Sunday, November 24, 2024

Intervista / Presidenti Duka: Besoj te Shqipëria, i kemi të gjitha mundësitë për të dalë të parët e grupit!

Lexo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin LOG me gazetarin Endri Xhafo në televizionin “News 24”, ku foli për ndeshjet e fundit të Kombëtares në Nations League, punën e trajnerit Sylvinho me Kombëtaren, aktivitetet e UEFA-s në Shqipëri apo edhe kandidatura për të organizuar finalet e Euro 2027 për U-21.

Gjithashtu, Presidenti Duka foli edhe mbledhjet e rëndësishme të UEFA-s, që do të zhvillohen në Tiranë apo marrëdhëniet me qeverinë.

Më poshtë, intervista e plotë:

– Ndeshjet me Çekinë dhe Gjeorgjinë: E lëmë për një moment aspektin sportiv dhe flasim për atë moment shumë të shëmtuar të flamujve në stadium, kokëposhtë, përveç parullave. Një nga kritikat që po ju bëhet është që nuk kërkuat që këta flamuj të hiqeshin përpara se të fillonte ndeshja. Cili është komenti juaj? 

– Shiko ata flamuj nuk kanë lidhje me lojën e futbollit dhe nuk duhet të ishin aty. Nuk duhet të jetë asgjë që cenon dikë tjetër, që cenon, le të themi, një popull tjetër, apo qoftë edhe një individ tjetër. Nga asnjë palë dhe as nga tifozët çekë. Unë nuk mendoj që janë tifozët çekë, por është një grupim ultras, apo disa individë qe e kanë bërë atë gjë. Pastaj nuk merrem me këto komentet idiote, por me fenomenin, i cili nuk duhet të ekzistojë! Dhe loja ka rregulla. Organizimi ka rregulla. Aty ka një delegat ndeshjeje, i cili nuk duhet t’i lejojë dhe t’i heqë. Nëse i ka hequr në minutën e duhur apo jo, nëse ne e kemi njoftuar apo jo, kjo është një çështje e jona e brendshme dhe ne e kemi bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. 

– Kur keni kërkuar ju të hiqen? 

– Tani këtu nuk jemi në hetuesi për të dhënë minutën se kur ne e kemi njoftuar delegatin, por po ju them që në mënyrën më të mirë të mundshme, në momentin që ne i kemi parë… Se nuk është kollaj në stadium, është e lehtë ta shohësh nga ekrani dhe është më e vështirë ta shoh ta shohësh nga tribunat…

– Më vjen keq që ju po e perceptoni intervistën tonë si hetuesi.

– Është e lehtë të hedhësh baltë, por është shumë e vështirë të ndërtosh dhe të bësh punë, apo ta bësh kombëtaren shqiptare të jetë dy herë pjesë e Europianit, apo ta bësh në mënyrë të atillë që, në Çeki, të mërzitemi shumë për humbjen! Se vërtetë u mërzitëm shumë pse e humbën ndeshjen në Çeki.

– Do të flasim edhe për aspektin sportiv, por po e riformuloj pyetjen për t’ju hequr merakun të gjithë njerëzve. 

– Nëse ti do të degradosh një ndeshje të ekipit kombëtar në Çeki me flamujt, kjo është gabim më i madh që mund të bësh.

– Jam shumë dakord, atëherë më lejo të të bëj vetëm riformulimin e pyetjes. 

– Do të me lësh ti mua të flas, se nuk kam ardhur unë të të dëgjoj ty.

– Nuk ke ardhur të më dëgjosh, po pyetjet do të t’i bëj. 

– Padyshim që ajo është një ngjarje e shëmtuar, një ngjarje e dënueshme, që nuk ka lidhje me lojën, nuk ka lidhje me ne, që e kemi dënuar në çdo kohë.

– A mund të vonohej fillimi i ndeshjes derisa të hiqeshin këta flamuj, kjo është pyetja? 

– Në momentin që ata i kanë parë, kanë tentuar t’i heqin dhe i kanë hequr mesa di unë ata flamuj.

– Ju e bëtë ankesën, se njoftuat që do të bëni ankesë? 

– Ne kemi bërë një deklaratë publike pas ndeshjes, ku padyshim i kemi dënuar, dhe normalisht çdo njeri i dënon, fenomene të tilla. Jo vetëm atë me flamujt, por çdo gjë tjetër që ndodh në shkallët e stadiumit padyshim. 

– E çfarë vazhdimi ka? 

 Kemi bërë një ankim zyrtar në Komisionin e Disiplinës në UEFA, por nuk lumturohemi nga dënimi i Federatës Çeke, lumturohemi nga eliminimi i fenomeneve. Nuk është lumturia jonë se sa dënohet Federata Çeke, që padyshim që do të dënohet, sepse këto janë rregullat e organizimit. Nëpërmjet dënimit dhe gjobave UEFA ka gjetur mënyrën e parandalimit ose të eliminimit, por nuk është qëllim në vetvete, sepse edhe të ardhurat që UEFA vjel nga këto shkelje nuk shkojnë në buxhetin e UEFA-s, por shkojnë për bamirësi.

– Ah, interesante kjo! Mirë, vijmë te ndeshja në aspektin sportiv të saj. Besoj më të qetë, se i hoqëm meraqet. Shqipëria është e treta me 6 pikë, aq sa Gjeorgjia e dyta, Çekia e para me 7 pikë. A kemi shanse të dalim të parët në grup me dy ndeshjet e fundit që i luajmë këtu në Shqipëri?

 Grupi është i balancuar në nivelin e ekipeve, i balancuar me gjendjen e klasifikimit që ka sot, kështu që çdo gjë mund të ndodhë në dy ndeshjet e fundit. Objektivi ynë që nga fillimi i këtij kompeticioni ka qenë që të jemi të parët e grupit dhe këtë do të vazhdojmë ta tentojmë në dy ndeshjet e fundit në nëntor në shtëpi kundër Çekisë dhe Ukrainës.

I kemi të gjitha mundësitë për ta arritur! I kemi të gjitha mundësitë për të marrë 6 pikë, – sikurse edhe më pak, – sepse ky është futbolli. Aq më shumë në këtë kompeticion dhe në këtë grup, i cili vërtetë është shumë i balancuar dhe mund të sjellë çdo surprizë. Të gjitha skuadrat e synojnë vendin e parë dhe e kanë mundësinë ta arrijnë vendin e parë.

Avantazhi që ne kemi është që luajmë në shtëpinë tonë. Mendoj dhe uroj që ekipi, futbollistët, ta shfrytëzojnë këtë si energji pozitive dhe mos jenë nën presion, siç ndodhi me Italinë në pjesën e parë në Europian, ku prania e tifozëve e rriti më shumë presionin dhe ekipi nuk arriti të shfaqë vlerat e veta reale. Uroj që në këto dy ndeshje ekipi të shprehë atë që di të bëjë më mirë dhe unë uroj që të ketë edhe fat dhe t’i fitojë ndeshjet.

– Kur u bë “Nations League” u tha që është një lloj zyrtarizimi i kalendarit të ndeshjeve miqësore. “Të parët e grupit” çfarë do të thotë? Që do të ngjitemi në një ligë më sipër, ku do të luajmë me disa ekipe më të mira që do të na zhdëpin pastaj? 

– Më pëlqeu kjo e “zhdëpmja”! Atëherë kthehemi tek koha e “Xhaxhit” dhe ndërpresim përfaqësimin ndërkombëtar, siç e ndërpreu ai për 10 vite që të mos na zhdëpnin.

Por ne luftojmë që të shkojmë çdo ditë më lart! Dhe sa më lart të shkojmë, aq më e vështirë bëhet, nëse pretendon të rritesh. Kështu që ajo çfarë sjell Nations League është që vendi i parë shkon në Ligën A dhe ne në Ligën A nuk na zhdëpin, por ne luajmë si të barabartë, pavarësisht se ne mund të humbasim, fitojmë apo barazojmë.

Siç kemi bërë me tre më të mirët e Europës, kundër Italisë, Spanjës dhe Kroacisë në Europian, dhe nuk ka zhdëpën. Nëse dalim të parët shkojmë në Ligën A, kemi një shans për të luajtur në play-off për eliminatoret e Kampionatit Botëror, nëse jemi në vend të dytë do të luajmë play-off për t’u ngjitur në Ligën A.

Nëse jemi në vend të tretë do të luajmë play-out për të dalë në grupin C dhe nëse jemi në vend të katërt dalim në grupin C. Pra, është një kompeticion ku çdo ndeshje, çdo gol, çdo pikë është shumë e rëndësishme për të ecur përpara!

– Vijmë pak tek Silvinjo, i cili është përballur me kritika në aspektin sportiv.

– Të tipit?

– Formacionet, zëvendësimet, lojtarët që angazhon… 

– A mendon që do të ketë trajner në botë që të mos kritikohet? Ai do të kritikohet kur fiton, por akoma edhe më shumë kur humb dhe janë me vend dhe janë të drejta.

Sepse të analizosh një ndeshje futbolli pasi ajo ka ndodhur është e lehtë, por ta parashikosh përpara se të fillojë është e vështirë. Dhe jemi në këto kushte. Trajneri mendon më të mirën kur e fillon. Dhe unë mendoj që edhe vetë trajneri pas ndeshjes ka kritika për veten e vet, që një gjë mund ta kishte bërë ndryshe dhe mund t’i kishte rezultuar më mirë.

Por është post-factum. Kështu që kritikat janë me vend, në futboll ka shumë zgjidhje, në fushë trajneri gjen një skemë, një përshtatje të ekipit që pas ndeshjes mund të rezultojë jo shumë e përshtatshme, qoftë edhe vendimet për futbollistët që fut në fushë.

Përderisa Çekia ishte një ndeshje e humbur, me performancë jo pozitive, kritikat janë me vend! Ato që janë kritika, Silvinjo, – dhe çdo Silvinjo tjetër, – duhet t’i shënojë dhe t’i reflektojë në punën e tij; jam i sigurt që çdo njeri, edhe nëse nuk e pranon publikisht, faktikisht e bën.

– A është Silvinjo nga ata njerëz që reflekton? Një ish-trajner i Kombëtares thoshte dikur që “ne maksimumi 15 lojtarë kemi, pra nuk kemi shumë mundësi zgjedhje”. Sot Silvinjo duket që nuk e ka problemin e pararendësve të tij. A është ai peng i skemave apo ideve fikse që ka në kokën e vet, apo reflekton post-factum, kur gjëja ka ndodhur, siç thatë ju? 

– Është e vështirë që një trajner futbolli ta pranojë me gojën e vet që bëri ndërrimet me vonesë, apo nuk bëri zgjedhjen e duhur. Nga eksperienca ime kam parë pak që ta pranojnë. Unë jam i bindur që në vetvete gjithkush reflekton.

Silvinjo për mua është një trajner që ka dhënë shumë për ekipin kombëtar, që ka një performancë totale pozitive, padyshim që ka gabimet dhe të metat e veta, siç i kemi të gjithë ne.

Por përkushtimi dhe profesionalizmi i tij është për t’u admiruar dhe fatmirësisht për ne edhe rezultatet e tij me kualifikimin në Europian dhe, qoftë edhe me rezultatet tani në Nations League, janë për t’u lavdëruar.

– Ndalemi te Europiani. Një gjë që unë e kam edhe kuriozitet, por edhe shqetësim për të sqaruar opinionin publik është aspekti i biletave. Ka pasur shumë akuza se në shitjen e tyre ka pasur dorë Federata, individë brenda Federatës, që biletat janë dhënë për qoka, për shembull për agjenci turistike që shisnin paketa turistike me bileta… Dhe biletat në treg mbaruan shumë shpejt… Po ju jap një mundësi që të sqaroheni. 

– Këtë diskutim e kemi bërë një mijë herë. Biletat kanë qenë online, nëpërmjet një shorti nga UEFA, janë shpërndarë në mënyrë të tillë. Dikush ka fituar, shumëkush nuk ka fituar. Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një sasi biletash vetëm për grupimin e tifozave që i ka dhënë në grup dhe për sponsora apo për anëtarët e saj. Kjo ka qenë gjendja. Pjesa tjetër e biletave është shpërndarë dhe shitur nga UEFA. Pastaj, këto teori konspirative nuk do të përfundojnë kurrë.

– Silvinjo është i vetmi trajner i kombëtares shqiptare që për shkak të një formule, – dhe juve bravo ju qoftë që e keni arritur, – paguhet nga qeveria dhe jo nga Federata e Futbollit, në sajë të një donacioni diku te 800 mijë euro, që FSHF ka marrë nga qeveria, siç ka marrë miliona edhe Komiteti Olimpik Shqiptar. Ka një kuriozitet sot në komunitetin sportiv, që me rinovimin e kontratës për dy vitet e ardhshme, a e ka futur ndopak FSHF dorën në xhep, apo Silvinjo vazhdon paguhet nga fondi i akorduar nga qeveria?

– Silvinjo ka kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe paguhet nga FSHF. Këto teoritë e tjera nuk janë me vend. Qeveria shqiptare vërtetë i ka akorduar një fond Federatës Shqiptare të Futbollit për vitin 2024, i cili nuk e di nëse është 700 mijë, më shumë apo më pak, por paga dhe bonuset e Silvinjos dhe të ekipit kombëtar janë shumë miliona euro.

– Që do të thotë që shkojnë përtej atyre që paguan qeveria? 

– Silvinjo ka një marrëdhënie kontraktore vetëm me Federatën e Futbollit dhe paguhet nga Federata e Futbollit. Nuk besoj se ka ndonjë interes të madh kjo punë. Nëse doni të dini edhe fondet që merr FSHF nga qeveria, për vitin 2024 është diku tek 600 – 700 mijë euro.

– A nuk është e vërtetë që keni zgjedhur ju ta mbani larg qeverinë për të mos pasur kokëçarje pastaj me auditimin e fondeve që ju japin ata? 

– Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie bashkëpunimi dhe financiare edhe me ju, nëse doni të sponsorizoni për Federatën, për ekipin kombëtar. Ne jemi shumë të hapur, për qeverinë, akoma më shumë për bizneset…

Kemi të njëjtat raporte dhe ne kemi shumë sponsorë nga bizneset shqiptare dhe këto janë të ardhurat tona kryesore. Së fundmi, kemi edhe nga qeveria. Por realisht, në përputhje me përqindjen e buxhetit të FSHF-së, realisht është shumë i vogël ai kontribut i qeverisë. Është më pak se 5 përqind e buxhetit.

– Ndalemi një moment te fitorja me Gjeorgjinë, që të mos e harrojmë përpara se të ecim përpara: Ishte shumë e bukur! 

– Çdo fitore gjithmonë është e bukur, por kjo vërtetë ishte në një moment të duhur, sepse i shërbente moralit të skuadrës.

– Mirë, flasim pak për aktivitetet ndërkombëtare që do të zhvillohen në Tiranë. Më 1 nëntor kemi një takim të UEFA-s në Tiranë të Komitet të Medias, ndërkohë që pas një viti kemi Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë. 

– Po, kemi një takim të Komitetit të Medias në Tiranë. Pastaj kemi një takim shumë të rëndësishëm të 55 federatave europiane në Tiranë për përgjegjësinë sociale dhe ambientin, një nga strategjitë e UEFA, për të ndikuar në ndryshimin e jetës së njerëzve, qoftë edhe në ambientin përmes futbollit, nëpërmjet influencës që ka futbolli.

Ky është vërtetë një aktivitet shumë i rëndësishëm për organizatën europiane të futbollit. Pastaj vitin e ardhshëm kemi goxha aktivitete, fillojmë me kampionatin europian për 17-vjeçarët në Shqipëri, pastaj në shtator do të kemi mbledhjen e Komiteti Ekzekutiv UEFA-s.

– Çfarë do të thotë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në Tiranë? Të gjithë bosët, të gjithë e futbollit europian, – jo në kuptim pezhorativ, – që vijnë në Shqipëri? 

– Kjo nuk është një gjë që ndodh vetëm në Shqipëri. Ka kohë që Komiteti Ekzekutiv ka dale nga Nioni i Zvicrës dhe bën mbledhje edhe në vende të ndryshme. Dhe duke qenë neve një vend i përshtatshëm dhe mikpritës, shumë i mire, unë i propozova Komitetit Ekzekutiv që të kemi mbledhje vitin e ardhshëm në Tiranë dhe kjo u pranuar nga Komiteti Ekzekutiv me kënaqësi. Ne jemi mikpritës të mirë, kemi dëshmuar që jemi organizatorë të mirë të të gjitha eventeve.

– Besoj u rakorduat me qeverinë për këtë aktivitet apo jo? 

– Ne jemi pjesë e Shqipërisë dhe organi më i lartë i qeverisjes së vendit është qeveria. Dhe nuk mund të bësh një aktivitet pa marrë një miratim nga qeveria, se përveç sigurisë, organizimi ka edhe një element politik, kështu që padyshim për çdo lloj aktiviteti marrim një miratim nga qeveria, që edhe do të përfshihet. Sepse nuk e bën dot vetëm, edhe të duash.

– Si ishte reagimi i Edi Ramës? 

– Fantastike! 

– Ju jeni anëtari më i zgjedhur me vota në rizgjedhjen tuaj si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Madje kujtoj që Kryeministri Edi Rama bëri një status dhe tha “ky është një nder për Shqipërinë”. Por ndërkohë shqiptarët ju kritikojnë shumë. Çfarë shohin më shumë shqiptarët që të huajt nuk e shohin? 

– Larg qoftë që të mos kemi kritika. Sa më shumë të punojmë, të kemi rezultate, të kemi arritje, aq më shumë do të kemi kritika. Se nëse do të rrimë në shtëpi dhe nuk do të bëjmë asgjë, jam i sigurt që nuk do të kemi asnjë kritikë. Kritika nuk do të thotë që nuk të mbështesin, apo nuk të duan. Kritika të bën akoma më të mirë, të duan të mirën domethënë. 

– Po ju tregoj një histori paksa anekdotike, por të vërtetë. Kur erdhi në Shqipëri presidenti i Federatës Angleze të Futbollit në kohën që ndërtohej “Air Albania Stadium”, në atë kohë ka qenë, ju komplimentoi juve për stadiumin dhe infrastrukturën sportive dhe tha “duhet të marrim shembull nga Armand Duka”. Një nga kritikët tuaj, që e dëgjoi, vuri duart mbi gojë dhe i tha një kolegu: E qepa unë, kur tha edhe anglezi duhet të marrim shembull nga Duka. Kështu që meqë jemi të infrastruktura, a ka një koment Presidenti i FSHF për faktin që te “Selman Stërmasi” do të ndërtohet një kompleks pallatesh? Pyetja ime është pa ironi: A do të kemi një stadium me kullë, kullë me stadium, si do të jetë? 

– Unë jam në dijeni të projektit, madje na kanë ftuar që të japim kriteret që duhet të plotësojë stadium për të qenë një stadium i kategorisë së 4-t. Ai institucioni shtetëror që ka në kompetencë këtë lloj organizimi, na ka kërkuar që ne t’i dërgojmë kriteret.

– Çfarë do të thotë “kategori i 4-t? Domethënë te “Selman Stërmasi” kur të mbarojë, çfarë ndeshjesh mund të luhen?

– Kategori e 4-t do të thotë që luhen të gjitha ndeshjet, përveç finales së Champions League. Ne i kemi dërguar këto kritere, janë pranuar nga ky institucion shtetëror dhe unë jam shumë i gëzuar që kjo do të ndodhë, ky stadium të bëhet, se do të thotë që Shqipëria do të ketë një tjetër stadium me kushte optimale.

Pastaj nëse do të ketë kulla, apo nuk do të ketë kulla, apo çfarë do të ketë, ambiente tregtare rreth e qark, të them të drejtën nuk e di, sepse akoma nuk ka një projekt të detajuar, por është në fazën e mbledhjes së kritereve. Për të qenë transparent, Federata e Futbollit nuk merr pjesë me financim në këtë projekt.

– Kush do ta administrojë atë stadium? Sot e administron Futboll Klub Tirana? 

– Nuk di ta them, Federata e Futbollit, jo! As financon, as do ta të menaxhojë stadiumin “Selman Stërmasi”. Padyshim jemi pjesë thjeshtë për të sjellë në tavolinë kriteret që duhet të plotësojë stadiumi për të qenë një stadium kategorisë 4.

– Një nga njerëzit që ka qenë kritik me ju kohët e fundit është ish-drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ish-futbollist i kombëtares dhe jo vetëm, por edhe Lorik Cana, etj. Është një detaj që ju nuk e përmendët te aktivitetet e ardhshme, por që ka të bëjë me kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për të organizuar kampionatin e U-21. Tani unë e di çfarë keni thënë ju, që Shqipëria nuk mund ta organizonte e vetme, iu drejtuam Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë, nuk bëheshin dhe si përfundim mbeti Serbia. Këtë argument tuajin, e di. Plus ata do të bëjnë ndeshjet e tyre në Serbi, ne do të bëjmë tonat këtu. Por a e keni menduar ndonjëherë që edhe për shkak të gruptifozëve shumë të zjarrtë që janë nga përtej territoret e Shqipërisë, kombëtarja kuqezi të mbetet në të ardhmen pa lojtarë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut? 

– Padyshim që ka kritika për këtë, sepse ka një lloj sensibiliteti për arsye të historisë. Eventi është shumë i madh për Shqipërinë, por nuk është i madh për Gjermaninë, që mund të organizojë Botëror, Europian dhe kompeticione madhore. Shqipëria me infrastrukturë modeste jo vetëm sportive, e ka event vërtet shumë të madh për ta organizuar këtë aktivitet e vetme, sepse është e pamundur, ndaj duhet të bashkohesh me një tjetër.

Garimi bashkë me Serbinë i jep akoma më shumë shanse, qoftë edhe për vetë ndjeshmërinë që ka ky lloj organizimi i përbashkët dhe për mesazhin e paqes që jep. Sepse në fund të fundit edhe kur votohet, ndikon fakti që kjo shkon përtej futbollit. Kemi vërtet organizimin e Kampionatit Europian, por kemi edhe një mesazh që duhet të na udhëheqë që të jetojmë në paqe. Igli apo Loriku kanë qenë “soft” në kritikat e tyre, sepse ka edhe të tjerë më keq.

Por unë i ftoj të gjithë që të arsyetojnë duke logjikuar, dhe jo me emocion. Përfitimi është shumë i madh, sportiv, politik dhe shoqëror, për Shqipërinë dhe për Kosovën, qoftë edhe për integrimin e Kosovës. Kështu që le ta shohim në këndvështrimin pozitiv, si një zhvillim pozitiv. Dhe unë jam shumë i bindur që është një zhvillim pozitiv dhe një shërbim i mirë që i bëhet popullit shqiptar!

– A ju duket ndopak vetja si Edi Rama kur u takua për herë të parë me Vuçiç, që në të gjitha trojet shqiptare i thonin “mos shko, mos shko në Beograd” dhe ai shkoi dhe ja ku jemi sot që vjen Vuçiç në Tiranë dhe askujt nuk i bën më përshtypje?

– Nuk ka lidhje futbolli me Vuçiçin. Unë jam i bindur që mesazhi është shumë i mirë. Mbase janë të bindur edhe disa nga këta që kritikojnë, por për populizëm u intereson më shumë që të thonë të kundërtën.

– Meqë përmendët populizmin, t’ju pyes: Igli Tare ka ndonjë ambicie për t’ju zënë vendin që ju kritikon, apo me atë nenin 10 në statut të FSHF-së, sipas të cilit duhet të jesh rezident 10 vjet në Shqipëri, ju e keni përjashtuar Taren dhe të tjerë si ai? 

– Tani eja të diskutojmë statutin. Ky neni 10, 12 apo 55 nuk ka ndryshuar kurrë. Ka qenë kështu para se të vija unë në federatë dhe është po ashtu. 

– Zotëria është përfolur si një kandidaturë në hije për kreun e FSHF. 

– Absolutisht është i përshtatshëm dhe është një nga figurat kryesore të futbollit shqiptar me kontribute të mëdha, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë!

– Po, por duhet të vijë të rrijë nja 10 vjet këtu. Nejse. Jam dakord me ju për kampionatin, nuk kam asnjë lloj problemi të bëhet me Serbinë. 

– Ekipi shqiptar do të luajë në Shqipëri, ekipi serb do të luajë në Serbi.

– Këtë thashë unë në fillim…

 Tetë skuadra do të luajnë këtu, tetë skuadra do të luajnë atje. Duke menduar dhe logjikuar, apo edhe për pragmatizëm, më mirë ta kemi një kampionat europian apo më mirë mos ta kemi? Po kthehem edhe unë te kritikat, mos bëjmë asgjë që të mos kemi asnjë kritikë.

– Tani jeni bërë si Edi Rama, “nuk ka reklamë të keqe, mjafton që të flasin”. 

– Absolutisht mua nuk më interesojnë reklamat, më intereson vetëm puna!

– Këto kohë po flitet për integrimin e Shqipërisë në BE. Ndërkohë që ju jeni integruar edhe personalisht, – sepse jeni Zv.President i UEFA-s, jeni anëtar i Komiteti Ekzekutiv të UEFA-s, – por edhe përmes futbollit, sepse Shqipëria ka marrë pjesë 2 herë në një finale Europiani gjatë drejtimit tuaj dhe ambicien e ka për të vazhduar më tej… “integrimi përmes futbollit” e quaj unë dhe jua kam thënë edhe privatisht këtë. Tani, që t’i rikthehem pyetjes që ju bëra pak më herët. Atje në Zvicër ku ju jeni, ku këtë sensibilitetin tonë ballkanik e marrin dhe e shohin si pozitive, ndërkohë që unë vetë jam dakord me ju dhe nuk po ju kundërshtoj, por… por… a mund të ekzistojë një rrezik qoftë edhe minimal që të impaktohet përbërja e kombëtares tonë, nga elementi shqiptar i Kosovës dhe i Republikës së Maqedonisë së Veriut? Apo ky është një rrezik që ju e merrni përsipër?

– Të gjithë e dinë që ajo është kombëtarja e shqiptarëve, nuk është kombëtarja e shtetit shqiptar, këtë e kemi thënë disa herë, do të vazhdojë të jetë kështu në politikën dhe strategjinë tonë me dyer të hapura për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Unë e shoh si kontribut qoftë personal, qoftë edhe të FSHF-së, si një qelizë e jetës shqiptare për të shkuar Shqipëria në Europë. Nëse futbolli ka një kontribut pozitiv këtu, unë janë vërtet i lumtur. Çdo gjë ka një risk. Nëse nuk do risk, mos dil prej shtëpisë. Kështu që kampionati do të bëhet, do të jetë i suksesshëm dhe unë uroj që të kemi sukses edhe me ekipin tonë. Dhe ne do të marrin pjesë për herë të parë në një kampionat me Kombëtaren U-21.

– Finalja ku do të luhet? 

– Nuk është përcaktuar. Është për t’u përcaktuar. Nëse fitohet e drejta e organizimit të Europianit 2027, më pas përcaktohet se ku do të luhet hapja dhe ku do të luhet finalja. Në njërin nga vendet do të luhet ndeshja e hapjes dhe në tjetrin finalja.

– Atëherë në këtë rast, unë i pari do t’ju them “Armand Duka, turp e faqja e zezë që, duke qenë ju brenda qeverisë europiane të futbollit, ne të mos marrim finalen”.

– E njëjta gjë është, ka raste që hapja është më bukur se finalja. Por desha të them që, nëse sot vendoset organizimi, finalja është në Tiranë. Sepse i vetmi stadium më i përshtatshëm është ky i Tiranës. Unë besoj se është Tirana, se ka stadiumin më të mirë.

– Po mendoja sot intervistën tonë të parë në 2012, kur unë nisa emisionin e mëngjesit në “Albanian Screen” dhe ju kisha ju dhe Aldo Bumçin, që ishte asokohe ministër i sporteve, dhe ju ishit në mes një të konflikti që e kishte filluar Ylli Pango. E keni menduar ndonjëherë që jeni i vetmi njeri në Shqipëri që keni fituar ndaj Sali Berishës, Erion Veliajt dhe Edi Ramës? 

– Pse, edhe Veliaj në nivelin e Berishës dhe Ramës është? Nuk është e njëjta gjë. Unë për natyrë, apo edhe për strategji pune, tentoj të kem marrëdhënie të mira me të gjithë. Në FSHF, në biznes dhe në çdo gjë që bëj. Gjithmonë, qoftë edhe individualisht, por sidomos kur përfaqësoj një institucion publik, edhe nëse nuk e ke dikë në anën tënde, ke detyrim institucional të bashkëpunosh. Aq më shumë me qeverinë.

Me çdo qeveri kam tentuar të bashkëpunoj për të mirën e futbollit, por politika në përgjithësi në vende me demokraci jo të konsoliduar kërkon të kontrollojë gjithçka dhe në këto momente lind konflikti. Por nuk duhet ngatërruar ndërhyrja organizative me bashkëpunimin. Bashkëpunimi duhet të jetë i përhershëm dhe pavarësisht ndonjë konflikti të gjitha palët duhet të jenë të afta t’i kapërcejnë konfliktet për të mirën e përbashkët.

– Me Edi Ramën e kuptova. Po me Erion Veliajn i keni kapërcyer konfliktet? Apo ngaqë nuk e përcaktoni në lartësinë e Ramës dhe Berishës… 

– Po nuk e përcaktoj unë lartësinë. Nëse ju mendoni që Kryetari i Bashkisë është në të njëjtin nivel me kryeministrat… Unë mendoj që jo, ndaj e thashë. Nuk ka vlerë për mua të bëj një debat politik.

– Ju nuk luani vetëm në fushën e sportit, ju luani edhe në fushën e politikës. Se të zgjidhesh dy herë në Komitetin ekzekutiv të UEFA, kjo ka edhe një qasje politike. Unë mendoj që përplasja me zotin Veliaj nuk ka qenë vetëm nga ana e tij. 

– Unë jo! Unë kurrë nuk jam përplasur me asnjë njeri. As me Erion Veliajn. Më ke dëgjuar ndonjë here?

– A ishte i nxitur nga Rama Veliaj?

– Për këtë mund të pyesni Veliajn ose Ramën

– A ishte test për Veliajn përpara zgjedhjeve lokale, nëse do të arrinte t’ju vinte juve me shpatulla pas murit? 

– Po në fakt ai nuk ia arriti me mua, por zgjedhjet lokale i fitoi. Që do të thotë se nuk ka qenë test.

– Mua më kanë informuar që ju vuri me shpatulla pas murit, por ishte ardhja e Presidentit Ceferin, – sepse rrezikohej finalja Roma-Feynord, – që e bëri Edi Ramën dhe jo Erion Veliajn që të tërhiqej nga beteja që kishte me ju. 

– Mbaji ato që të kanë thënë, por shiko atë që ka ndodhur.

– Ka ndodhur që kur dolët në një foto në sheshin Skënderbej me Lorik Canën dhe Veliajn, Lorik Cana në mes dhe Erion Veliaj anash, ata ishin me centimetra larg njëri-tjetrit dhe ju ishit gati 2 metra larg. 

– Nuk e kam parë që kam qenë larg. Por kam respektuar protokollin e prezantimit për publikun të kupës në një finale, ku duhet të ishin presidenti i federatës, ambasadori i finales dhe kryetari i bashkisë së qytetit që pret ndeshjen. Por, nuk është se kam gjë personale unë me Erion Veliajn.

– Po sot si i keni marrëdhëniet, apo thuaj zgjedhjet mbaruan në Federatë dhe tani… 

– Po zgjedhjet kanë mbaruar, por as nuk kam pasur marrëdhënie miqësore, as kam dhe as do të kem.

– Angazhimi politik i vëllait tuaj, Agronit, ka qenë ndonjëherë barrë për ju në betejat që si president i Federatës keni pasur me qeveritë e ndryshme? 

– Ne jemi vëllezër, ne faktikisht bëjmë çdo gjë bashkë, jemi në biznes bashkë, jemi një familje e madhe. Kështu që jetojmë me hallet e njëri-tjetrit dhe kontribuojmë në sfidat e njëri-tjetrit.

Është hipokrizi të thonë se mua nuk më interesojnë se si shkojnë aksionet politike të Agronit apo vendimet politike që ai merr dhe konsultohemi. Jemi një familje dhe nuk kemi asgjë të ndarë. Është një gjë që ndodh rrallë, por ne jemi me një llogari, nuk kemi gjë të ndarë.

– A do të kandidojë Ceferin edhe për një mandat tjetër në krye të UEFA apo do të tërhiqet? 

– De jure, sipas statutit ai ka të drejtë të kandidojë për një mandat tjetër në 2027. Ndërsa pas kongresit të Parisit ai deklaroi se nuk ka në plan të kandidojë. Nëse do të më pyesni mua, do t’i bëja thirrje që të vazhdonte, sepse rezultatet janë. Dhe do të loboj që ai të vazhdojë!

– Tani, Presidenti i UEFA me 3 mandate, Presidenti i FSHF “no limit”? 

– Limitin ta jep edhe Zoti, kështu që nuk ka “no limit” (qesh). Ne nuk kemi limite në statut për të gjitha organet e drejtimit të Federatës. Mbase mund t’i vendosim edhe ne, kjo është një gjë që duhet ta diskutojmë në Asamble.

– Duke qenë që jeni anëtari më i votuar ndonjëherë i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, a synon Armand Duka të jetë një ditë President i UEFA-s? Duke pasur parasysh edhe që sot ju i keni 3 vota të sigurta, tuajën, të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. 

– Jo, nuk synoj! Nuk e kam në plan as sot, as në të ardhmen! Realisht mendoj për çfarë përfaqësoj dhe për çfarë jam dhe është mjaftueshëm këtu ku jam. Plus që mendoj dhe besoj se presidenti aktual është i duhuri për UEFA-n edhe për një mandat tjetër.

– Nesër luhet derbi Tirana-Dinamo, derbi i kryeqytetit në Vlorë! Të gjithë thonë kjo është e padëgjuar. Cili është komenti i Presidenti të FSHF-së për këtë? 

– Sepse nuk ka një mundësi tjetër se ku mund të luhet. “Selman Stërmasi” është i papërshtatshëm për të luajtur. Te stadiumi “Air Albania” kemi bërë turneun e U-17 tani dhe ndeshjen e Kombëtares U-21 dhe fusha nuk është gati, ndërkohë që duhet të bëhet gati për dy ndeshjet e Kombëtares.

– Po Elbasani?

– Elbasani luan ndeshjen e vet brenda. Tani kjo nuk është e mirë. Por urojmë që me përfundimin e “Selman Stërmasit” të stabilizohet kjo situatë, sepse Tirana dhe Dinamo nuk kanë “shtëpi” ku të luajnë ndeshjet si pritëse. I vetmi stadium është “Air Albania”. Nuk mund t’i përballojë ky stadium edhe ndeshjet e Kombëtares dhe të gjitha ndeshjet e mundshme të kampionatit.

– E lashë për në fund, për të mos marrë vëmendjen e pjesës tjetër të bisedës. Ju në gusht keni marrë një kërcënim dhe keni bërë një padi, pas së cilës 5 persona u arrestuan. Nga presidenti i një klubi nga një kategori inferiore, babai i një sportisti. Ku janë hetimet për këtë çështje? 

– Unë e kam mbyllur atë histori. Nuk duhet të kisha bërë asnjë lloj denoncimi, nuk duhet ta kisha bërë kurrë. E kam bërë atë denoncim për faktin se nuk kam qenë në Shqipëri dhe kur kam parë fotografitë në atë lloj mënyrë, jam shqetësuar. Por menjëherë më pas i kam dërguar një letër prokurorisë ku i them se dhe i kam falur, qoftë edhe për shkak të frymës dhe mesazhit që duhet të përcjellë një president i Federatës së Futbollit. Mund të ketë qenë një gjaknxehtësi e tij, një nxitim, por…

– E keni mbyllur ju, apo e kanë mbyllur ata? Ju kanë kërkuar ndjesë? 

Armand Duka: Nuk e kam takuar babain, por kam takuar të birin, që është futbollist, portierin e Tiranës, që është një djalë shumë i mirë. As nuk e kam lejuar që të më kërkojë falje. Ka ardhur të më takojë pikërisht me këtë qëllim, por nuk kam dashur ta vendos në pozita që të më kërkojë falje, por e kam pritur me kënaqësi.

– President Duka faleminderit për intervistën.

– Ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë gjithashtu. Uroj që të kemi bashkërisht, – sepse edhe ti je një tifoz futbolli si unë, – një rezultat pozitiv tani në nëntor.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img