Luhet në “Niko Dovana” dhe skuadra e Devollit është “e dënuar” të marrë 3 pikët, sepse situata në renditje është komplikuar. Janë rikthyer nga dëmtimet Jazxhi dhe Arifi, duke plotësuar grupin. Kapiteni Blerim Kotobelli, në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se me Dimamon duhet fitorja me çdo kusht.
Kotobelli, si është situata para ndeshjes me Dinamon, ku Teuta nuk fiton prej 4 javësh?
Vërtet po kalojmë një moment jo pozitiv, por kemi forcën për ta kthyer situatën në favorin tonë. Duhet të jemi të përulur dhe të japim gjithçka në fushë, pasi lufta sa vjen dhe bëhet më e ashpër. Jo vetëm me Dinamon, por në çdo ndeshje duhet të japim gjithçka nga vetja.
Sa presion krijon pozicioni që mbani në renditje aktualisht?
Nuk e meritojmë të jemi këtu ku jemi, por i tillë është futbolli. Duhet të mësojmë nga dështimet për t’u bërë më të fortë. Synimi ynë është të kalojmë me sukses Dinamon dhe të dalim sa më shpejt nga zona e ftohtë. Kjo skuadër ka karakter të fortë dhe do të rikthehet.
Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Dinamos?
Duhet të rikuperojmë forcat. Me Dinamon është sfidë e vështirë. E shohim si ndeshje radhe, pa humbur respektin për kundërshtarin. Duhet ta fitojmë këtë ndeshje dhe shpresoj shumë t’ia dalim mbanë.
Do t’u kënaqte edhe një pikë në këtë takim, duke ditur situatën?
Teuta kërkon të fitojë çdo ndeshje, nuk jam kënaqur me barazimin. E kemi studiuar Dinamon, ia dimë pikat e forta dhe të dobëta. Do të jetë një përballje interesante, s’kam asnjë dyshim për potencialin e skuadrës.
Zamir QYPI