Olsi Gocaj është një nga ata futbollistë që ka spikatur me vite në radhët e Vllaznisë, e pikërisht ish-mbrojtësi në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për shkodranët dhe ecurinë e tyre në këtë kampionat.
Shkodrani thekson se ky është ekipi më i mirë i 20 viteve të fundit i kuqebluve. Ku loja dhe niveli i shfaqur në fushën e lojës deri në këto momente ka qenë bindëse, pavarësisht se Gocaj ka besim se skuadra mund të bëjë akoma më mirë. Në fund ai shprehet se shpreson që ky të jetë sezoni ku Vllaznia do të rikthejë titullin në Shkodër.
Prej disa vitesh në SHBA, por sa herë kthehesh në Shkodër asnjëherë nuk qëndroni larg Vllaznisë…
Vllaznia është zemra e çdo shkodrani, pika e dobët nëse mund ta quaj kështu. E prandaj do jem gjithmonë nëpër stadiume duke e ndjekur sa herë të kem mundësi. Sidomos edhe për ne që kemi mbajtur veshur atë fanellë është një ndjenjë akoma edhe më e veçantë.
Si i keni parë shkodranët deri në këto momente në kampionat?
Një skuadër me mentalitet fitues dhe sulmues, që kërkon të dominojë kundërshtarët nga fillimi në fund të çdo takimi. Do të thoja një ekip me shumë potencial dhe kualitet, që e meriton totalisht kryesimin e Superiores, ku ndoshta mund të kishte edhe ndonjë pikë më tepër për mendimin tim.
Endri ÇINARI