Kevin Dodaj është një nga protagonistët e momentit te Vllaznia dhe një prej talenteve më premtues të kampionatit. Këtë sezon, përveçse ka zënë vend në formacion, sulmuesi e ka konkretizuar lojën e tij të mirë edhe me gola. Shënoi në fitoren me Skënderbeun në Shkodër dhe në barazimin me Egnatian në Rrogozhinë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 19- vjeçari flet për formën e mirë që po kalon dhe grumbullimin me Kombëtaren U21.
Dodaj, goli i dytë radhazi. Si po e përjetoni këtë moment të mirë tuajin?
Uroj që të kem gjetur vazhdimësinë dhe të eci me këtë ritëm për të shënuar në çdo ndeshje. Për të ndihmuar skuadrën që të fitojë ndeshjet, sepse arritjet personale janë në plan të dytë. Më duket sikur po përjetoj një ëndërr dhe po ndjej një kënaqësi të madhe në këto momente.
Deri ku mund të shkojnë Dodaj dhe Vllaznia së bashku?
Unë dhe Vllaznia duhet të vazhdojmë punën me kokën ulur. Të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje dhe të rritemi. Besoj se ende më e mira nuk ka ardhur dhe ne duhet ta tregojmë këtë. Në fund të ditës me punë dhe sakrificë gjithçka do shpërblehet në fushën e lojës.
Endri ÇINARI