Nëse ka diçka për tu krenuar tek Vllaznia në këtë pjesë të parë të sezonit, është fitimi i elementit të ri. Dhe, natyrisht mes tyre, ai që spikat më tepër është Rejan Alivoda. Djaloshi 19 vjeçar e nisi futbollin si pjesë e KF Shkodra nën drejtimin e trajnerit Taip Piraniqi dhe djalit të tij Rudi Piraniqi, për të vijuar me Akademinë Vllaznia nën drejtimin e trajnerit U-19 Vioresin Sinani dhe tashmë në ekipin e parë kuqeblu nën drejtimin e teknikut Mirel Josa. Mesfushori është kthyer në një xhevahir për klubin, që në një të ardhme të afërt mund të përfitojë shumë nga shitja e tij. Në një intervistë dhënë gazetarit sportiv, Admir Uruçi”, talenti kuqeblu tregon për rrugëtimin e tij, ëndrrat, si dhe besimin që ka se Vllaznia do të shpallet kampione.
Rejan, si lindi ideja për t’u bërë futbollist dhe kush ishte shtysa më e madhe për ju?
Ideja për t’u bërë futbollist ka filluar që në fëmijëri, në moshën 6-vjeçare. Në fakt, ka qenë një dëshirë imja që i vogël, sepse më pëlqente të luaja me top.
Cili ka qenë trajneri juaj i parë?
Trajnerët e mi të parë kanë qenë profesor Taip Piraniqi dhe gjithashtu Rudi Piraniqi. E kam nisur futbollin tek akademia e KF Shkodra.
Kush ka besuar më tepër te cilësitë tuaja për të vazhduar futbollin me besimin se një ditë do të bëheshit dikushi?
Në cilësitë e mia ka besuar pikërisht trajneri im i parë, duke më dhënë një shtysë të madhe dhe dëshirë për t’u stërvitur çdo ditë e më tepër.
Kur trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, jua komunikoi se do të jeni titullar në ndeshjen tuaj të parë me Kastriotin më 18 shtator në “Loro Boriçi”, cila ishte gjëja e parë që menduat?
Mendova që për mua është një privilegj dhe që duhej të shpërbleja besimin e trajnerit Josa.
Keni thënë se idhulli juaj është Pogba, çfarë ju pëlqen më tepër te francezi?
Po. Thjesht më pëlqen stili i lojës së tij dhe karakteristikat që ka si mesfushor.
Cili është pozicioni juaj i preferuar në mesfushë, pasi në disa ndeshje keni ndryshuar?
Pozicioni im i preferuar është mesfushor qendre, pikërisht aty ku luaj edhe tani.
Cili nga lojtarët e vjetër në ekip ju jep më shumë këshilla?
Nuk dua të veçoj dikë, sepse të gjithë lojtarët e vjetër më japin këshilla dhe më qëndrojnë pranë.
Cili është kampionati apo skuadra në Europë që një ditë ëndërroni të luani?
Ëndrra ime më e madhe është të jem pjesë e një ndër pesë ligave më të forta në Europë.
Pas aktivizimit me Vllazninë, keni fituar Kombëtaren U-21. Besoni se do ta kapni edhe Kombëtaren A shumë shpejt?
Shpresoj dhe dëshiroj shumë të arrij në Kombëtaren A, sepse kjo është ëndrra e çdo futbollisti, që të vesh fanellën e Kombëtares.
Në çfarë vendi mendoni se do të jetë Vllaznia në fund të këtij sezoni?
Mendoj që do të arrijmë në vendin e parë, pasi i kemi të gjitha mundësitë. Shpresoj shumë të bëjmë më të mirën.