Volejbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja po përgatiten intensivisht për startin e ndeshjeve të vitit 2022, ku sipas kalendarit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndeshja e parë do të luhet këtë fundjavë në transfertë me Elbasanin. Për teknikun kuqeblu, kjo pjesë e dytë e sezonit pritet të jetë më e mirë se sa ajo që lanë pas, pasi edhe problemet organizative të shfaqura më herët kanë marrë zgjidhje. Duke folur për merkaton, Kalaja i qëndron asaj që ka shprehur edhe më herët që ndryshe nga shumë skuadra që janë blinduar me lojtarët të huaj, ai mendon se lojtarët shkodranë, por edhe ndonjë përforcim nga kampionati shqiptar është më i vlefshëm dhe ka më tepër garanci për vazhdimësinë.
Profesor Kalaja, po përgatiteni për startin e kampionatit, si është situata në skuadër?
Situata nuk është keq mëgjithëse kemi pasur disa probleme shëndetësore si kovidi, dëmtimi i një qëndre, por ne kemi bërë një miniperiudhë përgatitore. Për sa i përket problemeve financiare janë plotësisht të zgjidhshme. Ne me të vërtetë kemi filluar me vonesë dhe kemi pasur pak probleme, por ato u zgjidhën plotësisht dhe kemi shlyer të gjithë detyrimet që kemi pasur ndaj sportistave që nga gushti. Ishte vonesa për shkak të ndryshimit të strukturës nga klub shumë sportesh në shoqatë, por me ndihmën e Shoqatës Volej Vllaznia dhe të zyrës së sportit pranë Bashkisë, ne arritëm që të gjitha borxhet dhe detyrimet që kishim ndaj sportistëve t’i shlyejmë dhe tani nuk kemi asnjë lloj pengese për këtë problem.
Sa ka ndikuar kryesia e re e Shoqatës me në krye presidentin Aleksandër Leqejza?
Ka ndikuar shumë pozitivisht sepse ato na kanë qëndruar afër, janë marrë me problemet financiare për të zgjidhur ngërçet dhe siç thashë edhe më përpara, në bashkëpunim me zyrën e sporteve në Bashkinë Shkodër, ne arritëm që të gjitha gjërat e prapambetura të jenë në rregull tashmë. Tani duhet vetëm të stërvitemi, të jemi brenda objektivit që të arrijmë në play-off. Megjithëse skuadrat e tjera kanë bërë merkato, ne kemi hedhur sytë edhe tek moshat e reja. Me ekipin e të rinjve jemi finalistë të Kupës, me para të rinjtë jemi në vend të parë dhe mendoj që prespektiva nuk është e keqe sepse planin e kemi afatgjatë dhe shpresoj që jemi në hapat e duhur për të arritur objektivat që kemi.
Ka ndonjë lëvizje në merkato?
Unë e kam thënë edhe herë të tjera që blerja nuk e zgjidh problemin, por zgjidh diçka urgjente, por ne po mendojmë për të jetuar më gjatë. Ne mund të blejmë sot, por nesër mbesim pa lojtarë. Jemi duke u përgatitur, kemi disa lojtarë të talentuar në skuadër që luajnë edhe me ekipin e të rinjve dhe jemi duke i dhënë hapësira shumë më tepër. Nuk mund të bëjmë një bum të mënjëhershëm, por po mendojmë për perpektivën dhe mendoj që kështu duhet të mendojnë të gjithë ekipet sepse lojtarët e huaj ikin të gjithë. Sikur të dalim kampionë sivjet dhe vitin tjetër jemi në kategorinë e dytë, atëherë çfarë kuptimi kanë blerjet? Mendojmë për jetëgjatësinë e sportit të volejbollit në Shkodër.