Shkodra, qyteti, dhe akademia FK Shkodra, kanë prodhuar shumë elementë të rinj në futboll, që i ka gëzuar Vllaznia dhe më pas kanë luajtur edhe në kombëtare e klube të mëdha europiane. Aty i ka hedhur hapat e parë edhe Elseid Hysaj. Një karrierë të suksesshme si mbrojtësi do e donte edhe Rejan Alivoda, mesfushori shkodran që në muajin maj mbush 19 vjeç.
Me futbollin është dashuruar që i vogël dhe në këtë rrugë e ka futur babai i tij, sikurse Rejani tregon në rubrikën “Talenti shqiptar” për fshf.org. I riu, pjesë e Shqipërisë U19, rrëfen gjithçka për hapat e tij në futboll, shembujt që ndjek dhe ecurinë që do të donte të kishte në këtë sport mjaft të bukur, që i ka dhuruar emocione të forta edhe në këtë moshë, ku të ardhmen e ka përpara.
– Rejan, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?
– Që i vogël kam qenë shumë i apasionuar pas futbollit. Në moshën 6-vjeçare kam nisur rrugëtimin tim në Klubin e Futbollit Shkodra. Njeriu që më ka shtyrë drejt këtij sporti ka qenë babai im, i cili ka kontribuar që nga fëmijëria ime e deri sot.
– Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?
– Ëndrra ime ka qenë gjithnjë të bëhem një futbollist shumë i mirë dhe të stërvitem çdo ditë e më shumë. Pasioni, vullneti dhe dëshira janë shtysat e mia për të arritur drejt një të ardhme plot sukses, e të punoj pa u lodhur.
– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?
– Kam qenë me fat që përgjatë gjithë këtyre viteve jam trajnuar nga profesorë shumë të mirë që më kanë stërvitur shumë dhe që më kanë ndihmuar të arrij këtu ku jam sot. Familja ime ka një kontribut shumë të madh në formimin dhe në edukimin tim në lidhje me futbollin. Veçanërisht babai im më ka ushqyer që në fëmijëri me pasionin dhe dëshirën për të ndjekur këtë sport, duke u bërë mbështetja ime më e madhe.
– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U19? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?
– Ishte një ndjesi e veçantë kur mora ftesën nga Kombëtarja U19. Ndihesha shumë i lumtur që po mbaja fanellën me peshë kaq të rëndë, atë të kombëtares së Shqipërisë. Ishte një privilegj që në ndeshjen e parë më besuan shiritin e kapitenit dhe një motiv më shumë për të ecur përpara.
– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?
– Jeta ime futbollistike ka qenë mjaft impenjative dhe shumë e bukur. Kam provuar emocione të mëdha në ndeshjet kualifikuese europiane me Kombëtaren U-19, në finalen e kupës me ekipin U-19 të Vllaznisë. Jam ndjerë i kënaqur nga ftesa që më është bërë të stërvitem pranë ekipit Vllaznia. Gjithashtu ndihem krenar që përfaqësova ekipin Kombëtar U-19.
– Sa kënaqësi të jep fakti që nga një ekip shqiptar bëheni pjesë e kombëtareve te moshave?
– Është një hap i rëndësishëm dhe një motivim për mua të bëhem pjesë e kombëtares U-19. Ndjej një kënaqësi dhe motiv për t’u stërvitur çdo ditë e më shumë dhe për të arritur nivele të larta.
– Sivjet keni provuar edhe të debutoni me ekipin e Vllaznisë në Kupë. Si jeni ndjerë për këtë?
– Ndjej një emocion të veçantë që debutova me ekipin e Vllaznisë në kupë dhe përfaqësova qytetin tim. Gjithashtu ndihem i privilegjuar që përfaqësoj fanellën e Vllaznisë, të një qyteti që trashëgon kulturën sportdashëse dhe që ndër vite është lartësuar nga futbollistët e ekipit Vllaznia.
– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?
– Lojtari shqiptar që më motivon më shumë është Armando Broja, si një lojtar që ka arritur nivele mjaft të larta në futboll për moshën që ka. Ndërsa lojtari i huaj që e kam si shembull është Cristiano Ronaldo.
– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?
– Synimi im me i madh është të përfaqësoj sa më denjësisht ekipin e Vllaznisë, të arrij nivele të larta në Europë dhe të vesh fanellën e kombëtares te vendit tim. Synoj që të bëj krenar qytetin e Shkodrës, të bej krenar vendin tim të lindjes dhe të luftoj fort për të arritur ëndrrat e mia, pasi prej vitesh punoj e stërvitem pa u lodhur. Do doja të ecja në gjurmët e Cristiano Ronaldos, duke ndjekur mënyrën se si ka nisur jeta e tij futbollistike dhe se deri në çfarë pike ka arritur sot, duke luftuar dhe duke bërë një punë të palodhshme.