Kuqeblutë vijojnë përgatitjet në Austri për ndeshjet europiane, ku sipas shortit, sfida e parë është ajo e datës 21 korrik 2022, kur Vllaznia pret në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin Universitatea e Kraivës, sfidë kjo e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH Shkodra, zëvendëstrajneri kuqeblu, Auron Miloti flet nga Austria rreth ecurisë së fazës përgatitore të Vllaznisë.
Profesor Miloti, si e patë Vllazninë në takimin e parë miqësor në fazën që po zhvillon në Austri?
Mendoj se paraqitja e treguar nga ekipi në këtë takim, ishte e kënaqshme. Të gjithë lojtarët që u aktivizuan, treguan më të mirën e tyre, pavarësisht se të gjithë kanë ende për të bërë. Edhe skuadra ka ende për të rregulluar në lojë dhe në përgatitjen në tërësi.
Po gjendja e ekipit, ju bindi?
Forma e ekipit po vjen gjithnjë e më mirë. Nga dita në dita, çdo lojtar po tregon më të mirën, po vijnë në rritje në çdo aspekt dhe kjo të bën që të ndihesh mirë për vazhdimësinë.
Janë afruar disa lojtarë, si ju duket paraqitja e tyre?
Mund të them se janë afruar lojtarë cilësorë. Të gjithë lojtarë që u afruan, në takimin miqësor mendoj se dhanë shumë nga “arsenali” i tyre. Kemi bërë afrime cilësore, si Boshnjaku, Vulaj apo Juriç, si dhe lojtarë që i njohim, si Shehi, Marku e deri te të rinjtë Alivoda e të tjerët, që janë bashkuar që vjet me skuadrën. Mendoj se janë bërë afrimet e duhura.
Gjatë përgatitjeve në Austri, skuadra do të zhvillojë edhe dy miqësore të tjera, çfarë pritet nga ekipi?
Vllaznia e meritoi fitoren në takimin e parë miqësor. Do të kemi edhe dy teste të tjera dhe këto do të na vlejnë për të parë edhe më mirë gjendje e lojtarëve. Mendoj se nga ndeshja në ndeshje të gjithë do ta shikojmë se si do të vijë në rritje loja e gjithsecilit prej lojtarëve.
Do të ketë afrime të tjera deri në startin e takimit të parë ndaj Universitateas?
Nuk mendoj se ka kohë për një gjë të tillë. Ne po punojmë për këtë takim me lojtarët që kemi në dispozicion.
Pra, me këtë grup do të përballohet edhe sezoni i ri?
Nuk mund të themi se e kemi mbyllur plotësisht merkaton. Por, thashë që për takimet e Konferencë Ligës, nuk do të kemi afrime. Për sa i përket sezonit të ri, ka kohë për të menduar për situatat dhe lëvizjet në merkato.
Më 21 korrik luani takimin e parë ndaj rumunëve të Universitateas, si e shikoni këtë përballje?
Mund të them se është një përballje teje e vështirë. Kemi përballë një skuadër me shumë financa, por në futboll nuk ka asgjë të pamundur. Unë do të thosha se ne do të hyjmë në këto takime me një qëllim për të kërkuar kualifikimin. Gjithmonë mund të kërkohet më e mira.
Në çfarë aspekti po punohet për arritjen e kualifikimit?
Gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve po kërkohet që lojtarët të marrin ngarkesën e duhur dhe, për më tepër, të mos kalojnë probleme fizike dhe dëmtimesh. Shpresojmë që edhe Latifi, që pati atë problem shëndetësor, të jetë i gatshëm për sfidën e parë të Ligës së Konferencës. Ai që në momentin kur ka ardhur, po stërvitet fort për të kapur ritmin e ekipit. Ndërsa pjesa tjetër duket se është e mirë. Besoj që kjo të vijojë deri në fund.
Si e shikoni me këto lojtarë Vllazninë e sezonit të ri?
Jam optimist se lojtarët që qëndruan me ekipin dhe pjesa tjetër e lojtarëve që u bashkuan, janë cilësorë. Besoj se me këtë staf lojtarësh, ne do të jemi pretendentë dhe shumë kompetitivë në sezonin e ri, si në Kampionat, edhe në Kupë.