Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, figura shkodrane foli për kuqeblutë, si edhe pranoi se Brdariç po e çon skuadrën në rrugën e duhur. Sipas tij, vetëm me Elbasanin dhe Dinamon, skuadra mund të kishte marrë më shumë, ndërsa në fushë ka treguar futboll të bukur.
Shaba, një Vllazni kompakte në këtë fund faze të parë apo jo?
Mund të them një Vllazni në rritje nga java në javë. Kampionati u nis me një ritëm të ulët, dhe kjo e kuptueshme për çdo skuadër në një sezon të ri. Skuadra më ka pëlqyer, sepse ka ditur ta ringrejë veten dhe të japë futboll cilësor, që e kërkojnë të gjithë në Shkodër. Mendoj se Vllaznia i ka mundësitë akoma për më shumë.
Çfarë doni të thoni me pjesën “akoma për më shumë”?
Për lojra, për futboll cilësor dhe dominues Unë shoh te Vllaznia një ekip me kualitete. Ekipi ka një sulmues si balaj, i cili është më i miri i kampionatit. Një mesfushor si Krymi që e kanë zili e gjithë Superiorja. Një Mala që është rikthyer në formë si më parë. Apo edhe Qato, I cili më ka surprizuar për mirë. Duke mos harruar edhe djemtë e rinj që po tregojunë se nuk kemi folur kot ndër vite.
Mund të kishte bërë më mirë skuadra në këtë periudhë?
Besoj se ka marrë thuajse maksimumin nga ajo çfarë ka shfaqur. Kanë ardhur dy humbje, por të dyja në transfertë dhe kur skuadra ishte me një lojtar më pak. Që tregon forcën e kuqebluve kur në fushë janë 11 lojtarë. Ndoshta si pasojë e fatit jo të mirë, mund të kishin merituar diçka më shumë në ndeshjet kundër Dinamos dhe Elbasanit. Në futboll nuk ka kurrë laps e letër të saktë dhe këto rezultate janë të pranueshme në fund.
Ndeshja e radhës fundjavën tjetër kundër Laçit, Vllaznia vetëm për fitore?
Laçi është gjithmonë një ekip i vështirë sidomos në fushën e tij. Pavarësisht që nuk po kalon një moment pozitiv, ato janë të “uritur” e me patjetër do të kërkojnë pikë. E them, se Vllaznia me zgjuarsi dhe kualitet mund të marrë një rezultat pozitiv dhe të vijojë me formën e mirë.
Endri ÇINARI