Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Vlonjati i Vllaznisë, Ardit Hoxhaj, optmist për fitimin e dy trofeve. Mes “Këpucës së Artë” dhe Titullit, preferon trofeun kuqeblu

Lexo

Vlonjati i Vllaznisë, Ardit Hoxhaj është ndër sulmuesit më në formë, jo vetem të Vllaznisë por edhe kampionatit shqiptar. Javën e kaluar, në harkun kohor të katër ditëve shënoi tre gola, një ndaj Laçit në “Loro Boriçi” duke e çuar Vllazninë në finale e Kupës së Shqipërisë dhe dy të tjerë ndaj Apolonisë në Kampionat duke kontribuar në fitoren e thellë 0-6.

Ardit, të flasim për ndeshjen e transfertës me Apoloninë, 0-6 për hirë të së vërtetës pak kush e parashikonte këtë rezultat.

Ishte një ndeshje e vlerësuar maksimalisht nga ana e jonë, njësoj sikur të luanim kundra Partizanit dhe Laçit. E kemi vlerësuar sepse këto ekipet e vogla në letër, edhe pse në futbollin shqiptar nuk ka diferenca, të hapin punë, por ne e zgjidhëm shpejt ndeshjen, dhe mendoj se kjo ka qënë kryesorja, vlerësimi i ndeshjes.

Vllaznia, natyrisht që ka meritën e saj në arritjen e kësaj fitorejeve, por nga ana tjetër përballë kishit një skuadër pak a shumë të dorëzuar, gjë që ua bëri disi më të lehtë fitoren.

Unë, do të thoja përsëri që pjesa e vlerësimit ishte kryesorja që e zgjidhëm shpejt. Pastaj, nëse nuk do të shënonim shpejt, ndeshjet zakonisht bëhen të vështira në vazhdim, pasi ato përforcohen mbrapa dhe është e vështirë t’i bësh gol. Mendoj që ky vlerësim që i kemi bërë ndeshjes na ka dalë për mirë.

Hoxhaj në superformë, rikthehet ai Arditi i mëparshëm i rrezikshëm dhe golashënues, i kënaqur për këtë gjendje që po kaloni?

Mendoj se kemi pasur një ngërç psikologjik se sa fizik më shumë për atë periudhë që lamë disa pikë, dhe mendoj se çdo gjë e kemi kaluar tani. Edhe formën fizike e kemi shumë të mirë. Vetë personalisht ndjehem shumë mirë, pamvarësisht se në disa ndeshje jemi paksa të lodhur nga ngarkesa që kemi pasur shumë ndeshje. Por, mendoj se jam mirë në kompleks dhe këtë ritëm do ta ruaj deri në fund të sezonit.

Po spikatni si golashënues, dopieta në transfertën fierake ju ka ngjitur në kuotën e 11 golave, dy më pak se sa Patrik Eze i Kukësit kryesues i listës me 13 gola dhe një nga Agim Ibrahimi po i Kukësit. E synoni “Këpucën e Artë” shqiptare?

Me thënë të drejtën, nuk është se e kam shumë mendjen tek “Këpuca e Artë”, por më shumë tek realizimi i objektivave të ekipit. Midis “Këpucës së Artë” dhe titullit Kampion, padiskutim që do të zgjidhja titullin.

Ndërkohë, Vllaznia lufton në dy fronte, sa mendon Hoxhaj që kuqeblutë mund t’i marrin të dy trofetë?  

Tashti tek njëri kompeticion, Kupa, jemi në finale dhe nuk do të mendojmë asgjë tjetër dhe vetëm ta fitojmë atë. Në kampionat kemi edhe tetë javë të tjera dhe do të bëjmë maksimumin për të dalë kampion.

Në Janar patët oferta, dhe ishit shumë afër transferimit në kampionatin turk. Qëndruat në Shkodër, jeni penduar për një gjë të tillë?

Me kontratën që kam pasur pothuajse isha i ikur. Kam pasur një klauzolë të ulët që mund të largohesha dhe klubi turk ishte i gatshëm që ta paguante atë, por dëshira ime ka qenë që të qëndroj me Vllazninë, ta mbyllim këtë vit këtu. Dihet që objektivat tonë janë për të fituar Kupën ose Kampionatin, ka qenë kjo dëshira e drejtuesve por edhe e imja që unë të vazhdoj të qëndroj në Shkodër kundrejt një bashkëbisedimi që kam pasur me drejtueseit, sepse në këtë moshë që jam unë tashti nuk është se vijnë oferta marramendëse për të blerë kartonin. Janë oferta të ulëta, dhe në bisedime që kam pasur me drejtuesit më kanë thënë qëndro deri në fund, pastaj ne nuk do të prishim punë në Qershor, edhe nëse ka një ofertë të ulët, besoj se do të më lënë, kjo ka qënë biseda me to pa i prishur punë njëri tjetrit dhe për të ndihmuar ekipin e Vllaznisë deri në fund, dhe gjatë verës të shikojmë se si do të jetë më e mira.

Megjithatë, gjërat mund të ndryshojnë në vazhdimësi, me Vllazninë që pritet të shkojë në Europë, a mund të ketë ndonjë vazhdimësi bashkëpunimi përsëri me kuqeblutë?

Tani, me këtë ecuri pozitive që kemi me Vllazninë, nëse ecim mirë edhe në Europë, normalisht që klubi i rritë financat, pasi dihet që një lojtar në Shqipëri lufton gjithë karrierën e tij për të kapur atë kontratën e jetës për të siguruar diçka për vete nga ana financiare. Dihet se në Shqipëri financat nuk janë njëlloj si jashtë vendit, por, po të ecin mirë në Europë edhe financat mund të ecin mirë, nuk e di, të shikojmë, asnjëherë nuk i dihet të ardhmes.

Të kalojmë tek ndeshja e fundjavës, ku Vllaznia ka një përballje shumë të rëndësishme me Skënderbeun për kampionat, me të cilën do të ndesheni edhe në finalen e Kupës.

Është një finale e parakoshme me Skënderbeun, sepse një finale të Kupës e kemi me 30 Maj. Është një ndeshje që nuk ka vend për nënvleftësim, po e vlerësojmë maksimalisht. Mund të them se Skënderbeu është një nga ekipet më në formë këto javët e fundit. Kanë lojtarë të ri dhe cilësor, plus edhe trajneri Memelli e ka mbledhur shumë ekipin, është një ekip shumë në ekuilibër. Objektivi i jonë është të marrim maksimumin që do të thotë tre pikëshi, por e parashikoj si një ndeshje shumë të vështirë, nuk do të jetë më si ajo ndeshja e fazës së dytë që kemi fituar këtu në Shkodër. Do të jetë një ndeshje akoma më e vështirë. Të dy ekipet janë me objektiva, ne synojmë titullin kampion, ato synojnë qëndrimin në kategori që është një objektiv akoma më i madh për ato.

Në mbyllje, diçka edhe për rivalitetin e titullit kampion. Mes Teutës kryesuese, Partizanit dhe Laçit, kë shikon Hoxhaj si rivalin kryesor?

Teuta mendoj se është me meritë aty në krye, pamvarësisht se ndoshta nuk zhvillon lojë aq të bukur dhe sulmuese, por mendoj se është me meritë në vend të parë dhe ka bërë mjaft mirë në këtë kampionat. Mendoj se të gjitha ekipet janë në garë, madje edhe për Tiranën e parashikoj në garë, edhe pse është pak më e shkëputur, ajo është në garë, pasi me dy-tre fitore ti renditesh shumë në klasifikim, dy-tre fitore të çojnë në krye.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img