Wednesday, September 3, 2025

(Intervista) Samuel Nikaj, analizon Vllazninë. Ish trajneri i kuqebluve, sot në krye të Burrelit, vlerëson kualitetin e skuadrës shkodrane duke e cilësuar të ardhmen shumë pozitive

Lexo

Ish trajneri i Vllaznisë dhe i disa skuadave, brenda dhe jashtë vendit, analizon Vllazninë ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Duke u ndalur specifikisht te ndeshja ndaj Dinamos dhe duke mos e cilësuar si një humbje që ndikon shumë dhe që mund të lëkundë pozitat e skuadrës. Teksa ai ndalet edhe te stili dhe sistemi që po përdorin 9 herë kampionët e vendit dhe po ashtu e ardhmja e ekipit. Që sipas Nikajt është shumë premtuese me një skuadër që mbart shumë kualitet dhe që garanton për rezultate pozitive.

Nikaj, një Vllazni me një fytyrë tjetër kjo ndaj Dinamos krahasuar me ndeshjen e Egnatias apo jo?
Shiko, ka diçka në futboll që ndeshja ndeshjes apo kundërshtari kundërshtarit nuk i ngjason. Prandaj ndoshta u duk se Vllaznia paraqiti dy fytyra të ndryshme në dy ndeshjet e para të edicionit. Duke treguar në një sy të lirë që skuadra nuk ka “balancë”, por unë nuk e mendoj të tillë pasi është vetëm nisja e kampionatit dhe luhatje apo rezultate të tilla janë të kuptueshme. Them se një gjykim mund të japim më të saktë pas 6-7 javësh nga nisja e kampionatit.

Ishte i drejtë rezultati i takimit në përfundim?
Mendoj se fituesi nuk gjykohet dhe në këtë rast Dinamo e meritoi fitoren e duhet përgëzuar për
atë. Por, unë them se ai 10 minutësh shumë i mirë që kishte Vllaznia në pjesën e dytë, ku edhe goditi traversën, po të konkretizohej do të kishte ndoshta një histori tjetër. Por, tashmë ndeshja ka përfunduar dhe duhet shikuar vetëm drejt ndeshjeve të ardhshme dhe përmirësimit të skuadrës.

Çfarë nuk shkoi te skuadra në këtë duel?
Është një shprehje që thotë: “pleqni pas kuvendit bëjnë të gjithë”, pra është e lehtë të flasësh tani që gjithçka ka mbaruar. Thjesht di të them se në kompleksitet skuadra nuk m’u duk se gaboi, por dueli u vendos nga episodet dhe nga gabimet individuale të disa futbollistëve. Që patjetër janë pjesë e futbollit dhe janë të kuptueshme, thjesht duhet të merren masat që të mos ripërsëriten në të ardhmen.

Mund të interpretohej ndryshe loja? 
Them se loja u interpretua siç duhej, pasi edhe Dinamo e priti Vllazninë për ta “goditur” me kundërsulm. Ndoshta skuadra duhej të ishte disi më “vrastare” në rastet e paraqitura, pasi i kishte mundësitë dhe në duele të tilla, janë detajet dhe shfrytëzimet e situatave ato që bëjnë diferencën në fund.

U duk pak sikur skuadra çaloi në aspektin fizik?
Ka disa futbollistë që janë bashkuar me vonesë me skuadrën dhe ende duhet pak kohë për të pritur formën e tyre ideale. Po ashtu ndonjë futbollist si Krymi që ka pasur shqetësime fizike po merr formën optimale dalëngadalë. Jam i sigurt që kur ekipi të ketë të plotë përgatitjen fizike edhe ritmi dhe loja e Vllaznisë do jetë në një nivel shumë më të mirë dhe optimal.

Vllaznia u duk më mirë kur u vendos pas me 4 mbrojtës, do të ishte më mirë ky sistem me 4 mbrojtës?
Nuk mendoj se konfigurimi me 3 apo me 4 mbrojtës ndryshoi diçka në lojën e ekipit. Vendosja e skemës është çështje interpretimi dhe shpesh e themi që asgjë nuk është ashtu siç duket në letër. Vetëm ata që janë në fushë e kuptojnë diçka të tillë, pastaj futbollistët duhet të jenë të aftë të përshtaten me idetë e trajnerit qofshin ato me 3, 4 apo 5 mbrojtës.

Sa do t’i shërbejë skuadrës ky pushim 10 ditor i kampionatit?
Mund të them se ky pushim vjen në momentin e duhur për Vllazninë, pasi ka futbollistë që mund të integrohen më mirë me skuadrën gjatë kësaj periudhe. Dhe në këtë mënyrë mund të shohim një “fytyrë” tjetër të disave prej tyre në rikthimin e kampionatit në gjysmën e shtatorit.

Si e mendon ecurinë e kuqebluve këtë edicion?
E ardhmja mua më duket shumë pozitive, e shoh me shumë optimizëm. Kjo pasi skuadra ka plot futbollistë me cilësi dhe eksperiencë, që janë emra të rëndësishëm dhe që bëjnë diferencën. Prandaj kam besim se kjo skuadër mund të arrijë gjëra të mëdha duke i marrë ndeshjet një e nga një e duke u përmirësuar nga 90 minutëshi në 90 minutësh.

Endri ÇINARI 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img