Në një prononcim për “Panorama Sport”, Altin Xhahysa, një nga ish lojtarët e shpallur kampion me Vllazninë e mëparshme, dëshiron që Vllaznia e këtij sezoni të rikthejë titullin në Shkodër pas 23 vitesh. Pavarësisht startit të vështirë të sezonit, ai e shikon pretendente në këtë moment. Xhahysa shton se çështja e katërshes tani është e zgjidhur, por kujdesi duhet bërë në takimet teke të “Final 4”.
Si e keni parë Vllazninë e deritanishme?
Mund të them me nota pozitive. Vllaznia të them të drejtën ka pasur një ecuri të mirë, madje shumë të mirë, sidomos pas ardhjes së trajnerit të ri, pasi fillimi tanimë dihet me problematikat që kishte.
A e kishit menduar këtë ecuri të ekipit?
Të jem i sinqertë, deri në këtë pikë jo. Flas, duke u bazuar edhe në fillimin e kampionatit. Vllanzia nuk kishtë stabilitet në lojë dhe në rezultatet që pasqyroi në pjesën e parë të sezonit. Ndërsa, tani po e bën në më të mirën e mundshme këtë gjë.
Cilën shikoni ju si skuadrën që mund të jetë më pranë titullit?
Për sa i përket këtyre javëve të fundit, nuk shikoj një ekip që mund të jetë më mirë se tjetri. Çdo skuadër, përfshirë edhe ato që ishin më mirë, kanë pasur ulje-ngritjet e veta. Prandaj e preka edhe më pare se në katërshe janë takimet direkte që do të vendosin.
A e shihni këtë Vllazni të aftë për të fituar titullin?
Për momentin që flasim, them se po.
Vllaznisë në takimet e fundit nuk i kanë shkuar gjërat siç duhet. Ku duhet bërë kujdes që të ruhet ky pozicion deri në fund?
E përmenda edhe më parë se Vllanzia ka qënë shumë racionale. Me një lojë të kujdesshmne me me kundërsulmin ka qënë shumë efikase. Megjithatë, do të kisha dashur që të ketë më shumë përparësi te sulmi, pasi nuk mund të rrish gjithë kohën duke pritur.
Admir URUÇI