Një nga ish-lojtarët kampion me eki pin e Vllaznisë, por jo vetëm, Safet Osja, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon kampionatin e skuadrës shkodrane.
Ai beson se Vllaznia mund të fitojë të dy trofe këtë sezon, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Osja jep gjykimin e tij për transformimin e ekipit me trajnerin Osmani dhe thekson se vetëkënaqësia mund të jetë “armiku” kryesor në këtë fazë finale të sezonit. Për ish-mesfushorin, shumë pozitiv është afrimi i elementëve të rinj në skuadër.
Kur nisi sezoni, a mendonit që Vllaznia do të vinte në këtë pikë, të luftonte për vendin e parë?
Vllaznia gjithmonë ka hyrë me pretendime serioze në çdo sezon. Të them të drejtën, Vllaznia e filloi shumë keq kampionatin, faza e parë ishte shumë e dobët, por ndërhyrja e presidentit ishte efikase dhe në kohën e duhur, sepse në vazhdim erdhën edhe rezultatet.
Çfarë ndryshoi trajneri Qatip Osmani, që skuadra u transformua?
Për mendimin tim, trajneri Osmani punoi nga ana psikologjike më shumë me lojtarët. Po këta lojtarë ishin dhe nuk kishte çfarë të ndryshonte në përbërje, por ndryshoj në mentalitet, në grintë dhe dëshirë. Dhe të gjitha këto bënë që të vinin edhe rezultatet. U krijua një grup që po luan për një qëllim. Nga ana tjetër, ardhja e drejtorit teknik që solli edhe largimin e disa lojtarëve të huaj që nuk kishin sjellë gjë te kjo Vllazni. Pozitiv ishte afrimi i lojtarëve të akademisë së Vllaznisë dhe të gjitha këto bënë që kjo skuadër të transformohej.
A mund t’i përballojë me sukses Vllaznia të dy frontet, kampionatin dhe Kupën?
Besoj që po. Vllaznia e ka treguar veten që është e përgatitur për të synuar në të dy trofetë. Ajo është në vendin e dytë, por është edhe në gjysmëfinalen e Kupës, është afër të dy trofeve dhe nuk ka pse të mos tentojë t’i fitojë ato
Admir URUÇI