Ka katër muaj në krye të volejbollit shkodran të femrave, dhe përgjithësisht gjërat i kanë shkuar mirë. Bëhet fjalë për Presidentin e Vllaznisë në volejboll femra, Florian Zekja. Krahas ekipit të parë, i cili bëri një përformancë shumë pozitive gjatë fazës së parë të kampionatit, një paraqitje mjaft të mirë kanë bërë edhe ekipet e moshave kuqeblu, U-16 dhe U-18, dhe sidomos U-20, ekip i cili është pretendenti kryesor për fitimin e titullit kampion.
Përmes një interviste dhënë për mediat, presidenti Florian Zekja bën një panoramë të pëgjithme për arritjet e fazës së parë, merkaton dimërore si dhe objektivat për vazhdimësinë.
Zoti Zekja, mbyllet një vit suksesshëm për volejbollin e Vllaznisë femra?
Mbyllim një fazë përgjithësisht të mirë. Kemi edhe dy ndeshje për ta mbyllur këtë vit, një me U-20 dhe një me të rriturat. Premisat janë që në fazën e dytë të rregullojmë gabimet e fazës së parë dhe të bëhemi gati për të qenë pjesë e Play-off.
Sa të kënaqur jeni me fazën e parë?
Jam shumë i kënaqur duke pasur parasysh këtu punën e trajnerëve, të vajzave. Dua të theksoj se ky është një sport që ka nevojë për publikun, ka nevojë për terrene për tu stërvitur dhe në momentin që kryhen të gjitha, ekipi i Vllaznisë është konkurent i fortë.
Çfarë prisni në gjysmën e dytë të sezonit?
Në gjysmën e dytë të sezonit presim një ekip tashmë të konsoliduar me një alternim të vajzave me eksperiencë me telentet e reja duke vazhduar gjithmonë e më mirë.
Janari është periudhë lëvizjesh lojtarësh, do të ketë tek Vllaznia lëvizje të tilla?
Po, kemi filluar me një largim të Sara Haskut, e cila do i bashkohet një ekipi europian dhe është krenari për ne sepse një produkt i pjesshëm i Vllaznisë që do të na përfaqësojë në Europë. Ne kemi vajza të reja të cilat do të zëvendësojnë Sara Haskun. Për sa i përket merkatos, Vllaznia për momentin do të vazhdojë me këtë grup që kemi dhe do konsolidojmë këtë grup. Gjë të sigurtë kemi rikthimin e vajzave shkodrane në ekipin e Vllaznisë për vitin e ardhshëm.
Elementi i ri është bërë pjesë e Kombëtares të Shqipërisë duke treguar që Vllaznia ka brum.
Kjo është pika e diamantit e qytetit të Shkodrës dhe ekipit të femrave të Vllaznisë sepse ka katër ekipe që luftojnë për titullin kampion. Kemi U-16, U-18, U-20 dhe të rriturat. Me tre te parat jemi superior dhe kjo do të thotë që ekipi i të rriturave nuk do të mbesin asnjëherë pa benzinën e nevojshme. Kemi katër vajza shkodrane që marrin pjesë në ekipin kombëtar dhe dy prej tyre janë të sigurta në formacion.
Në garën e Superligës së femrave tek të rriturat, rivaliteti ka qenë i ashpër dhe ka lëvizje të trajnerit të njohur shkodran Besnik Lisha të skuadrës pretendente të Korçës. Sa ndikon kjo për garën për titullin?
Nuk e di sa mund të ndikojnë, por mund të thëm se ekipi i Korçës është një ekip i konsoliduar me vajza të huaja dhe të forta. Patjetër që largimi i Besnik Lishës është vendimtar, por bërthamën ato e kanë. Kemi informacion që edhe skuadrat e tjera do të përforcohen këtë merkato dhe kam përshtypjen se faza e dytë dhe play-off do të jetë shumë më i luftuar.
Si kanë qenë këto katër muaj të Florian Zekjës si president i Vllaznisë?
Ka qenë një kënaqësi e veçantë. E kam përjetuar si një tifoz special i ekipit të Vllaznisë dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur e cila nuk do të ndalet. Ky rol më ka afruar edhe më shumë me qytetin e Shkodrës pasi unë jetoj në Tiranë dhe jam shumë i kënaqur. Jam shumë i kënaqur kur shoh Pallatin e Sportit të mbushur dhe që po kontribuoj sado pak në këtë qytet të mrekulluseshëm.
Një urim nga ana juaj për sportdashësit?
Unë dua të uroj miq dhe dashamirës të besimit Katolik për festën e Krishtlindjes. Uroj të gjithëve mbarësi dhe mirësi këtij qyteti të mrekullueshëm në festën e ndërrimit të viteve!