(Intervista) Uliks Kotrri, analizon Vllazninë. Ish kampioni kuqeblu beson se skuadra e qytetit të tij i ka kapacitetet për fitimin e dy trofeve të sezonit

Uliks Kotrri, ish-kampioni i vendit me Vllazninë, sot në rolin e menaxherit, ka analizuar për “Panorama Sport” ndeshjen e fundit të kuqebluve kundër Elbasanit në Kupë. Sipas ish-mbrojtësit, shkodranët morën atë çfarë u duhej në një duel që, sipas tij, nuk u ngrit në nivelin e duhur. Po ashtu ai thekson se i shikon kuqeblutë si favoritë për të kaluar turin. E ndërsa ndan edhe një mendim për disa nga elementët e shkodranëve, duke veçuar Kevin Dodajn.

Kotrri, barazim në ndeshjen e parë të Kupës, Elbasani-Vllaznia. Si ju duk ky duel?

M’u duk ndeshje e ekuilibruar, pa shumë nerv dhe gati si një “miqësore”. Them se Vllaznia mori atë çfarë iu nevojit për të luajtur gjithçka në Shkodër. Them se ndeshja nuk u ngrit në nivelin e duhur, pasi m’u duk se të dyja skuadrat kërkonin të mos rrezikonin.

Elbasani u duk disi më i motivuar, apo jo?

Elbasani ka financa të mira dhe e vetmja mundësi për të shkuar në Europë është Kupa, në mënyrë që të “shpëtohet” edhe sezoni për ta. Por përballë do të ketë Vllazninë, do ta kenë shumë të vështirë dhe unë them se shkodranët e kalojnë pa problem. Gjithçka ndodh në futboll, por në kapacitetet e të dyja skuadrave, unë e shikoj Vllazninë favorite në kthim

A duhet që Vllaznia të synojë të dy trofetë?

Patjetër që po. Kjo jo vetëm për faktin se tashmë është thuajse në gjysmën e rrugës për të arritur fazat finale të kompeticioneve, por edhe për përbërjen e skuadrës. Ekipi i ka kapacitetet për të përballuar të dy turnetë dhe të pretendojë fitimin e tyre.

Si e komentoni mbajtjen e Dodajt në ekip?

Këto 4 muaj duhet të rrijë në Shkodër dhe do të ishte gabim nëse do të lëvizte që tani, sepse është shumë i ri. Madje, edhe po të qëndronte dhe sezonin tjetër, nëse Vllaznia do të ketë një ekip cilësor dhe pretendent. Besoj se do të rritet akoma më tepër, sepse, të shkosh nga Shqipëria në top kampionate, është shumë e vështirë, pavarësisht talentit të padiskutueshëm që ka Dodaj.

Kush mendoni se është lojtari më i mirë në Superiore momentalisht?

Unë e theksoj se Dodaj është lojtari më në formë i kampionatit shqiptar. Kur të largohet, të shkojë dhe të bëjë karrierë dhe jo të kthehet pas 6-7 muajsh, siç ndodh shpesh me futbollistët shqiptarë. Atje duhet të shkosh i përgatitur dhe të jesh gati që të përballosh çdo sfidë. Askush nuk të fal asgjë në ekipet europiane dhe ajo dihet nga të gjithë që merren me futboll.

Shihni ndonjë tjetër futbollist te Vllaznia, që ka lënë përshtypje pozitive?

Më bëhet qejfi që Jago u rikthye në formën e tij optimale. Ai tashmë ka kaluar dëmtimin dhe për mendimin tim ka qenë më i miri i kampionatit në një periudhë të caktuar. Po ashtu Krymi dhe Sala bëjnë mirë çdo herë dhe gjithashtu më gëzon rikthimi i Grudës, një armë plus për skuadrën dhe që mendoj se do t’i shërbejë shumë.

Si shkon Alivoda, një “ish” i Vllaznisë tashmë në Dubai?

Është ambientuar mirë dhe tashmë jam këtu për ta ndjekur. Ka fituar formacionin dhe tashmë është një lojtar stabël. Edhe trajneri nga biseda që kam pasur, është i kënaqur nga performanca dhe profesionalizmi i Alivodës. Këtu është një kampionat që shikohet dhe ka interes dhe patjetër mund të jetë një “trampolinë” për të ardhmen.

Bylis përballë në kampionat të dielën, sa e vështirë mund të jetë?

Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme dhe Bylisi në Shkodër është mundësia e radhës për pikë. Nuk duhet t’i lënë të “marrin frymë”. Të mbahen poshtë këto ekipe si Bylis dhe të mos afrohen në renditje. Megjithatë, pres ndeshje të fortë pasi ballshiotët janë të “etur” për pikë. E nga ana tjetër, Vllaznia nuk mund të gabojë në shtëpi.

Endri ÇINARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu