Vllaznia e 2021-shit, por edhe pritshmëritë e vitit të ardhshëm të 2022-shit kanë ardhur përmes një rrëfimi të gjatë që presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi ka bërë në biseden me kryeredaktorin e Panorama Sport, Jetmir Halilaj, intervistë që ju ftojmë ta ndiqni në vijim.
Çfarë note do t’i vendosni Vllaznisë për 2021-shin?
Do ta ndaja në dy pjesë, në fillimin dhe fundin e kampionatit të kaluar, që do t’i vija notën 9 sepse nuk arritëm titullin kampion, por arritëm Kupën, ndërkohë që për pjesën që sapo ka filluar do t’i vendos notën 8. Kjo notë, sepse nuk jemi aty ku ne pretendojmë.
Sipas jush, çfarë mund të kishin bërë më shumë?
Nëse flasim për gjithë vitin, Vllaznia ka arritur nivele shumë të mira, krahasimisht me dhjetëvjeçarin e fundit. Për këtë jemi shumë të kënaqur. Por, nëse i referohemi pyetjes se çfarë mund të kishte bërë më shumë, sigurisht që ka vend për shumë përmirësime. Ka vend këtu për të ulur euforinë tek ekipi. Të qëndrojmë me këmbë në tokë. Tani, në këtë sezon që kemi hyrë, kemi pretendime të reja dhe mendoj se Vllaznia duhet të bëjë shumë më tepër sesa sezoni i kaluar.
A morët ndonjë dhuratë nga skuadra?
Në kuptimin simbolik, unë mund ta quaj të gjithë sezonin shumë të mirë dhe nëse flasim për rikthimin e emrit të Vllaznisë, kjo është një dhuratë që ma ka dhënë skuadra mua dhe ne ia kemi dhënë qytetit. Nëse flasim për fundin e këtij viti, ndeshja me Kukësin duhej fituar, pavarësisht se skuadra luajti shumë mirë, por goli nuk doli. Nuk ishte risku për ta fituar atë ndeshje. Unë jam i kënaqur me çunat dhe i gjithë viti për mua është një dhuratë, për atë që kemi arritur.
Keni ndonjë peng nga 2021-shi?
Dihet pengu ynë, ai që nuk arritëm të merrnim titullin kampion. Mënyra si u shkëputëm dhe nuk arritëm ta menaxhonim këtë si duhet. Sigurisht që ky është një peng, pasi nuk arritëm të fitonim titullin. Të tjerat pastaj nuk mund t’i quaj pengje, sepse janë procese normale, vazhdimësie, merkatoje, rezultatesh. Kështu që pengu më i madh është mosarritja e titullit, pas asaj çka dhamë në fund të vitit të kaluar.
Çfarë e bezdis Xhaferin si president i Vllaznisë gjatë kësaj kohe që ju e drejtoni klubin?
Futbolli ka shumë problematika në Shqipëri dhe në përgjithësi futbolli është një sfidë në vetvete, por nëse mund t’i ndajmë problematikat, ajo që na bezdis me të vërtetë është infrastruktura në Shkodër.
Pse?
Sepse ne nuk arrijmë kushtet optimale për ekipin ose t’i ofrojmë infrastrukturën e duhur, në mënyrë që ata të stërviten dhe të rrisin nivelin. Kjo është pjesa që na bezdis, sepse po punojmë shumë për të ndërtuar të paktën një infrastrukturë bazë.
Ky është ai kompleksi që presim vitin tjetër të inaugurohet shumë shpejt. Pastaj, të kemi një kompleks shumë më modern që të ketë të përfshirë akademinë, ekipin e parë dhe të shërbejë për gjithë zinxhirin e Vllaznisë. Kjo është e vetmja gjë që e bezdis Xhaferin.
Por, sigurisht që futbolli në vetvete ka sfidat e veta, ka angazhimet e veta, por kjo është diçka që ne i kemi hyrë me motivin e mirë për të ecur përpara dhe është një zgjedhje që kemi bërë.
Midis dhjetë presidentëve të Superiores, atyre që ishin vjet dhe këtyre që janë sivjet, me kë keni raporte më të afërta?
Unë jam president i ri dhe e respektoj historikun e tyre, kontributin që kanë dhënë për skuadrat e tyre, ndaj për mua jo vetëm janë për t’u lavdëruar, por janë heronj në vetvete sepse të kontribuosh për sportin dhe të japësh miliona euro në ditët e sotme është diçka që me të vërtetë na nxjerr përtej mundësive tona.
Gjithë ai shpenzim dhe angazhim është të lësh mangët shumë gjëra të tjera për t’ua ofruar këtë kënaqësi sportdashësve. Kështu që për mua të gjithë presidentët që kontribuojnë në ekipet e sportit në Superiore, por edhe në ekipet e Kategorisë së Parë, për mua janë heronj dhe janë për t’u përgëzuar.
Por, nuk ma thatë me kë ndiheni pak më i afërt…
Nuk kam mbaruar… Qeveria nuk ka miratuar një listë për sportin dhe nuk kemi iniciativën e duhur për të zhvilluar pjesën financiare. Pastaj, nëse flasim për raporte, unë do t’i isha referuar modelit të Ardian Takaj, një model që në momente të caktuara dha përtej një hapësire shqiptare dhe ofroi një menaxhim model e një ekip model, pavarësisht problemeve që dolën mbrapa.
Ajo ishte fatkeqësi jo vetëm për atë skuadër, por për gjithë futbollin shqiptar.
Marrëdhënia me të është ndoshta një marrëdhënie e ngushtë, duke u munduar këtu të marr edhe atë eksperiencën pozitive që Takaj ka arritur te Skënderbeu. Por, sigurisht nuk dua të lë pa përmendur edhe presidentin Demi, presidentin Halili, atë të Teutës Hasanbelliu, që për mua janë shokë të mirë dhe duhen përgëzuar për punën e tyre, pa anashkaluar edhe presidentët e tjerë.
Sigurisht që edhe me atë të Dinamos edhe me të Erzenit, që janë presidentë të rinj dhe kam vënë re se kanë shumë ambicie për të ecur përpara dhe janë për t’u përgëzuar. Absolutisht që kemi marëdhënie të mira me atë të Kastriotit dhe Laçit gjithashtu.
Ju i vendosët një notë skuadrës, po trajnerit çfarë note do t’i vinit?
Për trajnerin mund të ketë disa shkallë vlerësimi. Nuk mund t’i vë një notë të përgjithshme.
Në kompleks, nota “vjetore” quhet kjo…
Unë po e vlerësoj në tri shkallë. Në shkallën e parë, një trajner i cili motivon skuadrën dhe krijon një ambient shumë të mirë për lojtarët. Këtu do t’i vija notë maksimale. Ndërsa në shkallën teknike, gjithashtu, do t’i vija një notë maksimale.
Ndoshta në implementimin e elementit të ri dhe elementit që ne duam të promovojmë në skuadër, këtu do t’i vija një notë mesatare. Por, gjithsesi është filozofia e tij.
Në përgjithësi trajneri i ynë meriton, nuk po them 10, por 9 sigurisht që e meriton.
Folëm pak për dhuratat me që është fundviti… Po ju a keni projektuar ndonjë afrim tjetër apo mendoni që me këtë skuadër mund të luftohet deri në fund denjësisht?
Fillimisht dua të them që ne me këtë skuadër duhet të arrijmë lart, mund të arrijmë absolutisht edhe titullin kampion që e kemi vënë objektiv. Unë kam besim të plotë te djemtë, sepse mendoj që nga ndeshja në ndeshje ata vijnë duke u përmirësuar dhe duke u harmonizuar grupin.
Sa i takon pjesës së merkatos, dua të jem pak i rezervuar sepse janari dihet që krijon pak vështirësi në merkato, duke pasur parasysh edhe kohën e shkurtër, por jemi duke parë mundësinë te pjesa e mesfushës apo sulmit për të bërë një përforcim. Megjithatë, të shohim.
A është e vërtetë që keni tentuar Kallakun?
Kallaku është një lojtar i vlefshëm për ekipin tonë dhe si pozicion. Ne jemi në diskutime, por duke pasur parasysh që të gjitha skuadrat kanë nevojë për një lojtar si Kallaku, le t’ia lëmë kohës këtë dhe ai do të bëjë zgjedhjen e tij, megjithatë ne jemi të interesuar. Këtë e konfirmoj.
Cili është lojtari me të cilin gjatë kësaj periudhe keni krijuar një lloj afeksioni, pra një lloj raporti më të afërt?
Kjo është një pyetje e vështirë për mua, sepse mendoj që të gjithë djemtë janë shembullorë. Sigurisht, që kemi kritikat tona që ia bëjmë për mirë dhe ata e kanë kuptuar tashmë këtë gjë, kemi rezervat tona në pjesën e performancës, kemi rezervat tona në momente të caktuara, sikurse edhe i inkurajojmë dhe u japim një motivim të fortë dhe i përgëzojmë aty ku duhet.
Por, afeksioni me disa lojtarë shkodranë edhe mund të jetë pak më i madh, duke marrë parasysh njohjet e kahershme me ta. Kapiteni Gurishta mendoj se është një model shumë i mirë dhe kam një marrëdhënie shumë speciale me të. Krymi, gjithashtu, është një lojtar me të cilin kam një marrëdhënie shumë speciale.
Megjithatë, nuk dua t’i marr me radhë, por mendoj se jam i lumtur dhe jam me fat që kam një grup lojtarësh të tillë.
A e keni ngritur ndonjëherë zërin me ndokënd në klub?
Sigurisht që ka ndodhur, në momente të caktuara, në kohë vështirësish kemi bërë kritika, kemi bërtitur, e kemi tejkaluar ndonjëherë edhe masën sepse sporti është një emocion dhe në ndonjë moment ndoshta del edhe jashtë vetes. E kemi bërë këtë, por gjithçka ka qenë në të mirë, në funksion të ekipit, për të ecur përpara.
Meqë ju vjet shkuat deri në fund për titullin dhe fituat edhe Kupën, nëse sivjet nuk ia dilni të fitoni titullin, a quhet dështim?
Ne kemi disa objektiva, por ai kryesori është fitimi i titullit. Por, në kontekstin e objektivave minimalë ne kemi pjesëmarrjen në Kupat e Europës dhe sigurisht edhe për Kupën e Shqipërisë po luftojmë. Kështu që, brenda këtyre objektivave, unë mendoj se deri tani jemi plotësisht në garë.
Na thoni të drejtën, cilin shikoni më shumë nga kundërshtarët?
Unë nuk shikoj asnjë, por shikoj vetëm Vllazninë. Po të them të drejtën.
Jetmir HALILAJ