“Bëhet fjalë për një medalje historike për boksin shqiptar, një rezultat që nuk e kishte arritur askush më parë. Një arritje që na ka entuziazmuar shumë të gjithëve edhe për të ardhmen, duke nisur nga sportistët e te trajnerët”, shprehet fillimisht Gjoni.
Më tej trajneri shkodran foli për kushtet e vështira të kombëtares dhe klimën armiqësore në Beograd: “Ju e dini shumë mirë se si kemi shkuar në Botëror. Udhëtuam me makinat tona, sepse dihet që këto janë mundësitë dhe buxheti, pasi edhe akomodimi atje ishte me pagesë të federatës tonë. Që në ditën e parë të prezantimit të flamurit tonë, na vërshëllyen dhe na goditën me çakmakë, por gjithsesi kampionati u mbyll pa ndonjë incident të madh”.
APELI PËR MBËSHTETJE – Trajneri i mirënjohur i boksit thekson se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të përsërisë suksese edhe në të ardhmen, por duhet patjetër mbështetje për këtë brez boksierësh. “Ne kishim mundësi shumë të mira për të shkuar edhe në Olimpiadë me Rexhildo Zenelin, i cili ishte vetëm një ndeshje larg kualifikimit, por kampionati u ndërpre nga pandemia. Kërkova që të bëhen faza përgatitore për këtë sportist, por nuk ia vari askush dhe u paraqit në ndeshje as në 50% të formës së tij, pasi ngjitej në ring siç vinte nga shtëpia. Nëse duam që të arrijmë rezultate dhe të kualifikohemi në Lojërat Olimpike, duhet që të mendojmë shumë kohë më përpara dhe të mos presim një javë para aktiviteteve.
Për t’u përballur në këto nivele nevojiten stërvitje të forta dhe grumbullime, ashtu sikurse bëjnë të gjitha ekipet e tjera. Alban Beqiri e dha sinjalin që Shqipëria ka shumë për të treguar në boks. Fati i Alban Beqirit ishte se ne mbërritëm në Beograd më datë 22, disa ditë para ndeshjes. Pati mundësinë për t’u përgatitur 5 ditë në kushte shumë të mira, ashtu siç bëjnë normalisht çdo ditë kundërshtarët e tij”, thotë Gjoni.
LUFTA KUNDËR BOKSIT FARSË DHE FTESA PËR MARKUN – Trajneri shkodran është nga ata persona që gjithnjë e ka ngritur zërin kundër boksit farsë, duke kërkuar që të vlerësohen kampionët e vërtetë: “Unë kam luftuar gjithmonë për boksin e vërtetë. Kemi parë shumë gjerdanë që marrin, nga shoqata anonime dhe këto unë nuk i kam pëlqyer kurrë. Ndërsa medalja e Beqirit është arritje historike e Shqipërisë në boks”.
Në fund Zef Gjoni ka një kërkesë edhe për Florian Markun, të cilin e fton në duel kundër Alban Beqirit. “Unë i kam kërkuar me dashamirësi Florian Markut, meqë ai i ka premtuar kryetarit të bashkisë, Erion Veliajt, që do të ndeshet në Tiranë. I kam kërkuar që të bëjë një duel të pastër miqësor, pa futur në mes gjerdanin apo medaljen, që të kemi një sfidë mes tij dhe Alban Beqirit. Secili boksier të tregojë vlerat në boksin profesionist. Besoj që një ndeshje të tillë e dëshirojnë të gjithë shqiptarët. Po presim një përgjigje prej tij”, përfundoi Gjoni.
Artin Lleshaj