Për Eni Imamin, mbrojtësin titullar të Vllaznisë, ndeshja e së shtunës me Tiranën ka një të veçantë pasi përballë do të ketë ish skuadrën e tij bardheblu. Emocionet natyrshëm që janë të pranishme, por Imami premton fitore për të ecur drejt realizimit ëndrrës së shkodranëve, rikthimin e titullit kampion në qytetin verior pas një pause 20 vjeçare..
Imami, vini pas barazimit me Skënderbeun, si duket atmosfera në skuadër në pragndeshjen me Tiranën?
“Të them të drejtën jemi zhgënjyer pak nga barazimi me Skënderbeun, pasi prisnim fitoren, por këto janë gjëra që ndodhin në sport. Kemi fituar ndeshje që njerëzve s’ua ka marrur mendja dhe kemi lënë pikë aty ku s’duhet. Gjithsesi, mendoj që jemi në pozicion akoma të favorshëm për të pritur Tiranën. Kam besim që do të dalim me 3 pikë nesër.
Do të luani përballë ish skuadrës tuaj, emocione pa tjetër?
U bë e disa ndeshje që po luaj kundër Tiranës. Kisha emocione kur kam luajtur ndeshjen e parë që isha pjesë e Skënderbeut, pasi ika që atje, kurse tani të them të drejtën nuk kam emocione. Sigurisht është kënaqësi, por vetëm aq.
Pragndeshja me Tiranën në Shkodër po shoqërohet me një atmosferë entuziaste, sa ndikon kjo në rritjen e moralit tek skuadra?
Atmosfera dhe entuziazmi në Shkodër ka ndikuar pak për keq, pasi të them të drejtën, na shpallën kampion përpara kohe, kjo na dha një vetëkënaqësi ne futbollistëve, mendoj që ndaj erdhi kjo rënia kështu. Përveç kësaj pjesë, këtu janë të mrekullueshëm dhe e dashurojnë sportin.
Rezultatet negative të javëve të fundit e kanë nxjerrë nga pretendimet Tiranën, ndikon ndopak kjo për këtë ndeshje?
Unë kam qenë dy vite pjesë e Tiranës dhe e di që pretendimet e tyre do të jenë deri në javën e fundit të kampionatit. Duke ditur këtë gjë, kam vlerësim maksimal, si unë dhe stafi drejtues.
Mendoni që një fitore ndaj Tiranës, e ofron më shumë Vllazninë pranë titullit kampion?
Unë mendoj që edhe kur ishim 9 pikë përpara, e kam thënë që kampionati është shumë i gjatë dhe shumë i vështirë, por sigurisht që një fitore nesër, na jep moral dhe besim. Të thuash që na shpall kampion, nuk e them dot.
Keni frikë nga aleancat që mund të shfaqën në kurriz të Vllaznisë?
Unë nuk e di nëse janë bërë ndonjëherë aleanca, të paktën këtë vit në kampionatin shqiptar. Ne do shikojmë punën tonë. Në fund do i bëjmë hyzmetin, çfarë të jetë kismet do e arrijmë.
Imami ka shënuar pak në këtë sezon, por një gol ndaj bardhebluve do të ishte kënaqësi për ju dhe vlerë për skuadrën.
Golin çdokush e do. Mendoj do ishte perfekt, por le të shënojë kush të shënojë, të fitojmë, ajo ka më shumë rëndësi.