Dritan Smajli, trajneri aktual i Ilirisë, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” së fundmi. Lezhjani ka analizuar sezonin e Superiores dhe në veçanti Vllazninë. Si një ish-futbollist dhe ish-kapiten i shkodranëve është disi i “zhgënjyer” për humbjen e kampionatit. Ndër të tjera, ishmbrojtësi vlerëson ndryshimet që po ndodhin në kampin kuqeblu. Duke theksuar se është besimplotë te suksesi i dyshes Martini-Sinani.
Smajli, si e keni parë kampionatin e Superiores këtë edicion?
Duhet ta pranojmë se për çfarë futbolli është luajtur dhe se çfarë kanë dhuruar ekipet në fushën e lojës, ka qenë një ndër kampionatet më të dobëta në cilësi. Këtë e vërteton edhe pjesëmarrja e pakët e tifozëve në shkallët e stadiumeve. Nuk mund të “kënaqemi” vetëm me finalen Egnatia-Vllaznia që kishte një stadium me shumë tifozë dhe kjo për meritë kryesore të mbështetësve shkodranë.
Ndonjë zhgënjim te Vllaznia, kishte për ju personalisht?
U zhgënjeva realisht në finale, sepse prisja një Vllazni tjetër. Kjo, pasi u bënë shumë vite pa titull dhe prisja një interpretim tjetër të atij 90- minutëshi kundër Egnatias. Mendoj se presioni ishte shumë i lartë te futbollistët e Vllaznisë, të cilët nuk arritën ta përballonin dhe ndoshta u përfshinë emocionalisht më shumë seç duhet.
Mund të jetë i kalueshëm turi i parë i Conference League?
Shpresoj shumë që ta kalojë turin e parë, kjo edhe për shpërblimin financiar që ai sjell. Kjo për të bërë një ekip edhe më të fortë për sezonin që vjen. Kam besimin se turi i parë është totalisht i kalueshëm, duke parë edhe kundërshtarët që mund të ketë përballë.
Po shndërrohet në “fiksim” titulli kampion?
Mendoj se në 3-4 vitet e fundit është punuar seriozisht dhe ekipi ka qenë afër titullit, e këtë e tregojnë rezultatet. Të dalësh kampion nuk është e lehtë, pasi nuk mjaftojnë vetëm 12-13 futbollistë. Pasi Vllaznisë i mungonin shumë alternativat cilësore që vinin nga stoli dhe mund të rivalizonin edhe titullarët. Kjo ul konkurrencën dhe i “rehaton” futbollistët e tjerë, sepse s’ka kush u zë vendin. Pse Egnatia është kampione prej 2 sezonesh? Sepse ka 22 futbollistë njësoj thuajse në cilësi dhe asnjë “s’fle mbi dafina”. Në këtë mënyrë, çdo lojtar ka ritmin e duhur në çdo ndeshje dhe këtë e vërtetuan edhe diferencat në finale.
Çfarë mund ose duhet të ndryshojë skuadra në sezonin e ri?
Pak a shumë ato çfarë thashë më lart. Vllaznisë i duhet një merkato cilësore me futbollistë të “etur” për trofe. Megjithatë, se kë do të afrojë në skuadër, e di më mirë trajneri Martini, që ka idetë e tij për ekipin dhe opinionet e mia apo të tjerëve janë totalisht personale.
Mund të jetë i kalueshëm turi i parë i Conference League?
Shpresoj shumë që ta kalojë turin e parë, kjo edhe për shpërblimin financiar që ai sjell. Kjo për të bërë një ekip edhe më të fortë për sezonin që vjen. Kam besimin se turi i parë është totalisht i kalueshëm, duke parë edhe kundërshtarët që mund të ketë përballë.
Dyshja Martini – Sinani, e duhura për Vllazninë?
Edi Martinin e kam pasur trajner te Vllaznia kur luaja aty. Kam fjalët më të mira për mënyrën se si i trajton dhe i trajnon futbollistët e tij. Shpresoj shumë që t’i shkojë sa më mbarë dhe ia uroj me shpirt, sepse Vllazninë e duam të gjithë. E sidomos Edi Martini që ka lindur me atë fanellë. Me Sinanin kam luajtur dhe mbetet një nga miqtë më të mirë sportivë dhe jo vetëm.
Janë të njëjtat fjalë si për Martinin dhe i uroj të dy me zemër. Nuk më takon të flas për këtë dyshe, që janë legjenda të futbollit shqiptar. Nuk mund të vëmë në diskutim që ata do të japin gjithçka për qytetin që i lindi, i rriti, i duartrokiti dhe i shpalli kampion si futbollistë.
Vetë personalisht, do e mirëprisnit një ftesë të ishit pjesë e stafit teknik të Vllaznisë në të ardhmen?
Vllaznia është një pjesë e zemrës sime, për atë skuadër në dy të natës të më thërrasin, zgjohem dhe jam i gatshëm.
Endri ÇINARI