Vllaznia-Partizani është ndeshja e parë që hap javën e 30-të të kategorisë Abissnet Superiore. Sfida në fjalë luhet pasditen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke filluar nga ora 16:45. Ish futbollsti i njohur shkodran që ka fituar trofe me Vllazninë, Altin Xhahysa, sot trajner i KF Murlani, komenton pragndeshjen në fjalë.
Xhahysa, tjetër përballje, Vllaznia-Partizani, këtë herë për kampionat. Si e vlerësoni këtë duel?
Ju falenderoj për intervistën. Gjithmonë, sa herë bëhet fjalë për Vllazninë, për mua është kënaqësi, sepse është jeta ime me Vllazninë, dhe çdo gjë ia kam kushtu ngjyrave kuqeblu dhe Shkodrës. Normalisht, kur janë ndeshje të tilla si me kjo me Partizanin, me Tiranën, janë ndeshje të bukura për me u ndjekë. Dhe, gjithmonë është ajo shprehja që të fitojë ekipi i Vllaznisë.
Sa të përbashkëta ka dueli i fundjavës për kampionat me atë të javës së kaluar të Kupës, ku Vllaznia u kualifikua pas gjuajtjeve të penalltive?
Unë, e kam prekë edhe më përpara në intervistat e tjera, ku mund të them se nuk është një gjendje e mirë sot tek Vllaznia në të gjitha aspektet. Shpresoj të jetë një ndeshje e mirë për Vllazninë duke pasë një angazhim maksimal, si nga ana e presidentit, stafi dhe lojtarët. Ta marrin me një frymë tjetër, me një angazhim tjetër, me një ego tjetër dhe me një dëshirë më të madhe për të fituar në fushën e lojës. Nëse vazhdohet si në këto ndeshjet e fundit, që në fakt unë jam i pakënaqur sinqerisht, gjërat nuk shkojnë mirë. Unë, do të jem dhe do të vazhdoj për të kritikuar, për të mirën e Vllaznisë, për të mirën e këtij tifozllëku, që të them të drejtën është shumë e vështirë për ta gjetë nëpër Shqipëri. Dhe, shpresoj që gjysmën e kësaj ndeshje ta luajnë edhe për tifozllekun që nesër ta kenë më të plotë në stadium.
Çfar nuk shkon sipas jush tek Vllaznia e këtyre javëve?
Edhe mos me dashtë të jesh kritik, janë vetë rezultatet, 7 ndeshje asnjë fitore, dhe të merresh atë pjesën tjetër ku unë po kapi atë të pjesës së sulmit ku unë kam luajtur, ka shumë pak gola. Pra, nuk mund ta quajë mosbesim të lojtarëve, sepse këto lojtarë ishin ato që e çuan Vllazninë aty ku ishte, aty ku e meriton të jetë Vllaznia. Por, them që duhet të shikohet shumë ana psikologjike dhe harmonia që është gjëja më kryesore që ekziston tek një ekip, dhe të jenë të bashkuar, sidomos në këto ndeshjet e fundit. Shpesoj, që të mos jetë ashtu, por duke parë që në ekip kanë tre çerekët futbollistë jo shkodranë, të cilët duke tentuar të ruhen edhe nga dëmtimet në javët e fundit, mund ta pësojë skuadra.
Realisht, gjatë ndeshjeve të këtij kampionati, në kampin kuqeblu ka patur reagime në drejtim të gjykimit.
Një gjë e tillë është e vertetë, sidomos në këtë kampionat është penalizuar Vllaznia, penalizimi i arbitrit është një gjë e rëndë, por të them të drejtën, nuk kam parë reagimin tek ekipi, kjo më shqetëson mua, jo arbitrimi. Sepse arbitrimi dihet, jemi në Shqipëri, duhet të flasim realitetin ashtu siç është. Por, të them, të drejten, në një kohë që e din, jo sot, por ka qënë gjithmonë, edhe atëherë kur kam luajtur unë me Vllazninë, ne kemi luajtur kundër Partizanit, Tiranës, Dinamos, 11 kundra 14-të, duhet të reagosh. Prandaj, duke e ditë se je 11-të kundër 14-tëve, ti je i detyruar që të mobilizohesh, jo një qind për qind, por 150 përqind. Dhe, kjo nuk është sot tek Vllaznia, sepse është ndeshur edhe herë të të tjera. Megjithatë, shpresoj që duke u bazu edhe tek ndeshja e fundit që u pa një farë reagimi pozitiv, të kemi sukesin e duhur. Por, janë disa gjëra që mua nuk më pëlqejnë, që ekipi të ndryhet në atë mënyrë në minutat e fundit në 16-tëshe, kjo nuk më pëlqen, sepse Vllaznia nuk është mësuar në këtë mënyrë.
Xhahysa, e fundit, por jo pak e rëndësishme, që ka të bëjë me qëndrëmbrojtësin e senegalez, Diagne, i cili që një ditë përpara ndeshjes së Kupës me Partizanin nuk është pjesë e Vllaznisë.
Në lidhje me këtë çështje mund të them se është një habi që kur ke edhe 6-7 javë kampionat dhe të ikë një lojtarë kyç i formacionit, që për mendimin tim ishte ndër më të mirë tek Vllaznia dhe kampionati shqiptar në repartin e mbrojtjes, dhe habia është që ekipi, klubi, presidenca nuk del me një deklaratë, kjo me habit. Pra, të them të drejtën, nuk mund të flas me saktësi se si është ky problem, por më e mira dhe më e vlefshmja është që drejtuesit të dalin me një deklaratë ku të sqarojnë gjithçka.
Një nga arsyet e largimit që thuhet është se është ështuar me djalë dhe ka kërkuar largimin nga Shkodra.
Edhe unë jam shtuar me dë fëmijë në kohën kur isha pjesë e Vllaznisë, por kemi vazhduar lojën në shërbim të ekipit. Një argument i tillë nuk më bind, por gjithësesi, kjo është çështje e vetë klubit Vllaznia, nuk është çështje e Xhahysës. Altini është për Vllazninë, për Shkodrëm për tifozërinë shkodrane.