Altin Xhahysa, ish-kampion i vendit me Vllazninë, ka folur së fundmi në një prononcim për “Panorama Sport”.
Ai ka komentuar përgatitjet e këtij fillimi të sezonit të shkodranëve, duke i ndalur edhe te merkato apo dueli i Conference League kundër Daugavpils. Sipas ish-sulmuesit, skuadra do gjykohet më drejtë kur të marrë formën e duhur fizike dhe të kompletohet në merkato, teksa thekson se kalimi i turit në Conference League është shumë i mundshëm.
Xhahysa, si u janë dukur në syrin tuaj këto përgatitje të verës për Vllazninë?
Skuadra dalëngadalë po merr formën dhe ritmin e duhur nga dita në ditë. Ajo çfarë ka rëndësi në këto momente, është përgatitja sa më e mirë fizike e po ashtu shmangia e dëmtimeve. Prandaj ekipi duhet të jetë i aftë të përballojë sforcon që në fillim, në mënyrë që ta ketë më të lehtë edhe gjatë kampionatit.
Është vënë re dora e Martinit në këto dy ndeshje të para miqësore?
Çdo trajner kërkon të vërë në punë idetë e tij tek një skuadër dhe mënyrën se si e sheh ai futbollin. Martini është një ekspert i Superiores dhe besoj se e di mirë se çfarë kërkon kampionati shqiptar dhe në veçanti Vllaznia. Është vënë re ndryshimi i skemës, por duhet të presim edhe pak për të gjykuar nëse futbollistët do të jenë të aftë për ta interpretuar siç duhet këtë stil apo jo.
Çfarë mund të presim nga ky ekip në edicionin e ri?
Për të dhënë një koment më të saktë duhet pritur përfundimi i përgatitjeve verore e po ashtu kompletimi i skuadrës. Nuk besoj se kjo është Vllaznia e plotë, pasi ka ende boshllëqe për të plotësuar. Ndoshta në startin e ndeshjeve europiane mund të kemi një gjykim më të drejtë dhe më racional për ekipin.
Ku duhet të ndërhyjë ende Vllaznia në merkato?
Gjithmonë thuhet se në çdo repart ka nevojë për përmirësime. Mbrojtja dhe porta ndoshta duken të kompletuara tashmë, megjithëse them se ndonjë futbollist që mund të bëjë diferencën do të ishte gjithmonë i mirëpritur. Do të theksoja nevojën e një mesfushori që mund të udhëheqë manovrën sulmuese të ekipit, është një tip lojtari që i mungon Vllaznisë. Po ashtu, edhe afrimi i ndonjë sulmuesi tjetër besoj se do e përforconte akoma ekipin. Futbollistët e afruar duhet të bëjnë diferencën dhe jo të jenë aty sa për numër, ndryshe nuk vlen afrimi i tyre në ekip.
Tashmë është mësuar edhe kundërshtari i parë në Conference League, që do të jetë Daugavpils nga Letonia. Si e parashikoni këtë përballje?
Një skuadër e padëgjuar dhe modeste për mendimin tim. Besoj se Vllaznia ishte me fat dhe i ka shanset e mëdha për kalimin e turit. Por, gjithmonë pa nënvlerësuar aspak kundërshtarin, sepse edhe në sezonet e shkuara, kuqeblutë janë eliminuar nga skuadra që në letër ishin të kalueshme, por në fushë ndodhi tjetër histori.
Endri ÇINARI