Egnatia ka arritur të mposhtë me rezultatin 4-3 Erzenin në ndeshjen hapëse të javës së tretë të Superiores duke marrë kështu 4 pikët e rradhës. Pas ndeshjes, zv.trajneri Brahja foli për MCN TV:
“Për ne ishte një pjesë e parë e mirë, i shënuam golat shpejt. Jemi të kënaqur për fitoren. Pjesë e dytë jo e mirë me kundërshtarin që shënoi 3 gola. Më vjen keq për golat e pësuar pasi mund të kishim një fitore më të sigurtë për ne. Ekipi jonë dominoi, përjashtoj disa minuta në pjesën e dytë.
I tërhoqëm vëmendjen Fernandos dhe Zejnullait që shkëmbenin pozicionet. Duke parë edhe kundërshtarin, ndonjëherë lojtarët kërkojnë të avancojnë për të shënuar gol.
Kjo pjesë e dytë është një mësim për ne. Do të ishte fatale për ne nëse do barazoheshim. Duke parë rastet e pastra duhet të shkonte loja 7-1, por kur nuk shënon edhe kundërshtari merr zemër. Ky ishte fati.”
Nga ana tjetër, Erzeni nuk arriti të merrte pikë në Rrogozhinë dhe mbeten në kuotën e 2 pikëve. Pas ndeshjes, trajneri Deliallisi foli për MCN TV:
Mënyra sesi nisi ndeshja duket qartë, ne futemi me ndjenjë inferioriteti, nuk e di pse ndodh kjo. Goditemi me topa në kundërsulm, nuk duhet të thyhemi kurrë. Ekipi reagoi në pjesën e dytë me zëvëndësimet. Nëse Atanda do të vinte më përpara do të ishte diçka ndryshe. Unë marr përgjegjësinë e rezultatit, lojtarët dhanë maksimumin, këta janë lojtarët.
Në momentin që pëson gola do të thotë që duhet të shënosh gjithmonë. Sulmi po shënon, por po goditemi në fazë difensive. Nuk është faji vetëm i mbrojtësve, por duhet të jemi të gjithë bllok. Nuk e kuptoj si u la aq hapsirë për Dwamenan. Ne duhet të japim maksimumin në ndeshjet e rradhës.