisë së Dytë, me traditën dhe emrat e futbollistëve që ka në përbërje Flamurtari i këtij sezoni duhet marrë në konsideratë.

Gurishta, një ndeshje e lehtë ajo me Flamurtarin apo e keni vlerësuar?

Jo, nuk është ndeshje e lehtë, ekipi i Vlorës ka shumë lojtarë cilësorë në gjirin e saj, normalisht që duhen vlerësuar. Ne kemi fituar ndeshjen e parë 2-1 dhe kjo na jep pak qetësi, por duhet ta kalojmë edhe këtë ndeshje me çdo kusht dhe të jemi në gjysmëfinale pastaj të fokusohemi edhe tek Kampionati.

Goli i vlonjatëve në fund të takimit në sfidën e parë, mendoni që i ka dhënë më shumë nxitje vlonjatëve?

Sigurisht që edhe Flamurtari ka objektivat e vet duke menduar që mund të arrijë kualifikimin duke përfshirë edhe golin në fund të takimit që I ka dhënë pak shpresë, por ne jemi të vetëdijshëm që do të jemi në gjysmëfinale dhe nuk e besoj që do të ketë vend për diskutim.

Objektivi për fitimin e trofeut të Kupës?

Sigurisht, e kemi theksuar që objektivi jonë është Kupa dhe Kampionati. Për momentin gjërat janë përkeqësuar pak në Kampionat sepse Tirana është shkëputur shumë për shkak edhe të humbjes sonë në Laç, gjithsesi kemi edhe 17 javë para, çdo gjë është e mundur, thjesht duhet të kemi besim te forca jonë. Edhe në Kupë kemi mundësi të arrijmë përsëri suksesin e vitit të kaluar.

Pikërisht, postimi juaj në rrjetet sociale, duke theksuar se “padrejtësitë na bëjnë më të fortë,  kemi edhe 17 finale”, flet qartë për karikimin e skuadrës kuqeblu për vazhdimësinë.

Të them të vërtetën ndeshja e fundit ishte një padrejtësi ndaj nesh, të gjithë e shikuan që ai gol nuk duhej anulluar, por besoj që futbolli I njeh këto gabime dhe shpresoj që të mos ketë qenë një gabim me dashje, por kjo na motivon ne edhe më shumë që në të ardhmen të japim më shumë dhe të përgatisim veten që të luajmë jo kundër 11 personave por kundër 12 personave.

Pas Flamurtarit, në fundjavë do të ndesheni me kampionen e Shqipërisë, me Teutën.

Do të jetë një ndeshje e fortë. Tueta po kalon një moment jo të mirë, por nuk duhet nënvlerësuar. Teuta është fituesja e Kampionatit të vitit të kaluar dhe është një skuadër shumë e fortë, por fokusi jonë për momentin është ditën e Enjte, të kalojmë Flamurtarin pastaj do të kemi disa ditë për t’u përgatitur për ndeshjen e ditës së hënë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img