I shfaqur përkrah trajnerit Brdariç në Konferencën e Shtypit dhënë mesditën e sotme në prag të supersfidës Partizani-Vllaznia që luhet të shtunën në “Air Albania” të kryeqytetit, kapiteni shkodran Erdenisw Gurishta beson shumë tek fitorja.
Kapiten, një ndeshje shumë e rëndësishme kjo e së shtunës ndaj Partizanit, i keni marrë masat e duhura?
Është një superndeshje. Vllaznia-Partizani, Partizani-Vllazninë, kanë dhënë gjithmonë emocione dhe spektakël. Më shumë se këto, nesër jemi të uritur për tri pikë. Ky është objektivi nesër. Ecuria në përballjet direkte ka qenë mirë për ne, nuk na kanë mposhtur as sezonin e shkuar. Ata vijnë nga një ecuri e mirë, por mos harrojmë se edhe ne kemi bërë mirë. Do jetë një ndeshje me shumë ekuilibra, diferencën do e bëjnë detajet. Besoj se nesër tifozët do jenë të shumtë në Tiranë. Stadiumi “Air Albania” ka qenë një ogur i mirë për ne, ashtu besoj do jetë edhe nesër.
Partizani po rritet në lojën e tij, fitoi edhe javën e kaluar në Korçë dhe synon të kapë Vllazninë.
Partizani ka objektivat e veta, janë pesë pikë pas nesh. Shpresojmë që nesër me maksimumin të shohim për lart, kemi mundësi për tre vendet e para.
Të shtunën keni përballë një nga shokët tuaj të afërt, si Erald Markun, që më herët ka luajutur për Vllazninë. Keni ndonjë mesazh për të?
Nuk kam asnjë mesazh për të, më vjen keq se në ndeshjet e fundit s’ka qenë në formacionin stabël të Partizanit. Është një lojtar dhe çun fantastik, shoku im më i mirë. Suksese i uroj, por pas ndeshjes nesër.
Me paraqitjet e mira në ndeshjet e fundit, duket se Vllaznia i ka lënë pas oshilacionet.
Kemi pasur oshilacione, një ekip për kampion është e pafalshme që të bëjë disa fitore dhe barazime radhazi. Unë kam besim te grupi. Një ekip për kampion duhet të jetë cinik, gjë që nuk e kemi treguar. Na ka munguar edhe fati në disa barazime.
Në aspektin personal, jeni I kënaqur me paraqitjet tuaja?
Deri sot çdo lojtar ka ulje dhe ngritjet e tij. Përgjithësisht, jam i kënaqur. E mira s’ka fund, rëndësi ka ekipi, objektivat e klubit janë ato që vlejnë.
Dhe së fundmi diçka për objektivin e titullit ku aktualisht jeni 13 pikë larg kreut të renditjes.
Janë shumë, të themi realitetin. Nëse bëjmë disa fitore mund të kompensojnë në këtë dioferencë. Kemi edhe dy ndeshje direkte me Tiranën, distanca është e mundur të shkurtohet. Personalisht mendoj se diferenca nuk është 13 por 7, sepse dy përballjet e ardhshme me Tiranën i konsideroj të fituara.