Sunday, September 8, 2024

(Intervista) Nga Martin DEDAJ, gazetar dhe komentator sportiv-SEZON I VËSHTIRË PLOT PERIPECI…Intervistë me sulmuesin matjan Florenc Farruku

Lexo

 

Ekipi i Burrelit, pjesë e të cilit jeni prej vitesh vetëm në ndeshjen e fundit i shpëtoi rënies nga kategoria. Cili do të ishte komenti juaj?

– Realisht duhet thënë se për ekipin tonë ishte një sezon mjaft i vështirë, pa mundur të arrinim aty ku duhej të ishim (në një vend më komod në tabelën e klasifikimit), por tani ashtu siç erdhën punët, duhet ti gëzohemi qëndrimit në kategorinë e parë, që u arrit falë fitoreve që mundëm të merrnim në tre ndeshje radhazi, të cilat bënë të mundur edhe mbylljen me sukses të këtij rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë por jo dhe aq të lumtur për ne, pasi zgjidhja u bë vetëm në ndeshjen e fundit dhe kemi përjetuar nga java në javë, ankth, stres pse jo edhe jemi paragjykuar. Por “fundi i hajrit”, si i thonë u ka vënë kopak të gjithave.

Çfarë nuk shkoi mirë sipas jush në këtë sezon futbollistik?

– Nuk kam se çfarë të them dhe mendoj se çfarë nuk shkoj mirë tek ne, në këtë sezon. Por thjesht di të them se kemi bërë disa hapa fals me ekipet që ishin poshtë nesh në renditje dhe kemi marrë pikë me ekipe të forta, edhe jashtë fushës tonë ashtu siç dhe kemi lënë pikë në Burrel, duke prishur edhe traditën, pasi historikisht në Burrel çdo ekip që ka luajtur e ka patur të vështirë të marrë pikë, gjë të cilën e thonë statistikat ndër vite. Për rrjedhojë mos marrja e pikëve të mundshme në Burrel, mendoj se ka qenë ndikimi kryesor, qe ne si ekip të mos ishim aty ku mund të ishim dhe realisht duhet që të ishim.

A mendoni se Burreli, mund të kishte pretenduar për më lart dhe të mos notonte në ujrat e turbullta të mbijetesës?

– Padiskutim që po, dhe nëse do të ishim treguar pak më të kujdes’shëm, mund të kishim pretenduar për më lart. Pasi kemi marrë shumë pikë me ekipet kryesore si: 6 pikë Flamurtarit, 4 pikë Vorës, u kemi marrë pikë Bylisit, Apolonisë, Kastriotit, dhe të shikosh që shumicën e pikëve i kemi fituar me ekipet e forta e më lart në renditje se ne, mendoj që, duhet të ishim pjesë e ekipeve pretendente dhe jo aty ku përfunduam, ku sidomos javët e fundit kanë qenë ngarkesë e madhe dhe ankth për mbijetesën.

Cilat sipas jush kanë qenë shkaqet e paraqitjes jo të mirë të skuadrës në këtë sezon?

– Mendoj që një definicion përfundimtar, mund dhe duhet ta bëjnë instancat drejtuese të skuadrës; staf teknik dhe presidencë, kuptohet pas një analize të detajuar dhe specifike për çdo lojtar, repart dhe ekip. Por unë do përmend vetëm një shkak, që mendoj se ka ndikuar tek ne. Dhe pikërisht, mos vlerësimi sa e si duhet i disa ekipive të rënditura poshtë nesh në klasifikim dhe realisht më të dobëta se ne, ka ndikuar në ecurinë tonë, pasi me këto ekipe kemi patur shumë hapa fallco.

Çfarë do të vlerësonit pozitive tek skuadra e Burrelit dhe çfarë negative?

– E them me pastërti se tek skuadra e Burrelit në përgjithësi nuk ka ndonjë gjë negative. Përkundrazi ka shumë gjëra pozitive do të thoja, pasi jemi shumë djem matjan në ekip dhe po u jepet dora djemve të rinj, si vendas po ashtu dhe të tjerëve të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë por dhe futbollistë të huaj. Është krijuar një harmoni dhe bashkëpunim, për tu patur zili. Kuzhdo që vesh bluzën e Burrelit, ndihet si në shtëpinë e vet, falë kushteve dhe trajtimit që u bëhen lojtarëve, si dhe dashamirësisë që ata kanë gjetur dhe gjejnë tek vëndasit, lojtarët, stafi drejtues dhe tifizëria e veçantë që ne kemi. Kjo padyshim është diçka pozitive dhe që duhet vlerësuar.

Keni shënuar 8 gola, apo 35% të golave që ka shënuar ekipi. Sipas jush, a keni qenë në kondicionin e pretenduar, në këtë sezon?

– Për të qenë i sinqertë me ju dhe opinionin, personalisht nuk jam dhe aq i kënaqur me veten time në këtë sezon, sepse objektivin personal që i pata vendosur vetes në fillim të kampionatit nuk e arrita, pasi nuk shënova aq gola sa kisha në objektiv, se fundja rendimenti final i një sulmuesi, janë golat e shënuar. Por brenda faktit se arritëm të mos biem nga kategoria dhe unë shënova mbi një të tretën e golave të skuadrës (8 nga 23 që shënoi gjithë ekipi), duhet thënë se deri diku të jemi në rregull, ndonëse e ripërsëris jo në pritshmëritë e mija. Pasi unë u përkas atyre futbollistëve me kërkesa të forta dhe objektiva ndaj vetëvetes.

Burreli është ndër skuadrat që ka shënuar më pak gola 23, dhe pësuar jo pak por plot 40 gola, pse kjo gjendje?

– Sa i përket vetes time, mendoj dy gjëra për pjesën e shënimit të golave. Vërtetë janë të paktë në numër por ama ato janë me vlera përcaktuese për ekipin. Ndërsa sa i përket pësimit të golave, kemi gabuar në disa ndeshje, që për ne kanë qenë disi fatale, për arsyen se kemi menduar të sulmojmë por në momente deçizive jemi ndëshkuar duke pësuar, madje shumë gola. Vetëm Luzi i Vogël, na ka shënuar plot 9 gola dhe marrë 9 pikë.

Këtë sezon ju kanë drejtuar dy trajnerë dhe konkretisht; Dorjan Bubeqi dhe Klevis Hima. Mendimi juaj për ta?

– Ata janë dy trajner me emër në trajningun shqiptar dhe me eksperienca të ndryshme, që kanë fituar respektin maksimal jo vetëm nga unë, por besoj dhe nga ekipi dhe tifozëria matjane.

Profesor Bubeqi një trajner me mjaft eksperiencë, më ka ndihmuar shumë për pjesën time të sulmit, pasi ai ka qenë një sulmues tipik dhe më ka dhënë një shtysë shumë të vlefshme personalisht, ndërsa përsa i perket ekipit e mori në një gjendje jo fort komode dhe në fund ia arriti qellimit bashkë me ne, duke e mbajtur në kategorinë e parë, sezonin e kaluar, gjë të cilën e bëri edhe Profesor Klevisi sivjet, që për mua ka shumë vlera, pasi deminstroi vlera të larta profesionale dhe futi një frymë të re trajningu në ekip. Ndoshta ngaqë ishte hera e parë që drejtonte nje ekip si trajner kryesor u impenjua maksimalisht dhe besoj që e arriti qëllimin dhe ja doli të nxjerr në pah punën e tij të palodhur me plot përkushtim dhe profesionalizëm. Nga puna e tij profesionale mund dhe duhej që të kishim arritur edhe më shumë, por ja që futbolli prandaj është i bukur, pasi në momente të caktuara nuk ndodhin ato që mendojmë.

Ndonëse është herët për të ardhmen tuaj, përveç Burrelit a keni ndonjë obsion tjetër?

– Për momentin nuk dua të flas shumë për këtë pjesë, por dua të qetësohem disi dhe në një moment tjetër do të flas edhe për këtë që interesoheni ju. Por mund t’ju them se jam në komunikime me shumë ekipe por Burreli mbetet pjesë e pandshme e imja.

Si kanë qenë raportet e Presidencës me skuadrën, dhe sa e keni përmbushur ju si futbollistë pritshmëritë e tyre?

– Sa i përket drejtuesëve u jemi mjaft falenderus dhe deri diku mund të themi dhe borxhli ndaj tyre, sepse na kanë qëndruar shumë korrekt me pjesën e pagesave, kemi pasur edhe mbeshtetje. Çdo ndeshje me premio, akomodim komod kur kemi patur nevojë. Ata kanë qendruar korrekt me ne, dhe ne i kemi permbushur pritshmëritë e tyre ndoshta jo dhe aq sa duhet.

Adrenalina juaj tifozëria e zjarrtë. Cilat kanë qenë marrëdhëniet e skuadrës dhe ato personale me këtë tifozëri?

– Gjithmonë e kam theksuar dhe e theksoj se në Burrel gjithçka është vetëm futbolli. Kemi shumë mbështetje nga ana e tyre, se ata kanë qenë gjithmonë aty për ne dhe ne për ata. Vetë personalisht, kam marrëdhënie shumë të mira, pasi jam dhe djali i shtëpisë si i thonë, dhe kam disi më shumë peshë sepse dihet mbiemri im, dhe me të drejtë presin shumë më shumë nga unë dhe jam përpjekur t’jua plotësoj dëshirën me golat e mi.

A mendoni se kontigjentini lojtarëve, që mbylli sezonin mund ta përballojë edicionin e ardhshëm, që pritet të jetë më i fortë.

– E permenda dhe më sipër. Kemi një ekip të plotësuar nga lojtar me eksperiencë dhe djem të rinj, që duan të punojnë e të ecin përpara. Me disa afrime vitin tjetër mund t’ja dalim dhe të jemi akoma më lart në renditje dhe në objektiva. Por duhet theksuar se sezonin e ardhshëm kampionati pritet të jetë më i fortë, pasi gjeografia e tij është shtuar, kam parasysh këtu ekipe si Kukësi dhe Erzeni të rëna nga superliga, dhe Valbona e Pogradeci të ardhur nga kategoria e dytë, përfshi dhe ekipet tjera, parashikohet ta bëjnë këtë ligë shumë të fortë, ndaj dhe ne duhet të përgatitemi seriozisht, me objektiva të qarta.

Përgatiti: Martin DEDAJ

Gazetar dhe komentator sportiv

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img