Menjëherë pas ndeshjes Laçi-Vllaznia ku ekipi kuqeblu fitoi me rezultatin e pastër 5-3 përmes një spektakli të vërtetë në fushën e lojës presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi është i gatshëm të flasë për ndeshjen dhe vazhdimësinë e sjuadrës kuqeblu. Xhaferi, fillimisht, urime për këtë fitore dhe start të mbarë të kampionatit!
Faleminderit. Ishte një ndeshje spektakël të them të drejtën ku u bë një lojë e fortë nga të dyja palët. U dhurua spektakël, u dhuruan gola. Filluam me fitore, kjo është një gjë shumë e bukur dhe fitorja këtu ishte e jashtëzakonshme. Jemi shumë të lumtur por tani është fillimi i kampionatit dhe çdo ndeshje do të vlerësohet me shumë qetësi dhe maksimalisht në mënyrë që ne të ecim përpara dhe të arrijmë ato objektiva që i kemi pararcaktuar.
Çfarë ju pëlqej më tepër tek skuadra juaj sot?
Më pëlqej grinta, më pëlqej momenti kur ato arritën t’a mundin presionin sepse barazimi ishte ndoshta një moment që Vllaznia pati gabime, por rikthimi me golat, mbajtja e rezultatit ishte mënyra më e shkëlqyer që ne arritëm këtë fitore.
Me çfarë pamë sot ishte një Aralica fantastik dhe i papërmbajtshëm në fushën e lojës.
Unë do të them që ne kemi 25 lojtarë dhe ato janë të gjithë të mrekullueshëm. Aralica sigurisht që ishte fantastik por nuk dua të lë pa përmendur edhe lojtarët e tjerë. Ne jemi një grup që fitojmë bashkë, gëzojmë bashkë dhe gjithashtu jemi të gjithë bashkë për të arritur aty ku duhet.
Duket se humbja e finales së Super Kupës ka shërbyer për mirë në kthesën e Vllaznisë.
Absolutisht çdo humbje ka atë analizën e vet dhe sigurisht që ky ishte momenti i fillimit të mbarë. Tani do të shikojmë sepse kampionati është i gjatë dhe nuk duhet të kalojmë në ekstazë por me qetësi duhet të ecim përpara sepse sapo e kemi filluar dhe kemi ndeshje shumë të rëndësishme si me Teutën në Shkodër. Këtu i kisha bërë një thirrje të gjithë tifozave që të mbushin Loro Boriçin brenda limitit të përcaktuar, në mënyrë që atë ditë t’a kthejmë në një ditë feste.
Pamë në tribunën VIP menjëherë pas radhës tuaj, teknikun shkodran që drejton skuadrën e Teutës, Edi Martini. Ndoshta e ka befasuar loja e Vllaznisë dhe ka marrë masat përkatëse?
Unë Edin e kam mik të vjetër dhe sigurisht që e vlerësoj për skuadrën që ka krijuar. Pastaj në fushë jemi kundërshtarë të mirë dhe gjithmonë jam me mendimin që të fitojë më i miri. Natyrisht që do të kisha dëshiruar të fitojmë në Shkodër.
Kjo do të jetë Vllaznia e këtij sezoni për titullin kampion?
Nuk ka nevojë për premtime, kjo duket. Ne do ti tregojmë premtimet me vepra.